Sunday, September 30, 2007

Foto: Miri Dhrami. Sapo ka dale me nje vellim tregimesh dhe ndjehet i brengosur midis dy valeve: 1. vala e pare e perfaqesuar nga Hiqmet Mecaj i cili i ben nder dikujt ne se arrin ti lexoje librin gjer ne faqen 17
2. vala e dyte e perfaqesuar nga artikuj si ai i O. Goros te cilit i duket se edhe Balzakut do t'ja kishte zili talentit te Mirit.

Lexuesit do te desheronin te gjenin nje kritik realist letrar. Nga Mecaj nuk arrijme te mesojme asgje rreth krijmit te Mirit , por dhe nga "kritika" letrare e O. Goros dalim te zhgenjyer, kur ne nje faqe gazete nuk arrijme te mesojme asnje titull tregimi nga libri i komentuar, asnje analize personazhi (figure letrare), asnje analize instrumenti letrar (figuracionet letrare), e vetemja gje qe arrijme te marrim vesh eshte mahnitja e tij e pafund.

Presim nga Miri te na dergoje jo krijimet e Hiqmetit por ato te te tij.

PER SHKRIMTARET.

Dje, mbas mbrëmjes letrare për Myslim Maskën, u ulëm në një banket të vogël. Megjithëse kishte nga të gjitha ato që donim ne, verë, fruta të thata, biskota me kripë si dhe Wisk e birra.

Rrethin e përbënim unë, Pirrua, Hiqmeti, Alushi, L Simoni, S Martiko si edhe ndonjë tjetër. Pa pritur banketi i vogël u kthye në një diskutim letrar për librin tim, “Nje fizarmonikë mes malesh” se Hiqmeti nuk priti, u shpreh hapur se duhet të ndjehesha me fat, ngaqë më kishte lexuar 3 tregime. Je nga tregimtarët qe tërheqin interes, me tha. Dhe sikur unë të flisja për librin tënd, do thosha: Si ka mundësi një njeri që nuk e njeh Shqipen të shkruaj kaq bukur!

–E Kujton çtë kam thënë, më shtynte Alushi me bryl. Po bëre Hiqmet Meçen të të lexojë qoftë edhe një tregim, duhet të ndjehesh fatlumë. Ai i flak të gjitha librat që i falin këta.

Unë e humba. Nuk ka më të ashpër se Hiqmeti në letërsi, vazhdonte Alushi të më pëshpëriste tek veshi. Pastaj, si për të përforcuar këto që po më thoshte Alushi, u hodh përsëri Hiqmeti. Librin e hapa aty ku më shkoi dora, se asnjëherë nuk i marr tregimet me radhë. Dhe po të them përsëri, se je me fat. Nuk kam mundur ta lexoj nga asnjëri kaq krijim.

Mbrëmja mbajti disi dhe u thanë shumë të tjera, por kësaj here kaq mund tiu them. Mot më shumë.

Përshëndetje dhe suksese te nderuar kolege.

(Deri sa t’iu lexoje Hiqmet Mecja)

Miri Dhrami.

Me poshtë, po iu dërgoj nje tregim nga shkrimtari ne fjalë.

Tregim nga Hiqmet Meçaj

BALADË PËR KËPUCËN S’ECI

Nuk dihet shkaku se si qeni buldog futi turirin brenda në atë dollap të madh, kapi me dhëmbë këpucën e majtë, pikërisht kur ajo, bashkë me këpucën e djathtë, po luteshin si përditë të dilnin përjashta, të visheshin e të shkelnin në udhët e botës, në shi a në diell, s’kishte rëndësi, vetëm të ndjenin harenë e të ecurit, sepse kishin vite që rrinin aty të kyçura, në errësirën e atij dollapi. Po buldogu kapi vetëm njërën, të majtën, e nxori që andej, pasi i futi dhëmbët e mëdhenj në lëkurën e bukur e të qepur me finesë, shkoi te ballkoni e, si bëri disa lodra të rrezikshme duke e kafshuar dhe lëshuar, duke e shtyrë me këmbë e turinj, ajo këpucë e majtë ndjeu se fluturoi në ajër, bëri ca kolotumba të rrezikshme, që asaj iu dukën të bukura, pastaj, si u shuk dy-tri herë në një çimento të fortë, kërceu e u fsheh në një kaçubë të vogël bari.

U rrënqeth kur preku barin, pastaj ndjeu rrezet e diellit ta ngrohnin, t’i depërtonin në të gjitha poret e trupit, sipër llapës, nëpër lidhësa, të lodronin brënda birave të vogla, aty ku një fill elegant kishte bërë ato të qepura aq të bukura, që i shkonin për shtat vetëm një këpuce luksoze por fatkeqe. Ishte e lirë, në ajër, mund të mendonte, të shikonte, bile edhe ëndërra se si, pasi përshkoi trotuare, hendeqe, pirgje me gurë e me baltë, ca duar të buta e përkëdhelën, e pastruan mirë e mirë e pastaj i shtruan sipër lëkurës elegante një bojë të ndritshme, ku edhe dielli verbohej po të shihej në të.

Vetëm kaq. Shpejt e kuptoi vetminë, ajo ishte këpucë dhe kishte lindur bashkë me të djathtën, pa të s’kishte asnjë vlerë. Kur rrinte aty mes barit, ndjeu një dorë ta ngrerë lart, ta përkëdhelë e të thotë “ç’këpucë e bukur, qënkam me fat”. Një këmbë u fut brenda saj dhe qëndroi aq bukur sa që ai tha përsëri “qënkam me fat”. “Po e djathta ku është”? tha zëri pas pak. E kërkoi të djathtën e, meqë s’e gjeti, e hodhi përsëri këpucën e bukur aty ku ishte, në kaçuben e vogël mes barit. Në atë çast, këpuca e majtë, që s’kishte qënë kurrë e keqe në shpirt, iu lut zotit që atij njeriu t’i këpuste këmbën e djathtë. Dhe ky mendim iu ngulit thellë, aq sa çdo çast uronte t’i kalonte aty dikush këmbëdjathtëkëputur, ta vishte, të ecte tok me të se, të thuash të drejtën, për të ecur kishte lindur.

Së shpejti ra mbrëmja. Hapat u rralluan. Ajo ndjeu barin të fëshfërinte, pastaj lidhëzat u drodhën, disa këmbë të vockëla prekën butësisht lëkurën e saj dhe një hardhucë u zhyt brenda. Ishte hera e parë që shikonte hardhucë, e cila duhet thënë që në fillim, nuk i pëlqeu, se lëvizte shumë, sikur diçka kërkonte e diçka nuk i pëlqente. Ajo doli prap dhe u kthye pas pak me një të dytë që, pasi u përkëdhelën bënë seks hardhucërishte, pa ceremonira, pa zhveshur rrobat e tepërta, siç kishte parë zakonisht këpuca nga brima e dollapit ku rrinte. Pastaj hardhucat, si iu lutën zotit për shtëpinë e bukur që u bëri dhuratë, fletën në krahët e njëra tjetrës pa gërhirë e pa lëvizur fare. Kurse këpuca mbeti zgjuar gjithë natën e natës. Mendonte të djathtën, ku ishte, edhe ajo e ndjente vetminë, atje në errësirë, pa shpresë për të dalë jashtë.

Asnjëherë, mendoi ajo, nuk ecëm siç duhet. Ca shkallë, pak trotuar, brenda në makinë, prap trotuar, shkallë, ashensor e më pas muaj e muaj të tërë brenda errësirës së atij dollapi të frikshëm. Do kalbem këtu, mendoi, pa bërë atë për të cilën linda, do strehoj hardhuca , kërminj , krimba, deri sa një ditë dikush do më hedhë mes plehrave, larg këpucës së djathtë. Edhe atë do ta flakin për fajin tim, mendoi.

Ndërkaq filloi një shi i dëndur, ajo shkëlqeu aq bukur nga drita e rrugës, sa edhe vetë u habit dhe, në pamundësi të gjente të djathtën, iu lut zotit që njeriu i parë që do ta merrte në dorë të kishte vetëm një këmbë.

28 . 3 . 2000

P . Faliro . Athinë

(Botuar në “Gazeta e Athinës”, prill 2000)

No comments: