Thursday, October 04, 2007

"Rishikimi i historise" nga Talebanet


Apolonia dhe Butrinti -deshmite e kultures antike greke dhe romake, jane vene ne shenjester nga talebanet

Barbarët drejt Apolonisë dhe Butrintit


Plator Nesturi (shekulli)
04-10-2007




"Kush i vuri zjarrin Apolonisë?", duhej të ishte titulli i munguar prej disa ditësh në median e përditshme pasi rrënojat e qytetit të lashtë u përfshinë nga flakët. Por nuk qe e thënë me kaq. Dy ditë më parë i njëjti fat i ishte rezervuar dhe Butrintit, kompleksit më të ruajtur monumental të antikitetit, ndërsa zjarret mezi iu shmangën sitit arkeologjik falë ndërhyrjes në kohë të zjarrfikëseve nga Saranda dhe Delvina. Nëse do të ishte periudhë vere, me temperatura të larta dhe mendje të çmendura, ku zjarret që përfshinë vendin ishin një fenomen i rëndomtë në edicionet informative, ndoshta flakët në Apoloni dhe Butrint mund të kalonin pa u vënë re. Madje, sipas kronologjisë dhe hartës së zjarreve të këtij viti, mësohet se këto dy objekte të rëndësishme të trashëgimisë historike dhe arkeologjike janë shkrumbuar edhe herë tjetër gjatë kësaj vere. Tashmë kur temperaturat kanë rënë dhe mendojmë si të mbushen bazenet e hidrocentraleve, për të ulur orët pa energji elektrike, flakët që përfshinë Apoloninë dhe Butrintin të bëjnë të mendosh se ata që mbanin pishën e zjarrit janë jo thjesht të çmendur nga mendja, por dhe me qëllime të mbrapshta.

Kush dhe pse po i venë zjarrin monumenteve me të cilët ky vend duhet të krenohet, pasi në truallin tonë nuk mungojnë dëshmitë e antikitetit? Çuditërisht, gjatë këtyre ditëve, një pyetje e tillë as që u shtrua në media dhe nuk u dërgua as edhe një kamera të nesërmen e zjarreve për të vëzhguar dëmin e kryer. Nuk na doli të paktën as edhe ndonjë zëdhënës nga qeveria, për të dënuar këtë atentat ndaj trashëgimisë sonë kulturore, në një kohë kur nuk ia përtojnë të impozojnë para ekranit për sukseset apo për t'iu përgjigjur me togfjalësha politikë "bezdisjeve" nga ana e opozitës. Në vend të këtyre pikëpyetjeve të mëdha, nga media mësohet vetëm se zjarri ka qenë i qëllimtë dhe se ai ka përfshirë disa hektarë pyje dhe shkurre. Përkufizimi "i qëllimtë" për një akt kriminal që nuk do shumë mend të kuptohet dhe pa e përcaktuar atë, është njëlloj si të mos kesh thënë asgjë dhe më keq akoma ta mbulosh duke kaluar radhën. Ndërsa, përcaktimi se janë shkrumbuar kaq apo aq hektarë pyje është thellësisht një cinizëm profesional, thua se vlera e objekteve monumentale në Apoloni dhe Butrint mund të barabitet me djegien e shkurreve që ndonjë bari kërkon t'i shndërrojë në kullotë.

Në media, së fundmi u përcoll me kërshëri lajmi se qeveria ka vendosur të shpenzojë 300.000 dollarë për spotin publicitar që do të transmetohet në CNN, e cila synon të promovojë turizmin në Shqipëri me Apoloninë dhe Butrintin, që padyshim do të jenë pjesë e këtij spoti, i llogarit me vlerën e shkurreve. A nuk është paradoksale kjo? A nuk përbën shqetësim edhe për vetë qeverinë, që me ruajtjen e këtyre monumenteve të paktën mbron investimin e saj 300.000 dollarësh për spotin publicitar, për të mos përmendur faktin se Apolonia, Butrinti dhe monumente të tjera i shërbejnë zhvillimit të turizmit që deklarohet si prioritet i kësaj maxhorance?

Qytetet antike të Apolonisë, Butrintit, qyteti i Beratit, kishat e Voskopojës dhe objekte të tjera të trashëgimisë sonë kulturore në Shqipëri, janë përfshirë në listën e UNESCO-s si objekte të rëndësishme të kulturës botërore. Ato janë monumente me të cilat krenohemi dhe në kushtet e varfërisë ekonomike është fat që organizatat e huaja i mbrojnë dhe derdhin fonde për to, të cilat u dëshmojnë të huajve (ne vetëkuptohet që duhet ta dimë), se dhe ne kemi një kontribut në vlerat e trashëgimisë botërore të kulturës. Por zjarret e vëna "qëllimisht" dhe pa autorë dëshmon se ose nuk duam t'ia dimë për vlerat tona të trashëgimisë kulturore ose atë nuk duam ta kemi dhe ndaj i vëmë zjarrin. Sipas drejtorit të Parkut të Butrintit (siç u referua edhe në media), zjarri u vu nga njerëz që "nuk e duan Butrintin". Po kush janë këta dhe pse nuk e dashkan? Për hir të një nacionalizmi absurd dhe ndonjë prej siteve arkeologjike konsiderohet si koloni e themeluar në brigjet tona? Kjo është dy herë absurde dhe është njësoj sikur në kohët e sotme italianët të shkatërrojnë tumat etruske, pse ata nuk ishin romakë.

Deri më tani, objekt shqetësimi për sitet tona arkeologjike dhe vendbanimet e lashta kanë qenë grabitjet e objekteve që ndodheshin në to, nga gërmimet e paligjshme apo dhe nga vjedhjet në stendat e muzeve. Ky është vërtet një krim i rëndë për kulturën e vendit, por çdo të thoshim për zjarrvënien e qëllimtë ndaj tyre? Kjo nuk do të ishte një grabitje e rëndomtë, por dënim me shkatërrim dhe humbjen përgjithmonë të tyre. Dhe kësaj radhe flakët kishin prekur në Apoloni, Teatrin e Vjetër dhe Vilën Romake. Por çështja shtrohet edhe në një aspekt tjetër delikat. Në atë se a ndikon ngritja e zërit që këto monumente të ruhen e të mos dhunohen sërish. Para disa kohësh në një bisedë me të apasionuarin pas antikitetit, Shpend Bengun, ai më shpjegoi se kur kish parë dëmtimin e kryer në Shpellën e Lepenicës, ku paraqiten grafika murale e simbole që nga paganizmi tek krishtërimi i hershëm, kish ngritur këtë problem në të gjitha forumet shkencore, brenda e jashtë vendit. Ishte realizuar edhe një dokumentar, që fitoi një çmim ndërkombëtar. Por, çuditërisht, u shpreh Shpendi, grafikat në Shpellën e Lepenicës u dëmtuan edhe më shumë dhe në to mbizotëronin gërvishtjet me bajonetë. Në këto kushte, a nuk është merak se kështu po nxis më shumë dhunimin e Apolonisë dhe Butrintit?

Dikur, vite më parë, bota moderne u shokua nga pamjet që vinin nga Afganistani, ndërsa talebanët godisnin me antitank statujat gjigante të Budës, të cilat më pas i shkatërruan me eksploziv. Se çfarë ndodhi atje, dihet dhe do të ishte absurde që ne të tregohemi talebanë me monumentet tona të kulturës dhe me trashëgiminë tonë historike. Më së paku, bota e qytetëruar do të na quajë barbarë.

No comments: