Saturday, September 29, 2007

"..me zemër unë i përkas Jezusit"-Mother Tereza.

http://www.gazeta-shqip.com/artikull.php?id=27832

Sikur ta linim të qetë Nënë Terezën

Ben Andoni*

Pak muaj më parë, një orator nga podi i një promovimi kumtonte me krenari që Nënë Terezën e kishte njohur shumë vite më parë se murgesha të ishte në Shqipëri. I lartpërmenduri tregoi se si Ai, në përbërje të një delegacioni grash në Meksikë, ishte hasur me Nënë Terezën diku nga viti 1986 dhe tregonte indiferencën e plotë të kryetares së delegacionit, znj.Vito Kapo, për murgeshën e njohur shqiptare. E njihnim, pra. Kjo, nuk tregonte aq shumë, në fakt, në auditorin ku mungonin politikanët patetikë, që përdorin sot emrin e saj, apo studiuesit e ndryshëm. Gjithsesi, publicisti shqiptar i natyralizuar si britanik, Gëzim Alpion, realizoi për promovimin shqiptar të "Mother Teresa: Saint or Celebrity" atë që donte: një shikim ndryshe të shenjtores shqiptare, që e kishte prezantuar gjithaq edhe në katedra të shuma nëpër botë. Paskëtaj heshtje. Patetizma.

Pak muaj më vonë, ministri i Jashtëm, Basha, i kërkoi homologut të tij indian kthimin e eshtrave të saj. Një veprim deri diku i arsyeshëm për atë që Nënë Tereza ka përbërë në ditët tona: krenarinë dhe mbi të gjitha retushin e vështirë të imazhit shqiptar në botë. Por, kjo kamerdare shpëtimi na bën pak qesharakë, kur kthehemi në realitet. Jo sepse figura e saj përcillet aq korrekt me ditën përkujtimore, por sepse respekti i vërtetë për "Të lumnueshmen" është tejet larg respektit që kanë vërtet shqiptarët për të shkuarit dhe për figurat e njohura historike. Më thjesht, edhe për vetë familjarët tanë. Jo rrallë, nëpër Shqipëri, rrugët më të këqija janë rrugët që të dërgojnë në vendet e pushimit të fundit?!

Të gjithë e mbajnë mend se një konkurs, i bërë me shpejtësi, zgjodhi për figurën e saj një shtatore, që sot është në një nga vendet më të papërshtatshme të Tiranës. Sikur, për fat, mos të ishte puna e fundit e skulptorit kosovar, Luan Mulliqi, do të mbeteshim me patetizmin tonë banal në artin figurativ për figurën e "të Lumnueshmes". Por, po atë ditë që publicistit i duhej të shpjegonte kompleksitetin e figurës së shenjtores shqiptare dhe mënyrën e përcjelljes së saj nga auditori, dikush nga komuniteti mysliman tregonte përcjelljen ndryshe të murgeshës, mes tyre... myslimanët e Shkodrës nuk mund të përtypnin një vit më parë, që hyrjen e qytetit të tyre ta okuponte shtatorja e saj. Ai përmendte edhe faktin që për figurën e saj ka shumë kundërshtime. Shkrimtarit thjesht i është dashur të përgjigjet pa kompleks, sepse për fat në rrugëtimet e tij kishte njohur edhe njerëzit e mendimeve krejt radikale për shenjtoren. Por, jo të tillë si në Shqipëri. Gjithsesi, kaloi. Dhe Nënë Tereza edhe pas kësaj mbeti një koperturë për kompleksin kombëtar, për të treguar kontributin e madh që kemi në kohën e sotme në botë.

Dhe që nga Kryetarja e Kuvendit, që nuk e honepste dot ish-presidentin dhe të tjerë që nuk honepsnin Shkëlqesinë e tij, Moisiun, përdornin atë... Nënë Terezën. Për fat. Figura e saj eklipsoi edhe Skënderbeun, që sikur të ishte ambulant, kur erdhi kreu i shtetit turk, u hoq nga "personeli i pastrimit" në Pallatin e Brigadave. I ngrati, shumë shpejt pret edhe të revizionohet në studimet e specialistëve të historisë, bashkë me një sërë figurash që kanë bërë realisht për kombin shqiptar, por që pak kush ua di vendvarrimet. Në të njëjtën vazhdë do të duhej të kujtonim paraqitjen e kahershme me shkronjat e hequra nga varri i Shkëlqesisë së tij, Ismail Qemali, madje edhe tash në prag të 95-vjetorit të Pavarësisë në Vlorë. Të gjitha këto të bëjnë të mendosh se sa respektojmë ne shqiptarët realisht... Ndaj, përpjekja e fundit e qeverisë shqiptare për të sjellë eshtrat e Nënë Terezës në Shqipëri, të duket pak si shumë e tepërt. Për një arsye të vetme: ajo është varrosur diku, bash atje ku ka dhënë kontributin e saj më të madh dhe është e vështirë që ta shkëpusësh nga vendi, ku është dedikuar dhe meritoi njohjen ndërkombëtare. Kurse, Shqipëria më shumë se sa të merrte të tilla iniciativa të tilla, i duhet të llogariste pozitën e vet para figurave të historisë kombëtare.

Nuk është kaq e vështirë që të vijnë eshtrat e Mbretit Zog në Shqipëri, që janë prej vitit 1961 në Paris. Ashtu si mund të kishte një varrezë të veçantë për figura të njohura, qoftë dhe Enver Hoxhës, ose shumë figurave të luftës antifashiste, të kontestuara tashmë. Sepse, nuk është turp që të vlerësosh vendin tënd me anë të respektit të gjithë atyre figurave, që kanë kontribuar qoftë për mirë (apo edhe për keq) pas vdekjes. Në institucionet britanike të arsimit për shembull gjendet një memorial kushtuar oficerëve gjermanë që kishin luftuar kundër Britanisë, por ishin shkolluar në atë vend. Është e tepërt që të kërkosh atë që e ke më pak. Jo sepse Nënë Tereza nuk e meriton, por se shteti shqiptar (duhet të bindemi se shteti nuk fillon më 1928, 1945 apo më 1990) i ktheu krahët gjatë gjithë jetës së saj. Respekti për Nënë Terezën nuk duhet të përdoret për të bërë retushin tonë kombëtar. Nuk ka filluar gjithsesi nga Ajo dhe nuk ia vlen "të eklipsojë" sot gjithçka. Në një bashkëbisedim, prof. Kristo Frashëri mendonte se varri i Skënderbeut nuk mund të ishte atje ku sot është memoriali, sepse nuk mund të ishte aq larg kështjellës. Por më 1968, kur Enver Hoxhës i kishte ardhur lajmi i gjetjes së vendvarrimit të tij, askush nuk mund ta ndërronte. Sot, memoriali i mbijeton një kaosi urban, që e bën të mjerë vendin e prehjes së shpirtit të heroit. Ashtu si rri bosh varri i Sami Frashërit, që shqiptarët shpresonin ta kthenin në Shqipëri me rastin e përvjetorit të Lidhjes së Prizrenit.

Në varrimin e murgeshës nuk mund të harrohet edhe Shqipëria aq e përçarë, ku Presidenti Berisha rrinte veçmas pjesës tjetër të delegacionit zyrtar, duke bërë sikur lexonte. Ndaj, vetë Nënë Tereza, sa ishte gjallë, pyetjes se nga ishte, i ishte përgjigjur në mënyrë lakonike me shpirt: "Me gjak jam shqiptare, me pasaportë indiane, shumë thonë jam e gjithë botës, por me zemër unë i përkas Jezusit".

Në histori duhet të kalojnë shumë kohë që të maturohet një figurë. Këtë maturim, deri më tani, e kanë ende të vështirë dhe shumë figura që kanë dhjetëvjeçarë që nuk janë. Sepse sot e kësaj dite nuk ka ndonjë nderim të veçantë për kardinalin e parë shqiptar, Koliqin. Nuk ka ndonjë nderim të veçantë (pavarësisht se u takon shekujve të shkuar) për Papa Klementin: "When I try to raise my thoughts to Heaven — there is such convicting emptiness that those very thoughts return like sharp knives & hurt my very soul. — I am told God loves me — and yet the reality of darkness & coldness & emptiness is so great that nothing touches my soul". Përgjigjen na e jep sërish vetë Nënë Tereza. Ka kaq shumë boshësi në shpirtrat tanë, sa na duhet të pjellim, ose të kapemi pas figurave. Por, bota është e madhe dhe Shqipëria mbetet gjithmonë më e vogël. Vite më vonë, i barrikaduar në një fortesë antikomuniste, ai që i bënte elozhe librit për Nënë Terezën i kishte kthyer krahët dikur Nënës. Kuptohet prej frikës... së shtetit shqiptar, që sot kërkon t‘i sjellë eshtrat... që ta harrojmë sa më shpejt, njësoj si të tjerët para saj.


Ben Andoni, gazetar himarjot, prezantues i librit historik "Bisede me autoret greke" te Kristo Frasherit, liber ky i kritikuar nga opinioni himarjot per retushime dhe pasaktesi historike

No comments: