Sunday, October 21, 2007

Gjirokastër, vidhen 18 ikona në kishën e Dropullit

Entela Bani
21-10-2007










Kujdestari: Kanë marrë 5 ikona të mëdha dhe 13 të vogla, shumë të çmuara. Janë rreth 2 shekullore

GJIROKASTËR- Vidhet për të tretën herë kisha e Bularatit në Dropull, por këtë radhë dëmi i shkaktuar është shumë i madh. Plot 18 ikona, cilësuar prej ekspertëve si tepër të çmuara janë vjedhur nga kisha 500-vjeçare e Shën Thanasit, në fshatin Bularat të komunës së Dropullit të Sipërm. Grabitësit vazhdojnë të jenë ende të paidentifikuar, ndërsa kjo është vjedhja e dytë e objekteve të kultit në rrethin e Gjirokastrës, brenda 10 ditëve të fundit.

Grabitja

Persona ende të paidentifikuar, kanë hyrë në kishën e Shën Thanasit në orët e para të ditës së djeshme dhe kanë marrë prej andej një numër të madh ikonash. Dëmi i shkaktuar është tepër i madh, por ende nuk mund të flitet për një shifër të saktë. Mësohet se grabitësit kanë mundur të kryejnë aktin e tyre të rëndë, pasi kanë thyer njërën prej dritareve të krahut perëndimor, e cila nuk kishte hekura. Por, ndryshe nga raste të ngjashme vjedhjesh, këtë radhë nuk kanë mjaftuar të hollat, por synimi kryesor kanë qenë ikonat. Lehtësisht e kuptueshme, pasi nga muret janë shkëputur shumë syresh, madje mendohet që edhe të jenë përzgjedhur, duke pasur më parë idenë rreth vlerës së tyre.

Kujdestari

Ngjarja është konstatuar fillimisht nga kujdestari i kishës, i cili si çdo mëngjes i është drejtuar objektit fetar, por e ka gjetur atë të hapur dhe të bastisur. Menjëherë pas kësaj, ai ka lajmëruar uniformat blu, të cilat kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë filluar kryerjen e veprimeve hetimore. “Kur erdha unë, në orën 07.00 të mëngjesit, se kishim disa punime për të bërë, e gjeta derën të hapur dhe dritaren të thyer. Hyra brenda dhe pashë që gjithçka ishte e parregullt. Më tej konstatova se mungonin 5 ikona të mëdha dhe 13 të vogla. Gjithashtu kanë marrë edhe të gjitha lekët që ishin në arkë, por nuk mund të them se sa është shuma e grabitur”, - është shprehur Jorgji Bako, kujdestari i kishës. Po sipas Bakos, të gjitha ikonat e vjedhura kanë një vlerë shumë të madhe historike e fetare, pasi janë rreth 2 shekullore.

Hetimet

E njoftuar për grabitjen, policia lokale ka mbërritur me urgjencë në vendin e ngjarjes. Sipas burimeve zyrtare, mësohet se ndërkaq, policia është duke punuar ende për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje dhe burime konfidenciale bëjnë të ditur se po punohet në disa drejtime njëherësh. Kisha e Shën Thanasit në Bularat ndodhet e vendosur në mes të varrezave dhe ky fshat ka dy kisha. Kjo është hera e tretë që kisha bie pre e grabitësve, qysh prej çeljes së saj pas viteve 1990, ndërsa dje është shënuar rasti i dytë i vjedhjes së një objekti kulti në rrethin e Gjirokastrës brenda një harku kohor prej 10 ditësh.

No comments: