Sunday, September 30, 2007

Letersi-Tregim nga Miri Dhrami


note: Inkurajojme autoret himarjote te dergojne tregime me tematika te lidhura me problemet e sotme te Himares dhe mundesisht ne greqisht, ne gjuhen e te pareve tane.

Miri Dhrami.
(nje tregim i imi, apoklistika per faqen Himara).

DIVANI I DAJËS.
Besoj ta ketë hedhur daja divanin e vjetër, që në ditët me miq kthehej në krevat, përgjatë kuzhinës së ngushtë. Mbi të, format e sustave shtynin lart damaskun e roitur, shquheshin aq qartë saqë kur doje të uleshe, ishte mirë që ndonjë nga ata rrathë, ta llogarisje në qendër të të ndenjurave. Vetëm ashtu mund të qëndroje disi mbi të. Nga ana tjetër, kjo përpjekje kishte edhe dy anë të mira. Njëra ishte, se të krijohej ideja që ashtu susta ndoshta do zbutej për gjumin e natës, dhe tjetra; kur fshihje poshtë vetes ndonjë ngërçosje të atyre telave, bëje që edhe daja të mos ndjehej keq.
Megjithëse kjo e fundit është pak e diskutueshme. Se daja edhe kur ishte në pikë të hallit, vetëm buzëqeshte. Nejse, le ta vazhdojmë tregimin për ndenjësin që mbante dy tituj. Kështu që edhe përshkënditja e imagjinatave që ndizeshin duke ndenjur mbi atë divan-krevat, nuk mbante gjatë. Porsa çoheshe, zhgënjeheshe për të dyja ato që thamë. Sustat kryeneçe zinin menjëherë vendin e mëparshëm, dhe daja i vërente i prekur, sikur ato atë çast iu shtuan numrit të pabindurave, nga e prekura e të ndenjurave të mikut...
Pastaj, shikimi i lënduar i tij derdhej mbi “mysafirin” që as njërën dhe as tjetrën nga ç’pati imagjinuar, nuk mundi të realizonte. E si të mos i mjaftonte kjo, të ndenjurat e tij përfitonin edhe një rreth të zi nga poshtë, ngaqë susta e fortë ta ndalonte krejt qarkullimin e gjakut.
Por kjo ishte më e parëndësishmja. Se unë sa herë që isha gjendur në atë rol, kisha parasysh vetëm merakun e dajos, ku mbas pritjes së parë, na përcillte duke na qëlluar lehtë në sup; “Ngado që të shkosh, o bir, në darkë këtu, ë.., tek daja. More vesh dhe mos u vono rrugëve!” Po ne në atë qytet, për ato të shkreta rrugë shkonim. A kishte kuptim fjala? “Mos u vono rrugëve.”
-Mirë o dajë, mirë ! -ia ktheja duke fërkuar prapanicën dhe dilja në shkallë, ku dëgjoja shkarazi dhe dublimin për mos vonesën, që i bënte atij dajkesha.
Pasi endesha më kot disa orë, nëpër qytetin që lyhej me aksion të dielave nga vetë qytetarët, aty afër mbrëmjes kthehesha “i ngopur” me shëtitje tek daja. Porsa ai më hapte derën, e para që bëja ishte të zgjasja kokën gjithë merak, për të parë në se kishte bujtur dhe ndonjë tjetër. Sikur të kishte ardhur ndonjë djalë nga fisi jonë, daja na flinte të dyve bashkë në divanin krevat, njërin nga koka dhe tjetrin nga këmbët. “Edhe si vëllezër, alla! Mos goditij në gjumë!” -na thoshte gjithë mirësi, dhe shkonte i kërrusur në dhomën e lyer me ngjyrë gurkali.
Po të kishte ardhur ndonjë vajzë nga fisi i dajkeshës, atëherë si i bëhej hallit!? Apo nuk ishin dhe të gjata e të bukura si statuja mermeri ato! E si të mos iu mjaftonte bukuria, dreqkat ishin dhe tepër të zgjuara. Ndaj, të gjitha sa kisha njohur rastësisht, vazhdonin shkollat e larta.
fakt, e dija mirë se po të kishte ardhur ndonjëra nga ato, unë patjetër do të flija përtokë, diku pas derës në korridor. Por nuk zemërohesha. Vetëm në ato raste e pranoja me kënaqësi të fjeturin përtokë. Se gjer sa shtriheshim për gjumë, flisnim e qeshnim aq shumë bashkë, sa i duhej dajkeshës të ndërhynte me një kollë si të hyzmeqareve, që të na kujtonte se nuk duhej të tregoheshim aq të afruar. Pastaj, si i zënë në faj unë shikoja dajën, që akoma nuk e kishte kuptuar pse kollitej rëndë dajkesha...
-Të kam thënë kaq herë, moj e uruar. Pa të zënë kolla, të bësh një çaj! –i kthehej ai dhe vazhdonte të na qeshte, që ta mbante në moto harenë e mbrëmjes.
-Do ta bëj nesër në mëngjes!.. -i përgjigjej ajo me nënkuptim, ngaqë plaku nuk kishte nuhatur asgjë, por vazhdonte të qeshte e të fliste me ne, si të ishte vogëlush. Nejse, kjo s’mbante gjatë, se kolla e dajkeshës bëhej aq e fortë, sa biseda jonë zbërthehej krejt. Pastaj ndërhynte përsëri daja, dhe ne rifillonim humorin e ndërprerë, por si tek çdo gjë e ngjitur, dhe tek humori ynë dallohej plaga e ngjitjes.
Vetëm në një moment, kur ne përmendëm në vija të përgjithshme se si mund të ishte demokracia, humori u rrafshua. Atij i iku goja pak shtrembër, thua e goditi paralizë. Por nuk vonoi dhe u përmend, duke na këshilluar të ndërronim shpejt bisedën. Në çast diskutimi jonë kaloi tek filmat, e prej aty tek librat, mandej tek rrobat, e kush e kujton më se si përfundoi biseda atë natë të gjatë dimri, mbi divan-krevatin e ungjit të Babait.
Ndërkohë që flisnim, vajza nga fisi i dajkeshës tregohej e pa zonja të shtypte sustën poshtë vitheve. Ndaj lëvizte gjithmonë, sa pak majtas, sa djathtas. Unë, meqenëse isha burrë dhe pak më i rëndë nga ajo, bëja më parë sustën e divanit “zap,” pastaj i qeshja asaj triumfator. Nganjëherë shtypja edhe dy susta njëherësh. Po gjer aty. Më tepër as unë nuk mund të zmbrapsja. Ndaj, për të përdredhurin mbi divan, vajzës mike tek daja, i jepja në heshtje gjithmonë të drejtë.
Edhe për të veshurin me shije i jepja të drejtë. Bile, dhe kur nganjëherë i derdhej mbi sobë çaji ose kafeja, i jepja të drejtë. Se doja që dajesha të mos e çonte më nga divani... Me pak fjalë, pranë mbesës nuk e kuptoja sa shpejt vinte ora për gjumë, që unë të largohesha për tek korridori, i shoqëruar nga një “natën e mirë” e saj, gjithë ëmbëlsi. Kurse ajo, kthehej mbrapsht mbas bufesë, dhe vishte bizhamat.
Tek shtrihesha, shikoja mbi mur hijen e trupit të bukur të saj, që lëvizte aq hajthshëm. Por nuk më linte era që fuste dera e korridorit nga poshtë, ta shijoja gjer në fund. Ajo gati më çonte me gjithë lecka, ndaj dhe vononte të më zinte gjumi. Por edhe vajza që flinte mbi divan, sillej e përdridhej mbi susta, sikur flinte përsipër iriqëve. Teksa e dëgjoja që mundohej të shtypte sustat, me pjesët delikate të trupit, më vinte aq keq sa s’thuhet. Kështu që, isha gati ti thosha të kthehej në brinjë, se ndoshta ashtu trupi i saj i hollë e i gjatë, gjente më mirë vend duke gjarpëruar midis sustave. Por nuk fola. Kisha hall, se mos më dëgjonte dajkesha nga dhoma tjetër dhe e mbyste kolla pastaj...
Për veten time, bëja një si mur mbrojtës nga mbrapa derës, me gjithë shapkat dhe këpucët që gjendeshin aty pranë. Pastaj, i mbrojtur prej murit me këpucë, nisja gjumin e natës i qetë. Jo, iu gënjeva! Se e bëja gjumin e natës, plot ëndrra...
Një herë mu bë sikur sustat e divanit, natën nxirrnin mbi damask disa gishta çeliku, dhe përpiqeshin egërsisht të ledhatonin, gjokset e bukur të vajzës nga fisi i dajkeshës. Por unë i kisha marë masat. Duart e mia në ëndërr, ktheheshin në dara të fuqishëm, që këpusnin çdo gisht metalik të sustave të pabindura. Për pak zgjohesha. Ai troku i darës,(trak, trak, trak,)që këpuste gishtat e sustave gjithandej, nuk ishte tjetër veçse e goditja e portës mbrapa kurrizit, që përpiqej të më rrëzonte murin mbrojtës. Ndaj, porsa më ftohej shpina, prishej dhe ëndrra. Përgjumësh ngrihesha dhe nisja ta rindërtoja nga e para murin me këpucë. Një çast, tek punoja ashtu në errësirë, dëgjova të qeshurën e bukur të vajzës nga soji i dajkeshës.
-Të vjen për të qeshur? -e pyeta zë ulët që nga korridori.
-Po! –ma kthehu e qetë, gjë që nuk përkonte fare me gjumin mbi susta...
-Çudi! –ia bëra për t’i treguar, se unë mund të qeshja më shumë me të. Ajo e kuptoi dhe në çast më pëshpëriti, se nuk qeshte me mua, por me sustat e divanit që e gudulisnin keq gjithë andej. Atëherë ishte që mua më ikte fare gjumi. I imagjinoja sustat si duart e liliputëve, që mundoheshin të fërkonin trupin e një Guliver-eje për ta përmendur, nga helmimi i shigjetave të tyre...
-Ju po i bëni trupit një masazh të mirë! -e ngacmova me zë të ulët në errësirë.
-Ta tregoj nesër masazhin që po bëj! -ma ktheu ajo po me humor, dhe heshti për të kuptuar, se duhej të flinte ato pak orë që kishin ngelur. Duke pritur një fjalë të saj, edhe mua më merrte gjumi.
Meqenëse korridori ku flija, ishte pika ku kryqëzoheshin hyrjet për në dhomë, në kuzhinë dhe në banjë, më duhej të çohesha më shpejt nga të tjerët, për të mos penguar lëvizjen. Ndaj, vesha teshat e ftohta pa zhurmë, dhe dola në shkallë.
Pak më tutje, hyra në kafenenë që pallati i dajos kishte përballë.
I turbulluar nga nata dhe mbesa e dajkeshës, rufiksja me të dredhura çajin pa aromë, që gruaja e trashë e banakut, e bënte gjithmonë si me shurrë. Për pak, nga pallati doli mbesa e dajkeshës. Qysh nga pas xhamit ia bëra me dorë. Ajo duke qeshur nën buzë, mori fill rrugën për tek kafeneja.
-Mirëmëngjesi. Si u gdhive? –më pëshpëriti si të kishte frikë, se mos e dëgjonte akoma dajkesha.
-Mirë, po ti?
-Si mbi susta. –mu përgjigj dhe u ul e këputur tek karrigia pranë. Për pak, duke zbuluar lehtë këmbët e bukura, më tregoi dy të nxira nga rrathët e sustave, që i fitoi po atë natë tek divani i dajos.
-Më vjen keq, -i thashë, pa guxuar t’ia ledhatoja për t’i ndjekur sado pak dhembjen. Atë mbrëmje, mbas provimit tek ekonomiku, ajo mori trenin për në fshat. Unë u ktheva përsëri tek daja.
Kur erdhi ora për gjumë, dajkesha u ngrit dhe filloi të më shtronte mbi divan. Tregonte pak e prekur, ngaqë sa herë i vinin mbesat, ato pa diskutim do flinin në divan. Ndaj merrte një çehre fajësie, si të rrëfehej; “dajesha të gjithëve iu do njëlloj..!”
Unë tek kujtoja rrathët e zez mbi kofshët e bardha të së mbesës së saj, një herë më shkoi në mëndje ti kërkoja, të më shtronte përsëri në korridor. Por mendova ofendimin që do pësonte dajua, dhe nuk bzëjta.
-Natën e mirë! –më tha pas pak e kënaqur, ngaqë unë të paktën, nuk ia ktheja fjalën. E mirëkuptoja gjithmonë...
-Natën e mirë! –iu përgjigja të dyve në çast, që të lija të kuptonin se, vërtet kisha për të kaluar një natë të mirë...
Pasi u përdrodha disa herë mbi divan, i vendosa këmbët mbi ato dy susta, që një natë më parë kishin nxirë vajzën nga fisi i dajkeshës. Duke qëndruar në atë pozicion, një sustë tjetër më shtynte në vithe, dy në shpinë, një në shpatull dhe një në zverk. I shtyrë po nga të njëjtat susta, dhe po në të njëjtat pika kyçe të trupit, që një natë më parë ishte shtyrë trupi i vajzës nga fisi e dajkeshës, më zuri gjumi. Në mëngjes kur u zgjova, mu desh shumë të kthjellohesha. Kisha parë ëndrra me gjermanë...
* * *
Pasi kaluan disa vite, e takova përsëri vajzën nga fisi i dajkes. Ishte martuar dhe punonte si shefe plani në një kooperativë të tipit të lartë. I dhashë dorën ngrohtësisht, si në ditët që ishim të rinj e qeshnim gjer vonë. E pyeta për familjen. Pastaj, duke ia mbajtur dorën, u zgjata dhe i pëshpërita në vesh, sekretin e rrathëve nga sustat, që më kishte munduar gjithë ato vite: “Përveç atyre dy rrathëve në kofshë, që më treguat atë mëngjes, ju kishit edhe një në vithe, dy në shpinë një në shpatull si edhe një zverk.” Ajo nuk foli. As tregoi e befasuar. U turpërua aq, sa të më lejonte që të mos zmbrapsesha.
-Atëherë kisha qejf t’iu tregoja të gjitha. –më tha e skuqur në fytyrë, duke nënkuptuar edhe gjinjtë, që i mbrojti nga vrasja e sustave, duke fjetur gjithë natën me sytë në tavan.
-Edhe unë kisha qejf ti shikoja mbi trupin tënd, para se t’i krijoja mbi timin! –iu përgjigja mekanikisht. Buzëqeshi pak si atëherë.
-Unë i kam akoma në lëkurë ato vula të zeza. Juve iu kanë ikur? -vazhdova për t’i kujtuar netët rinore, që të mos mendonte se ato kishin mbetur shumë pas. Më buzëqeshi ëmbëlsisht.
-Më kanë ikur! -belbëzoi si e dyshimtë për përgjigjen, dhe më tërhoqi për tek zyra. Vërtet, i kishin ikur krejt...
Athinë 2007.

No comments: