Wednesday, November 14, 2007

Kufiri real i durimit.

Do të doja te nisja këtë shkrim nga fraza e fundit e artikullit të z.Nesturi; “Problemi qëndron nëse e ardhmja parashikon zbutjen e mosbesimit ndaj shtetit apo acarimin e mëtejshëm.”.

Nëse frazën e mësipërme të z.Nesturi e parashtrojmë si pyetje, cila do të ishte përgjigja?
Është një pyetje që ia kam bërë vetes shumë herë dhe kam përshtypjen se përgjigja, është shpesh e kondicionuar nga zhvillimet e momentit, nga ngjarjet aktuale, pra nga parametri moment. Po me zgjerimin e parametrit moment, kur ky mer përmasa kohore, ose e thënë më thjesht, me kalimin e kohës, ose me qartë akoma duke i parë zhvillimet në një spektër më të gjerë kohor, kuptoj që përgjigja e pyetjes së mësipërme, është më e thjeshtë për tu dhënë.

Praktikisht për cfarë bëhet fjalë? Bëhet fjalë për një popullsi minoritare, për një popullsi autoktone minoritare që zotëron, mbron dhe trashëgon ne shekuj gjuhën, historinë, zakonet, kulturën, besimin fetar dhe pronat e veta. Është një popullsi që në cfarëdo libër historie ku mund të shkruhet, vevse e pasuron atë libër. Një popullsi të tillë minoriteti, çdo shtet nuk do ta kishte zili. Kush nuk do ta donte një minoritet të tillë? Kush nuk do të donte të mburrej me të? Teorikisht, përgjigja do të ishte “askush!”. Po ekziston një vend, një vend që po përpiqet të çmontojë gjithë hisorinë e këtij minoriteti, një vend që u mohon përkatësinë etnike, një vend që u mohon gjuhën, një vend ku te gjitha organet e shtypit vjellin vrerë kundër kishës së kësaj popullsie, një vend që kërkon ta përzërë ose në rastin më të mirë ta përzjejë këtë popullsi, një vend që ka mbi 50 vjet që po e grabit rregullisht këtë popullsi.

Ky vend quhet Shqipëri. Kjo popullsi quhet Himariote.
Ka ndonjë shpjegim të llogjikshëm kjo që ky vend po bën kundër kësaj popullsie? Si mund të shpjegohet llogjikisht fakti që një piktor, po pikturon mbi një kuadro të Van Gogut? Dy janë përgjigjet; ose piktori është komplet idiot, ose po bën shejtan-budallain dhe kërkon të paraqesë si të vetin një krijim të Van Gogut. Kjo e dyta është edhe më e mundshmja dhe sjelljet e alternuara, ku në një moment kërkon tu shtojë ndonjë mollë pikturave të artistit të madh e here kërkon thjesht ti ndërrojë emrin në fund kryeveprës, vërtetojnë hapur këtë gjë. Cilat janë efektet e një veprimi të tillë? Vang Gogu qesh nga varri, ndërsa shejtan-budallai demaskohet nga të gjallët jo vetëm si idiot, por edhe si element i rezikshëm për shoqërinë. A nuk po ndodh kjo me Shqipërinë? A nuk është demaskuar shqipëria si shejtan-budallai i radhës nga vendet demokratike?

Le të vazhdojmë më tej. Qeveria shqiptare ka bërë sot një ligj për të përndjekurit politikë. Të përndjekurit politikë, deklarohen kundër këtij ligji. Qeveria shqiptare ka bërë një ligj për pensionet. Pensionistët janë kundër këtij ligji. Qeveria shqiptare ka bërë një ligj elektoral. Elektorati është kundër këtij ligji. Qeveria shqiptare ka bërë një ligj për pronat. Pronarët janë kundër këtij ligji. Atëherë çfarë duhet të bëjmë ne himariotët? Të lutemi që qeveria shqiptare të mos bëj një ligj për minoritetin? Apo të mendojmë me naivitetin e një fëmije se qeveria shqiptare, do bëj një ligj për ne, me të cilin ne do jemi plotësisht dakort?

Nëse do të kisha edhe unë naivitetin e një fëmije, atëherë pyetja e z.Nesturi do të merrte prej meje përgjigjen “e ardhmja parashikon zbutjen e mosbesimit”, po duke qënë se edhe fëmija im, nuk e jep këtë përgjigje, nuk më mbetet vecse të besoj në një acarim të mëtejshëm të situatës. Problemi është se si do jetë dhe ç’forma do të ketë ky acarim?

Ftoj z.Nesturi dhe cilindo himariot, të japin mendimet e tyre rreth përseve të një zbutjeje ose formave që mund te ketë acarimi.

Edvin Kyritsis.

No comments: