Thursday, November 15, 2007

Grabitja e Himares e pare me syte e "Gazetes Shqiptare

(post by S. Marko)


Nga Greqia Aleksandër Marku

Gazeta Shqiptare

14/11/07

Çështja e Vorioepirit rikthehet në opinionin grek. Kësaj radhe me çështjen e pronave. Kjo çështje ka

filluar të rihapet ditët e fundit në shtypin grek, I cili pretendon për tjetërsimin e pronave të

vorioepiriotëve, sipas tyre.

Akuzat

Pas shkrimeve të disa gazetave dinjitoze të vendit si, “Eleftherotipia”, “Ethnos” dhe “Ta Nea”, ka qenë dje

gazeta “Kathimerini”, që me një artikull tepër të detajuar ka përshkruar se si minoritarët e Shqipërisë së Jugut po humbin pasuritë e tyre, ose më saktë po ua rrëmbejnë sipas ankesave të shoqatave të minoritarëve në Greqi. Ndërsa ka pasur edhe raste që megjithëse vendimet gjyqësore kanë qenë në favor të minoritarëve grekë, përsëri ligji nuk është zbatuar dhe nuk u është kthyer pasuria. Në të njëjtën kohë, kur dhjetëra vendime të tjera gjyqësore japin të drejtën e pronësisë tek shtetas të tjerë shqiptarë. Si shembulli më konkret për këto raste, nga “Kathimerini” merret zona e Himarës. Sipas gazetës në fjalë, “rrëmbimi I tokës së vorioepiriotëve bëhet me metodën klasike të shtypjes dhe detyrimit, madje edhe për ato toka që kanë akoma karta pronësie që para vitit 1945. Në këtë zonë nuk shkelën otomanët dhe toka ishte e ndarë nëpërmjet himariotëve, minoritetit grek dhe kishës, - shkruan gazeta. Por sipas Sekretarit të Përgjithshëm të Lidhjes së Himariotëve, Fredi Beleri, pas rënies së sistemit të Enver Hoxhës nuk u krye kthimi i pasurive dhe i tokës, ashtu siç ndodhi në shtetet e tjera të Lindjes tek pronarët e parë, dhe si rezultat i kësaj moszgjidhjeje të çështjes, filloi rrëmbimi i pasurive.

“Tek minoriteti grek në Shqipëri, në zonat e Sarandës, Gjirokastrës dhe Dropullit, ky rrëmbim bëhet me anën e dy ligjeve, - citon artikullshkruesi, - që përjashtojnë ndarjen e drejtë midis pronarëve minoritarë. Dihet që në periudhën e Perandorisë Otomane, toka ishte në pronësinë e agallarëve të ndryshëm. Në vazhdim ajo i kaloi shtetit komunist. Po më pas, toka në Shqipëri ndahet sipas përbërjes së popullsisë (ku pa dyshim, shumica janë shqiptarë, se shumica e vorioepiriotëve kanë mërguar) dhe jo sipas historisë. Përfundimi është se minoritarët grekë ngelën pa tokë dhe kjo është në thelb një lloj dëbimi i tyre”. Ashtu siç thekson kryetari i Forumit të Vorioepiriotëve, Alqi Papas, ndërsa në 1995-ën kryebashkiakët e Sarandës, Delvinës, Himarës dhe Gjirokastrës ishin grekë, dhjetë vjet më pas, vetëm ai i Himarës është grek, madje edhe ai “grek me zor”. Për të gjithë shembujt ku janë krijuar shkelje, janë kryer ankesa pranë zyrave të shtetit shqiptar, të ambasadës greke në Tiranë, të zyrës së BE-së si dhe të ambasadës amerikane.

Rastet

Madje, gazeta ka publikuar edhe disa prej shembujve për “rrëmbimin e tokave të minoritarëve grekë”. Në Dhërmi, me vendim të Këshillit të Ministrave në kohën e qeverisë Meta më 2001-in, i është dhënë firmës «Kamberi» një sipërfaqe prej 400.000 m2, që të dëmshpërblente ata që kishin humbur paratë tek kjo skemë piramidale, ndërsa aksioneri kryesor i firmës ishte mik politik i Ilir Metës.

Në fshatin Nivicë, në zonën Kakomea u dha në kohën e qeverisë Nano tek firma “Mediteraneo”, një sipërfaqe prej 50.000 metrash katrorë.

Në Dhërmi, vëllai dhe dhëndri i Zabit Brokajt, ish- deputet i socialistëve dhe ish-ministër i Mbrojtjes në vitin 1992, kanë marrë pronën e familjes Zhupa.

Pas një gjyqi prej shumë vitesh, familja Zhupa fitoi në Gjykatën e Lartë, por pasuria nuk u është kthyer akoma pronarëve.

Në 26 shtator në Himarë, në zonën e Porto-Palermos u zbulua se një sipërfaqe prej 8.500 metrash katrorë ka shkuar me vendim gjyqësor në pronësinë e Anastas Canit, me origjinë nga kjo zonë, por banor tashmë në Tiranë.

Cani e bazoi të drejtën e tij për pronësi në një kërkesë që kishte bërë një paraardhës i fisit të tij në vitin 1938, ndaj bankës së Romës, për të marrë kredi për blerjen e një sipërfaqeje toke. Dihet që kryebashkiaku Bollano e ka çuar çështjen në Gjykatën e Shkallës së Parë. Por, Gjykata e Apelit e legalizoi çështjen pa u thirrur për të dëshmuar Bashkia e Himarës, pronarët dhe Zyra e Pronave. Bashkia e Himarës dhe PBDNJ-ja e kanë denoncuar publikisht vendimin.

Gjithë historia filloi sipas vorioepiriotëve që shprehen për “Kathimerini”, kur shoqëria austriake «Rogner» shfaqi dëshirën të ndërtojë në këtë zonë një fshat turistik. Përfaqësues të saj u takuan me Kryeministrin që ishte dakord me investimin, por kishte një problem, se sipërfaqja ishte pronë e 150 himariotëve dhe do të kishte vështirësi në ndërtimin e këtij fshati në këto toka. Zgjidhja u gjet tek z.Cani, i cili pretendon se është pronari i kësaj sipërfaqeje.

Por, pengesë për ndërtimin ka shfaqur edhe kryebashkiaku i Himarës Bollano, i cili është ndodhur shpeshherë nën presion. Konkretisht, Arka e Shtetit shqiptar ka një llogari prej 450.000 eurosh, të cilat i jepen çdo vit Bashkisë nga taksat dhe buxheti i shtetit.

Gjithashtu para dy vjetësh, Banka Botërore kishte aprovuar për llogari të Bashkisë, tri vepra me një vlerë 2.500.000 euro. Por, megjithëse veprat do të fillojnë së shpejti, në një vizitë të një grupi të bankës në zonë, u bë e njohur se nuk do të fillohet ndërtimi i tyre, nëse Bashkia e Himarës nuk aprovon gjithë skemën turistike të zonës. Dhe “Kathimerini” përfundon, duke theksuar se përgjegjësi i Bankës Botërore për Shqipërinë, është dhëndri i Kryeministrit shqiptar, Sali Berisha.

No comments: