Monday, October 01, 2007

Shekulli -interviste me Ambasadorin grek ne Shqiperi

Arben Rrozhani
30-09-2007










Legalizmi i dokumenteve

Autoritetet greke ndodheshin shpesh para rasteve që lëkundnin nocionin mbi origjinalitetin e dokumenteve, çertifikatave, vërtetimeve që lëshoheshin nga Bashkia, komuna, gjendje civile etj. Probleme mjaft të njohura, mjafton të kujtojmë se çfarë u tha, çfarë u shkruajt dhe çfarë u diskutua edhe gjatë zgjedhjeve të fundit lokale

INTERVISTA Konstandino Kokosis, ambasador i Greqisë në Tiranë

Shqipëri-Greqi, ja kush i trazon marrëdhëniet

Prej gati dy vitesh në Tiranë, si ambassador i Greqisë në Shqipëri, Konstandino Kokosis, thotë se ende ka probleme mes dy vendeve që pengojnë marrëdhëniet. Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, ambasadori Kokosis rendit problemet, veçanërisht në zonat e minoritetit, shpjegon pse Greqia nuk e ka ratifikuar ende MSA-në me Shqipërinë dhe si do të aplikohet liberalizimi i vizave.

Z.Ambasador, po bëni gati dy vite me shërbim në Shqipëri. Si do ta komentonit këtë periudhë kohore në postin e ambasadorit të Greqisë në Shqipëri?

- Ka kohë që marrëdhëniet dypalëshe gjenden në periudhë pjekurie. Besoj se edhe në të kaluarën oshilacione kishim, sipas rastit, pa përjashtuar dhe tensionet, diçka e ngjashme me shpërthimet e moshës së adoleshencës. Këto tashmë kanë marrë fund. Në mënyrë të pakthyeshme. Nuk është vetëm fakti se në rrafsh politik eksperienca nga e kaluara na ka treguar rrugën e drejtë. Eshtë kryesisht fakti se dy popujt, që kur perdja e hekurt i largoi me dhunë nga ecuria e tyre e gjatë dhe shumë shpesh e përbashkët, kanë në fondin e tyre plot pesëmbëdhjetë vjet që ia kaluan bashkë, herë me vështirësi, herë në mënyrë krijuese, herë me mirëkuptim dhe herë të tjera me kundërvënie. Por fakti se me gjithë ato që përmenda, këta popuj u gjendën prapë afër njëri-tjetrit, tregoi qartë atë që në fund të fundit ka rëndësi në marrëdhëniet e njerëzve, por edhe të popujve: mirëkuptimi dhe njohja reciproke dhe në fund farkëtimi i marrëdhënieve njerëzore të cilët ndërtojnë lidhje për të nesërmen, më të mira për brezat pasardhës. Kështu që në këto dy vjet, edhe një vëzhgues i thjeshtë qoftë, ka ndjesinë, bindjen do të thosha, se më së fundmi urat midis nesh janë hedhur tashmë fort dhe nga këto ura kalojnë të rinj, punëtorë, shkencëtarë, biznesmenë, njerëz të artit, udhëtarë, së bashku sigurisht me kuadro qeveritarë dhe delegacione. Më besoni, këta të fundit, thjesht rikonfirmojnë ato gjëra që kanë arritur të mëparshmit.

-Greqia është partneri i dytë tregtar i Shqipërisë, shumica e bankave të nivelit të dytë janë me kapital grek, mbi 600 mijë shqiptarë punojnë dhe jetojnë në vendin tuaj. Qeveria e z.Berisha dhe ajo e z.Karamanlis janë dakort për shumë çështje. Në çfarë niveli janë marrëdhëniet politike aktualisht, duke patur parasysh se nuk ka shkëmbime vizitash të nivelit të lartë, në rang presidenti, kryeministri dhe ministrash?

- Nuk duhet që prej konjukturave, shumë të zakonshme për vendet demokratike të epokës sonë, të krijohet përshtypja, p.sh., për mungesë “të një vizite të nivelit të lartë’’. Periudha e zgjedhjeve vendore në Shqipëri, procedurat per zgjedhjen e Presidentit të Republikës dhe tashti së fundmi zgjedhjet parlamentare në Greqi, normalisht që “sollën mbrapa në kohë’’ planifikime vizitash të cilat, sigurisht që nuk do të vonojnë. Bile, një gjë e tillë nuk është dhe e saktë, përderisa një vit më parë u realizua vizita veçanërisht e sukseshme e z. Berisha në Athinë së bashku me disa ministra, vizitë që ishte diçka më shumë se e sukseshme. Të njëjtën gjë do të thosha dhe për vizitën këtu të ministrave Grekë të Zhvillimit dhe të Çështjeve Sociale. Marrëdhëniet kanë arritur pra një përparim të rëndësishëm, ecuria e tyre është vazhdimisht në ngjitje dhe niveli i sotëm ravijëzon pikërisht atë kuadër, brenda të cilit do të përballohen vështirësitë, normale për një spektër kaq të gjerë dhe të dendur bashkëpunimi që karakterizon të gjitha fushat, pa asnjë përjashtim.

Po marrëdhëniet ekonomike, a janë në nivelin e duhur?

- Niveli i marrëdhënieve ekonomike është pasqyrë e atyre paraardhëse. Sot vëllimi i shkëmbimeve i kalon 500 milion euro. Dhe pikërisht këtu ndodh ajo që u përmend më lart: Pas brezit të parë të tregtarëve, të biznesmenëve, të punëtorëve dhe të investitorëve, pasoi një brez i ri, por ndërkohë u ngrit në një nivel më të lartë e u përmirësua edhe brezi i parë. Biznesmenët e vjetër u lidhën me vendin, e njohën më mirë dhe përmirësuan prodhimin dhe rendimentin e tyre. Investitoret nuk kufizohen tek e sotmja, tek rastësorja, por interesohen për investime strategjike në energji, në sektorë të zhvilluar të shërbimeve, sic është shëndetësia, apo arsimi dhe të mos harrojmë dhe sektorin bankar apo të komunikimit. Por totali i investimeve është mbresëlënës për madhësinë që kanë dy vendet tona: afër një miliard euro.

Por do të dëshiroja të nënvizoj edhe diçka tjetër, mendoj shumë domethënës: ekziston një numër shumë i rëndësishëm, pothuaj 300, i atyre që quhen biznesmenë të vegjël dhe të mesëm, të cilët vazhdojnë të kontribuojnë gjithnjë e më shumë për marrëdhëniet tona ekonomike. Këta njerëz jo vetëm që janë shumë shprehës të natyrës dhe të strukturës të marrëdhënieve tona ekonomike, por janë këta para së gjithash që vijnë më afër, bashkëpunojnë dhe kuptojnë më mirë njëri-tjetrin. Janë pararojë e vërtetë, pionierë.

-Greqia ka premtuar se do të mbështesë afrimin e Shqipërisë në strukturat euroatlantike. Por ajo, megjithëse vend fqinj, nuk e ka ratifikuar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, marrëveshje që e kanë nënshkruar shumë prej vendeve të tjera të BE-së. Sipas jush cili është motivi dhe mund të shpresohet që këtë ta bëjë parlamenti idalë pas zgjedhjeve të reja parlamentare?

- Nuk ishte vetëm në Greqi por dhe në vende të tjera komunitare u konstatuan disa gabime në përkthimin e teksteve që me të vërtetë dhe të shumta, dhe teknikisht të ndërlikuara janë. Si rezultat u vu re një farë vonese.Më pas erdhi shpërndarja e Parlamentit Grek per zgjedhjet dhe kemi tashmë një Trupë të re. Qëndrimi grek, i shprehur shumë herë dhe në rrethana të ndryshme, është pa lëkundje në favor të ecurisë së Shqipërisë drejt institucioneve euro-atlantike. Me fjalë më të thjeshta: qasja më e ngushtë dhe integrimi strukturor i vendit në ndërtesën europiane, përfshirë këtu dhe dimensionin atlantik, i cili gjithashtu ka rëndësi për sigurinë më të gjerë të rajonit. Nuk duhet harruar se ishte Presidenca Greke në BE në vitin 2003 dhe Axhenda e njohur e Selanikut, ato që sanksionuan në Takimin e Nivelit të Lartë rrugën e të gjithë Ballkanit drejt Europës. Dhe Shqipëria sigurisht që ka vendin e vet. Edhe një sqarim tjetër : nga totali i shteteve anëtare të BE, deri tani vetëm dhjete shtetë kane ratifikuar Marrëveshjen e Asocim-Stabilizimit. Eshtë e sigurtë se Parlamenti i ri grek, me interesin e njohur për vendin dhe për marrëdhëniet dypalëshe, përfshirë këtu disa vështirësi dhe çështje pezull, do ta shqyrtojë në kohë këtë çështje.

Ambasada greke në Tiranë apo konsullatat nëpër Shqipëri presin dhe përcjellin mijëra shqiptarë për viza udhëtimi, pune apo për arsye të tjera në shtetin helen. Duke iu përmbajtur kushteve të Traktatit të Shengenit, sa do të përfitojnë shqiptarët nga liberalizimi i vizave për në Greqi?

- Mund të duket si e çuditshme, por është absolutisht e vërtetë. Marrëveshja që u nënshkrua këto ditë midis BE dhe Shqipërisë për lehtësimin e vizave, përmban dispozita apo modalitete që zbatohen ndërkohë prej autoriteteve greke. Për shembull, anëtarët e OJQ-së, marrin viza pa pasur nevojë për gjithë ato dokumente që kërkonte deri tani sistemi Shengen. Biznesmenët dhe shoferët e autobuzëve dhe TIR, merrnin viza afatgjata me shumë kalime duke u kerkuar shumë më pak dokumente se sa duheshin.

Dhe të gjitha këto në momentin që jo vetëm akordojmë mbi 40.000 viza në vit, por që t’u mundësohet vajtja apo dhe vendosja në Greqi anëtarëve të familjeve të shqiptarëve të punësuar ligjërisht në Greqi, janë akorduar, posaçërisht për këtë kategori, një numër shtesë prej gati 10 mijë vizash të tjera. Janë fakte të cilat disa nuk dëshirojnë që t’i njohin. Por sidoqoftë, mjafton që vetë të interesuarit edhe e njohin këtë realitet, edhe përfitojnë prej tij.

Duhet nënvizuar dhe një element tjetër, domethënë fakti se Qeveria Greke në mënyrë të përsëritur u jep shanse të huajve (qytetarëve Shqiptare) në vendin tonë që të fillojnë një jetë të re. Siç e kuptoni, bëhet fjalë për të gjithë ata që u gjenden në Greqi në mënyrë të paligjshme. Pala greke nuk priti Marrëveshjen që përmendet, për të adoptuar këtë mase. Mbase nuk dëgjohet, apo mbase nuk theksohet mjaftueshëm kjo gjë në Shqipëri, qëllimisht apo për mosnjohje. Por kur të pyeten vetë Shqiptarët – refugjatë deri para pak kohe – që fillojnë një jetë te rë e legale në Greqi, do të kenë për t’ ju thënë shumë gjëra.

Duke respektuar Konventën e Hagës, Ministria juaj e jashtme ka vendosur që legalizimet e dokumenteve të emigrantëve shqiptarë, i cili ishte kryer më parë në ambasadën shqptare në Athinë, të bëhet në ambasadën greke në Tiranë. Cilat ishin arsyet që e shtynë Greqinë për këtë vendin që ka kosto të rëndë financiare dhe humbje kohe për emigrantët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në shtetin grek?

- Kur Shqipëria aderoi në Konventën e Hagës për thjeshtëzimin e procedurave burokratike, si të legalizimeve (e njohur dhe si çështja apostile), disa vende europiane, mes tyre dhe Greqia, shprehen rezerva, duke e njohur mirë gjendjen këtu, por dhe duke pasur dhe interes të drejtperdrejtë, për shkak të vëllimit të shkëmbimeve, të njerëzve, të mallrave, të shërbimeve që lëvizin etj. Deri tani autoritetet greke ndodheshin shpesh para rasteve që lëkundnin nocionin mbi origjinalitetin e dokumenteve, çertifikatave, vërtetimeve që lëshoheshin nga Bashki, komuna, gjendje civile etj. Probleme mjaft të njohura, mjafton të kujtojmë se çfarë u tha, çfarë u shkruajt dhe çfarë u diskutua edhe gjatë zgjedhjeve të fundit lokale. Kohët e fundit, përsa i përket Greqisë, kemi një gjë të re: një numër të madh shtetasish Shqiptarë të cilët, ose përpiqen të përfitojnë shtetësinë greke (dhe këtu nuk bëhet fjalë vetëm për anëtarët e Minoritetit Grek) , ose përpiqen të sjellin në Greqi anëtarë të familjeve të tyre. Këta persona ndjekin një procedurë që kërkon një sërë dokumentesh. Për më tepër, ekziston një numër gjithnje e më i madh personash (sezonalë apo të tjerë), d.m.th. punëtorësh që dëshirojnë të shkojnë ligjërisht në Greqi. Janë të gjithë këta njerëz – natyrisht janë shumë – që dëshirojnë të plotësojnë procedurën e domosdoshme, duke siguruar dhe legalizuar të gjitha llojet e dokumenteve të duhura. Përshtypja jonë është se ata që disponojnë të gjitha dokumentet e duhura, preferojnë legalizimin nga autoritetet autentike sipas procedurës së mësipërme, në vend të pasojave nga vështirësitë (p.sh. në bashkimin familjar) që do të lindnin në një fazë të mëvonshme, për shkak të një dokumenti jo autentik, të falsifikuar.

Dhe së fundmi, cilat janë problemet që trazojnë ende marrëdhëniet mes dy vendeve?

- U theksua dhe më lart: spektri dhe dendësia e marrëdhënieve, normalisht që krijon probleme, keqkuptime, vështirësi. Për shembull: numri i kompanive që ndeshin vështirësi tek autoritetet administrative apo tatimore dhe disa herë zgjidhjet vonojnë pa shkak. Diçka e tillë i helmon mendimet e biznesmeneve dhe krijon probleme për jetëgjatësinë e ndërmarrjeve, megjithë qëndrimin e deklaruar të autoriteteve për investime. Kemi të bëjmë me një sërë rastesh që nuk kanë të bëjnë tashmë me kuadrin dypalësh të marrëdhënieve, por me kuadrin europian. Dhe kjo ka rëndësinë e vet. Eksiston dhe kapitulli i veçantë i Minoritetit Etnik Grek, ashtu siç është sot. Do të ishte jo e sinqertë të anashkalonim ato që janë bërë në dhjetëvjeçarët e fundit, siç është dalja e autoriteteve lokale, prezenca e deputetëve në Parlamentin Shqiptar por dhe e ministrave dhe funksionarëve të tjerë në aparatin shtetëror. Por besoj se ka një deficit, qe ka të bëjë ose me zbatimin e disa rregullave, ose me mosekzistencen e kuadrit ligjor.

Ishte deziluzionuese tashti së fundmi për shembëll, një sërë oficerësh policie me eksperiencë, që kishin mundësi dhe me të vërtetë kontribuan për shtetin dhe për rajonin e minoritetit, të lirohen në shifra të tilla që as raportii këtyre njerëzve në Polici e justifikonte, as ndonjë gabim nga ana e tyre e impononte. Ashtu siç nuk ishin normale shembjet selektive të shtëpive në Himarë, në kohën që çështjet e tyre ishin në proces tek autoritetet kompetente të shtetit. Çështja e kthimit të pronave, e cila në të vërtetë është problem për gjithë njerëzit, është problem madhor dhe për Minoritetin.

Ekziston akoma çështja shumë serioze e arsimit në minoritet. Nuk ishte e rastit që vetë Kryeministri e vuri ne dukje. Një detyrim i shtetit shqiptar, sigurisht, kundrejt gjithë fëmijëve të vet, por dhe atyre të minoritetit. Fëmijë të vegjël pa libra, me shënime të shkarravitura në tekste që u ka kaluar koha.

U përmend dhe çështja që rezulton nga mungesa e kuadrit të nevojshëm ligjor. Nuk mund të kuptohet, pas rrëzimit të rregjimit të mëparshëm, të mbahet akoma në këmbë dhe të mos rregullohet apo të mos njihet e drejta e minoritarëve të gëzojnë të drejtat e tyre, atje ku brez pas brezi jetuan dhe krijuan, duke iu referuar arbitrariteteve apo paramendimeve të së kaluarës, të cilat sot vijnë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me një sërë angazhimesh ndërkombëtare.

Në çdo rast, problemet mund dhe duhet të zgjidhen, shumë më tepër sot që Shqipëria ka marrë rrugën drejt Evropës. Udhëheqjet e njohin gjendjen dhe konstatohet se drejt asaj dëshërojnë të ecin. Mbase disa të tjerë dëshërojnë të jetojnë me stereotipe të vjetra, mbase ngaqë nuk e kanë kuptuar se çfarë ka ndodhur ndërkohë, apo mbase synojnë të fitojnë auditor që do t’ i dëgjonte me vëmendje. Por për fat të mirë të të dy vendeve, fenomene të tilla, edhe në rastet kur mbushin faqet e para, edhe në rastet kur shfaqen për minuta të tëra nëpër ekrane, besoj se ndikojnë në një pakicë, në masën dhe në numrin që njihej që më parë se do të ndikoheshin. Shumica e njerëzve, qoftë për faktin se në një mënyrë ose në një tjetër ka vajtur në Greqi, qoftë për faktin se nuk ka shtëpi apo familje që të mos ketë një të afërm atje, apo për faktin se një numër gjithnjë e më i madh shqiptarësh punojnë, apo bashkëpunojnë, apo më thjesht akoma jetojnë bashkë, afër me tjetrin, me grekun, për këto arësye pra, shumica e di se të gjithë përparojnë dhe lumturohen së bashku, brenda së njëjtës hapësirë, me kaq gjëra të përbashkëta dhe ato pak (normale është) dallime.

Bisedoi: Arben Rrozhani

No comments: