Sunday, October 07, 2007

KTHIM NGA SHQIPERIA



KTHIM NGA SHQIPERIA

- Përshtypje pushimesh -

Tani qe u be mbi një muaj qe jam larguar nga Shqipëria e jam kthyer ne atdheun tim te dyte, jam ulur te shkruaj diçka rreth pushimeve te mia te sivjetme atje. Por, ua them qysh ne fillim, jam ne mëdyshje. Te shkruar diçka qe t’i u pëlqejë shqiptareve apo te vërtetën qe pashe e ndjeva. Vendosa te shkruaj pikërisht për ketë te dytën. Pra, për atë qe ndjeva e qe shumëkujt mund te mos i pëlqejë. Por, me thoni, nga vjen valle kjo ndjenje rezervimi ? Ndofta nga ajo mendësi e jona e dëmshme për t’i zbukuruar gjerat e për te qene gjithmonë "pozitiv"? . Ndofta … ?!

***

VLORA

Vlora, qyteti im i lindjes, padyshim është shume i dashur për mua. Me te me lidh një jete e tere. Dhe sa here, çdo ndryshim për mire, me ngazëllen e me ben te lumtur. Ketë ndjenje e kam provuar disa here këto vitet e fundit por, sivjet, me sakte ketë vere, u pezmatova pa mase. Fillimisht, vite me pare, çdo ndryshim qe shihja ne qytet me bënte optimist por, ndryshimet behen për mire por edhe për keq. Nga dritarja e banesës sime, ne pallatin ku jetonte e ndjera nena ime, tani shihja një kabina ne ndërtim. Një ndërtese te madhe e te frikshme. Një hiper – bunker betonarmeje i cili te kallte datën. Për me tepër, i ngritur përballe pallatit, ai na kish privuar edhe nga dielli, duke bere qe dielli te fshihej prej tij qysh ne orën katër mbasdite.

Fillova kështu, sepse dëshiroj dhe duhet te flas për ndërtimet kaotike qe po bëhen ne ketë qytet e qe gjer dje, ishin te kursyera e disi edhe me një mendim modest urbanistik. Tani, çdo gjë shkon mbrapsh e ato po ngrihen si 'kërpudha' te mëdha shumëkatëshe, duke pushtuar ne mënyre te veçante bregdetin. Kështu, bie fjala, Skela e dikurshme e Vlorës nuk ekziston me. Ajo vetëm emrin ka te tille, sepse tani nuk është veç një grumbull i çrregullt pallatash, hotelesh e restorantesh qe te zyne frymen dhe shikimin, me prezencën e tyre. Qe andej, pamja e detit, nuk duket me …

Vlora dhe gjiri i saj ! Nuk besoj qe si ajo te ketë shume, ne pellgun e Mesdheut. Një natyre e mrekullueshme : det dhe mal, ishull, gadishuj dhe ai ujë i kaltër e i qete qe te jep përshtypjen se ndodhesh balle një liqeni. Por, kjo bukuri rrezikon te shkatërrohet përfundimisht. Se pari, nga vete njerëzit te cilet e konsiderojnë atë një pellg, nje rezervuar te pafund, ku mund te hedhin pafundësisht mbeturina gjithfarë llojesh. Aty derdhen ujrat e zeza, te bardha, shishe, kova, drasa, dhera, qeska e gjer karkasa makinash te ndryshkura. Por, për me keq akoma, gjiri i Vlorës, rrezikon te fshihet nga faqja e dheut si zone turistike, nga ndërtimi i një varg objektesh ndotëse industriale : Tec -e, rezuarvuare e terminale nafte e te tjera. Këto, kam frike se do te ndodhin, do te behen, por ata qe po kryejnë këto veprime mafioze te pafalshme, do te zihen ne goje si kriminele, nga brezat qe do vijnë …

BREGDETI

Ne një dite tepër te nxehte gushti, duke udhëtuar ne autobusin e linjës Sarande – Himarë, te duket vetja sikur je dënuar për te vuajtur gjer ne pafundësi. Shoferi, ka hapur dyer e dritare e njerëzit, te shtypur si ne një kuti sardelesh, here kthehen ne te majte e here ne te mëngjër, sipas dredhave qe përshkon rruga e ngushte e gropa- gropa. Dy turiste te huaj, te cilet janë ulur ne sedijen para meje, tentojnë te bëjnë fotografi qe nga dritaret por, diçka e tille është pothuajse e pamundur. Peizazhet janë te bukura, por rruga ... ah, rruga eshte si ajo e Kalvarit te Krishtit …

Zbresim ne Qeparo, pasi jemi troshitur për dy ore te mira, nene një ajër mbytës e me veshët shurdhuar nga motori i sterlodhur i autobusit. Ne shpëtuam, te tjeret do vuajnë dhe ca me teper, deri sa te mbrinje ne Himarë. Qendra e fshatit s’të kujton asgjë nga e kaluara. Pranë zyrës postare, ca burra te dobët, truppakët e pothuajse leckamane, te shohin me sy te trishtuar. Janë nga 'ata lart' - me shpjegon dikush – vijnë këtu, për te bere ndonjë pune, sa për te nxjerre bukën e gojës. Nga 'Lemenjerat' - siç e quajnë qeparotesit qendrën e fshatit te poshtëm - nuk ka mbetur gjë nga pamja e shume viteve me pare. Edhe këtu, nuk te sheh me syri kopshte e portokalle, por beton. Beton majtas, beton djathtas, beton poshtë, beton lart. Përpiqem te bej një fotografi te fshatit. E pamundur. Pamjen ma zëne ca ndërtesa te shëmtuara. Te larta, te drejta, te prera si me thike. Edhe ato krejt prej betoni …

Ne Qeparo, mbi malin Pihu ka rene zjarr. Ca burra lozin me letra e, kur dikush u thotë te hedhin sytë për te pare zjarrin qe përvëlon gjithçka, ata i përgjigjen : Ehu, zjarri do beje punën e tij. Se mos është hera e pare qe bie zjarr aty … Shume qeparotes kane ardhur për te kaluar ketu pushimet. Bashke me ta edhe shume nga rrethe te ndryshme te Shqipërisë. Ne qendër takoj disa krijues nga fshati. Se Qeparoi ka shume shkrimtare e poete. Por, ve re një gjë jo te mire. Pothuajse te gjithë flasin keq për njeri – tjetrin. Me sa duket edhe ata janë te përçare. Te ndare e armiq, janë bere edhe ata qe mbrojnë ligjin famëkeq xxxx ( nuk ja mbaj mend numrin ) e qe duan te marrin pa te drejte pronat. Jane bere armiq me te tjerët te cilet, me te drejte perëndie e jo 'ligji', kërkojnë te gëzojnë djersen dhe sakrificat e te pareve te tyre. Ato toka e ullinj qe gjyshërit e prindërit i bene me gjak, me vete jetën e tyre, duke punuar ne minierat e Greqisë, Francës e Tunizisë apo qofte
edhe aty, neper harcalet e shkembenjte e fshatit.

Vjen darka dhe mbrëmjen e kalojmë tek mëme Marua - gruaja e kushëririt tone, te ndjerit Ksenofon - një plake bujare dhe e shkathet si vajze, e cila na pret krahëhapur, bashke me fëmijët e saj e mikun tim, Petraq Palin. Ne tavoline gjithë te mirat ! Një nate shlodhese, kalova ne fshatin tim. Ne mëngjes shpejt, me doli gjumi dhe dola ne ballkon e bëra disa foto te agimit qe bie mbi fshat e tej mbi fushe. Ajri aty është i freskët dhe plot shëndet. Bukuria e pafund. Fshat i rralle, Qeparoi ! …

SARANDA

Me vjen keq për adhuruesit e këtij qyteti, dikur te vogël e te hijshëm, por Saranda e sotme është kthyer ne një 'forteresse' te betonuar. Edhe sikur, një mrekulli e madhe te ndodhe, ky qytet nuk behet me siç duhej te behej. Një katrahure e vërtete urbanistike ! Qyteti është mbushur plot godina shumëkatëshe prej betoni, te cilat pa mëshire po i ngjiten malit, duke e kthyer atë ne një qendër 'hoteliere', ku askush nuk do te gjeje asgjë interesante për ta vizituar. Per me teper, plazhi i vogël i tij, është mbipopulluar e njerëzit shtyjnë njeri-tjetrin, për te gjetur pakëz vend.

Marrim një makine dhe nisemi drejt Butrintit. Mbas na ndjekin dy autobusë mbushur me turiste. Janë nga ata qe vijnë për çdo dite për te vizituar qytetin e lashte antik, ne baze te një marrëveshje te një agjencie udhëtimesh nga Saranda me ate te Korfuzit. Rruga është e ngushte e duhet te kesh dhjetëfish vëmendje, për te shmangur ndonjë aksident. Ca djelmoshe, fluturojnë me veturat e tyre fringo te reja, duke na parakaluar me shpejtësi skëterre e duke mos respektuar as kodin rrugor minimal qe mund te ekzistoje ne ndonjë vend te botes. Rrugës, te shoqërojnë kafshe dhe karabina betonarmeje qe, me sa duket janë destinuar për t’u bere gjelltore, vila, hotele, motele. Me leje apo leje ? Ku merret vesh ! Ligjin aty e ben me i forti dhe ai qe ka parà ...

Ullinjte dhe pemët përgjatë rrugës, janë stolisur me lloj – lloj qeskash plastike shumëngjyrëshe, te cilat janë kapur keq e s’shqiten nga degët e ullinjve dhe pemeve te tjera. Pothuajse përbri çdo lokali, restoranti a hoteli, sheh grumbuj te medhenj plehrash e mbeturinash ndërtimi, mes te cilave kullosin ca lope brinjëdala. Ne Butrintin antik, duket se ka me tepër rregull. Ca burra, me fytyra te parruara e te përvuajtura, me uniformat ‘zyrtare’e te zhubravitura te Parkut Kombëtar, bëjnë roje, se mos ndofta ndonjë i huaj merr me vete ndonjë cope tulle apo tjegull. Me tej, nene një tende te mbuluar me kashte, dy vajza te reja shesin ‘souvenire’ me motive nga Butrinti. Objekte te punuara dobët, shkel e shko, pa ndonjë vlere ! Nderkohe, pyes një prej shoqërueseve te grupeve turistike, se ç’thonë te huajt për Butrintin. Janë te kënaqur për vizitën këtu, për qytetin antik, - me thote ajo - por nuk kuptojnë pse ka kaq shume plehra rrugës e pse nuk ndërtohet një rruge për te qene


KORFUZI

Shkova ne Korfuz - ne ishullin e gjelbër - ku isha ftuar nga shoku im i femijerise Robert Martiko i cili me shoqëroi për tri dite me një miqësi shembullore, bujare e te prekshme. Dhe teksa i hipa tragetit për tu kthyer ne Sarande, ndërsa brigjet shqiptare me ato greke i ndanin jo me pak se pese kilometra, po shihja me trishtim anën tone. Sa kontrast i madh ! Nga njëra ane : një ishull i gjelbëruar, populluar me mijëra turiste, i pastër, i ruajtur bukur, plot taverna, hotele e monumente kulture. Nga ana tjetër, pra nga ana shqiptare, shkreti ! Bunkerë e gryka tunelesh. Dhe me tej thatësire, vetëm thatësire. Kodra e male pa gjelbërim. Asnjë bukuri ! Pse valle ? Pa gjykuar vetëm për pesëdhjete vjet izolim e regjim totalitar, mendja me tha se, vendimtar e pasoje e asaj gjendje, ishte padyshim ai pushtim i gjate turk, i cili kish 'levantizuar' gjithë jugun e mbare Shqipërinë. Ajo periudhe e zeze, shkatërrimtare qe kish fshire gjtheçka nga faqja e dheut. Kish nderuar kode,
zakone e sjellje, duke i bere shqiptaret edhe me te egër se ç’ishin me para ...

Vjeshte 2007


Mon Web Site
www.simbadi.com

No comments: