Thursday, September 13, 2007

Vëzhgim personal mbi Shqipërinë e ndaluar

Ky artikull publikohet ne blog-himara sepse permendet dhe nje himarjot Vasil Qesari si pjesemarres ne ekspoziten fotografike ne Paris


Alma Mile (Shekulli)
12-09-2007




Fotografë shqiptarë e francezë ekspozojnë në Paris, Shqipërinë e djeshme dhe të sotme

Dikur e ndaluar, sot akoma e panjohur. Dhe sado e hapur prej 16 vjetësh, Shqipëria vazhdon të jetë një mister për të huajt. Sa për evropianët, emrin ia kanë dëgjuar sigurisht, qoftë edhe thjesht për faktin se ishte "kështjella" e fundit e socializmit që ra në Evropë. Kanë dëgjuar sigurisht edhe për emigrimet masive, ndërsa më tej gjithçka është e panjohur. Këtë e dëshmojnë edhe vizitorët që gjatë muajve të verës pushtojnë rrugët e Tiranës. Regjistrojnë e fotografojnë ç'të munden. Edhe policin e veshur me ngjyra fosforeshente, që mundohet të rregullojë trafikun e rënduar e që pak ia ka ngenë të huajve kuriozë. Fotografi Yves Rousselet ka marrë përsipër që një copëz Shqipërie t'ua bëjë të njohur bashkëkombasve të vet, në qendër të Parisit. Edhe pse njohës shumë i mirë i Shqipërisë, së cilës i ka kushtuar tre vjet më parë seri të tëra fotografike, Rousselet këtë herë ka menduar që prezantimin ta bëjë përmes një ekspozite kolektive. Janë 24 fotografë shqiptarë e francezë që çojnë në "Maison d'Europe et d'Orient" Shqipërinë, ashtu si ata e kanë parë.

Nuk janë thjesht shkrepje aparati, të zhvilluara mbi letër bardhë e zi, por një seri vëzhgimesh personale mbi Shqipërinë e djeshme dhe të sotme. Është një panoramë komplekse. Pamje rrugësh, qendrash urbane, rurale, pejzazhe piktoreske e monumente kulture, për të dhënë imazhin e një Shqipërie të bukur, e si gjithmonë të parapëlqyera, portretet. Aty janë sytë e fëmijëve, vështrimi i drejtpërdrejtë i burrit, balli i menduar i një të moshuareje… Çdo imazh shoqërohet nga një tekst i shkruar nga vetë autori i fotografisë ku ai flet pak për historinë e fotografisë, madje edhe për faktin se pse kjo fotografi është e rëndësishme për të. Duke ofruar në këtë mënyrë jo thjesht këndvështrimin e tij, por edhe mundësinë për të zgjeruar hrefleksionin mbi një vend që mbetet i panjohur për evropianët. Megjithëse ajo çka përcjellin fotografët përmes imazheve të fiksuara nuk ka asgjë të ndaluar, kuratori 52-vjeçar, Rousselet, ka vendosur ta quajë ekspozitën "Qëndrim mbi imazhet e ndaluara". Kjo seri imazhesh vjen përmes punëve të fotografëve Solange d'Angely, Jean-Louis Berdot, Julie Briard, Jean-Paul Champseix, Nathalie Clayer, Isabelle Destriat, Greta Dhaskali, Frédérique Duversin, Michel Faure, Pascal Hamon, Odeta Hoxha, Afërdita Ibrahimaj, Laert Kraja, Fikreta Kurmemovic, Eleni Laperi, Ilda Mara, Evelyne Noygues, Amélie Petiteau, Odile Piton, Vasil Qesari, Ilda Rama, Eléonora Roba, Yves Rousselet, Franck Vogel. Ekspozita përmban rreth 50 fotografi, kryesisht bardhë e zi, por edhe me ngjyra.

Ceremonia e hapjes zhvillohet në datën 20 shtator në orën 19.00 dhe do të qëndrojë aty, në Shtëpinë e Evropës dhe të Lindjes, në Paris, deri në datën 2 tetor. Hyrja është e lirë për të gjithë ata që duan të zbulojnë diçka më shumë nga Shqipëria.

No comments: