Monday, September 10, 2007

FOLËSI ME ZËRIN BRILANT.


Post by Miri Dhrami [e-mail: ["pirgu i heshtur" nenpirgu@yahoo.gr]]

(Photo: spikeri i njohur himarjot Dh. Gjoka)
Me siguri që çdo shqiptar e njeh portretin e Dhimitër (Karziut) Gjokës, folësit zë brilant të televizionit, qysh prej 30 vjetësh. Folësit që përfoli dhjetëra kryeministra e qindra ministra qeverish, që erdhën dhe u fshehën në harresë.
E nisi punën me qeverinë plakë, të asaj që polli mbas pesëdhjetë vjetësh dy plus tre, që dhe ato të pillnin të tjera parti, shoqata, koalicione e fraksione, si ta kishin hallin të ngatërronin folësin zë kristal. Por ai nuk “dëgjon”nga ai vesh. Flet dhe të rrëqeth. Bilbilon dhe magjeps, ashtu si në ditën e parë, që u caktua të fliste për diçka, që nuk do ta besonte kurrë. Lumturinë e dalë nga zymtësia. Nejse, të shkuara të harruara që thonë, se zëri dehës i tij, nuk mund të rregullonte asgjë. Veçse konsumohej për gjëra të kota.
A nuk do të ishte mrekulli, që ai zë i rrallë të trumpetonte triumfe të vërteta? A nuk do të ishte magji, që goja e tij të mos fliste për vjedhje, vrasje, gjakmarrje dhe thika mbrapa shpine qeveritarësh, që ndjellin trishtim dhe plagosje në shpirt?
Ah, popull i mjerë! Zëri brilant i një folësi, nuk është tjetër veçse një shenjë, se edhe tek popujt e vegjël e të vjedhur, një çast mund të flitet për madhështi. Gjë që sot mungon tek ti. Ai vibrim i rrallë, ajo ortofoni e mrekullueshme, që nisi të fliste për veprat që themelonte dikur partia e punës, sot vazhdon të flasë për vrasjet dhe vjedhjet që fshihen pas partive bija. Tmerr. Kush nuk do ta ëndërronte që ai zë aq bindës, të lajmëronte të mbarat? Zëri i tij i mrekullueshëm, të mos prishej nga frika e tmerreve që vazhdojnë ti falin vendit organizatorët e 97-ës, dhe populli ti durojë me pritje të gjatë. Nejse, këto i përkasin anës profesionale së Mimit, se mua si mik, më takon të përqendrohem tek bota shpirtërore e tij. Megjithëse edhe kjo duket lehtë, se thonë që pasqyra e shpirtit është fytyra. Kështu që mund të besosh lehtë se edhe shpirti i tij është i florinjtë. Unë porsa e takova nga afër, këtë besova të parën. U qafuam si miq të vjetër dhe folëm si patriotë për hallet vendit por edhe të Himarës tonë të sakatuar. Teksa flisnim, e shikoja dhe krenohesha për bashkëbiseduesin tim, që preferonte të pinte verë ose uzo, ashtu si të parët tanë.
Në sytë e tij dritë-qartë, shkruar bukur mbi fytyrën simetrike, lexoja pa frikë mesazhin e një miqësie që porsa nisi. Ndaj flisja lirshëm dhe rrëmbehesha nga çiltërsia e tij. Njeri me horizont në bisedë, i talentuar në të shprehur. E po kot nuk qëndroi për vite me radhë përgjegjës artistik i televizionit kombëtar, mendoja. Sot flet për Top-Canel. Ah Mimi, i thashë, fatkeqësia jote qëndron, se ke lindur në një vend të vogël dhe flet për kaq pak njerëz. Zëri yt duhej të komentone për shtet-kontinente.
Më erdhën shumë kërkesa, Miri, por atë kohë e kisha babanë sëmurë, e nuk mund ta braktisja lehtë. Kur më shprehu këtë, (sigurisht me një dhimbje të veçantë për të atin, e jo me ndonjë pendim për shansin e humbur,) u ngazëlleva dyfish. Mendova, sakrifikoi karrierën e vet, për t’ju kushtuar prindit. Atë çast pashë se ky person, e mishëron tërësisht botën shpirtërore të Himariotit. Që siç thuhet dhe në legjendat e Himarës, të parët e të parëve të tanë, erdhën si Lejlekë në ato anë, duke i mbajtur të moshuarit mbi shpinë. (Lelegë, të quajtur ndryshe.) Nejse, legjendat në Himarë nuk shterojnë. Se me këdo që rrish e të pish një kafe, do ta ketë një legjendë për të ta thënë. Deri sa edhe i verbri nga Qeparoi, këtë verë më tregoi legjendën e Gjon Vasisë dhe të ujkut. Por le të shkojmë përsëri tek Mimi (Dhimitri) që në bisedën e tij të shtruar, nuk e harroi të më kujtonte edhe folësin tjetër Himarjot Kiço Fotiadhi. Që të dy këta, së bashku me të gjithë artistët Himariotë, përbëjnë një mantelë krenarie dygjuhëshe për Himarën.
Po thuaj se në këto linja u shtri biseda me të. E gjatë e shijshme e bollshme, si dhe mezja që porositi e cila na e mbushi trapezin cep më cep. Ato pak ditë që ndenja në Tiranë, u takuam tri herë bashkë. Po edhe tridhjetë të takoheshim, me siguri që përsëri do të na ngeleshin pa thënë. Se Mimi nuk është vetëm folësi kryesor në televizion. Ai është dhe një poet. Tek më recitonte një poezi, zëri i tij gurgullues, më depërtonte deri në indet më të holla. Thua se po më pëshpëriste ndonjë lajm të veçantë, që të më ngelej mirë në kujtesë. Dhe kështu ndodhi. Çdo moment nga takimi me të, është gdhendur fort në celuloidin e mendjes time. Me të drejtë mund të them, se qysh nga kjo verë, unë kam dhe një mik poet më shumë.
Mimi, mirë u pafshin në Himarë.
Me respekt M Dhrami.

No comments: