Wednesday, November 28, 2007

Mbi "poligaminë" politike

Nga Rexhep Meidani*

27-11-2007

Në një takim ndërkombëtar, duke analizuar ecurinë e ngadalshme të procesit të demokratizimit në disa vende të Lindjes së Mesme, një nga specialistët politikë të këtij rajoni, në specifikimin e situatës në disa vende të rajonit e përcaktoi sistemin politik-institucional aty si "poligami politike" apo si "regjim poligamik", në duart e një njeriu të vetëm të plotfuqishëm (mbretit, presidentit gati të përjetshëm apo të "trashëguar", etj.). Në një dëgjim të parë, ky lloj klasifikimi m'u duk i çuditshëm, bile tepër ekstravagant. Por, duke e analizuar me kujdes përmbajtjen e tij, ai term rezulton se e mishëron më së miri nivelin e emancipimit shoqëror dhe të demokratizimit institucional në këto vende, ku rolin e ligjit dhe të fuqisë së tij e luan vullneti e humori, truri dhe fjala e një njeriu, që ka grumbulluar në duart e tij të gjithë pushtetet. Me fjalë të tjera të gjithë institucionet e shtetit janë aty, në një kuptim tejet primitiv, "gratë" e nënshtruara të këtij "superburri udhëheqës"...

Por, me këtë lloj "terminologjie" ekstravagante, si do të klasifikohej situata aktuale në Shqipëri? Përpara se të përpiqemi të gjejmë përgjigjen, le të ndalojmë pak në kuptimin e zakonshëm të fjalës poligami.

***

Kuptimi i fjalës poligami e ka origjinën në greqishten e vjetër dhe konkretisht në termin polygamy, që do të thotë martesë e shumëfishtë. Rasti i veçantë i saj është bigamia, që është rasti më i thjeshtë i poligamisë kur një burrë martohet apo ka lidhje, deri dhe fëmijë me dy gra njëkohësisht. Në disa vende të zhvilluara kjo lidhje, sipas Kodit Penal, është e dënueshme, madje në territorin e SHBA-së ajo është ndaluar me ligj që në vitin 1862. Po kështu dhe kisha katolike sot e dënon ashpër poligaminë, pavarësisht ekzistencës së disa sekteve (p.sh ato mormoniste), që vazhdojnë ta mbrojnë dhe zhvillojnë atë.

.......

***

"Çifti" normal (zyrtar) në çdo shtet demokratik është ai i mbështetur në shumicën qeverisëse. Pra, ai ka trajtën: pushtet ekzekutiv (qeveri)-shumicë parlamentare. Pushtetet e tjera, sipas mandateve kushtetuese dhe objektivave të tyre janë krejtësisht të shpërndara, me përzierje kohore mandatesh politikisht të rastit, deri dhe neutrale, por gjithmonë ligjërisht të pavarura.

Tek ne, nisur nga sa më sipër, u bë një përpjekje jo e vogël në vite për ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe të institucioneve të pavarura të tij, në bazë të dy mekanizmave bazë: ndarjes së fuqisë dhe kontroll-balancimit të pushteteve. Pa dyshim mund të bëhej edhe më shumë, edhe pse pushteti i lënë në duart e socialistëve ishte praktikisht i shkatërruar, me njerëz që e kishin

braktisur punën apo ishin larguar jashtë vendit.


Kështu, p.sh., pas një periudhe stabilizimi në krye të institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme u emërua një ish-kandidat për deputet i PD-së, në krye të institucionit të Kontrollit të Shtetit (sipas marrëveshjes së Sen-Exhidios) u zgjodh në fillim një kandidat i propozuar nga Balli Kombëtar, dhe më tej një përfaqësues i lartë dhe deputet i PR-së. Dhe mbi të gjitha, në vitin 2002, në detyrën e lartë të Presidentit të Republikës, u zgjodh një kandidaturë e propozuar nga PD-ja. Pa harruar përpjekje të shumta edhe në kushte bojkoti nga ana e PD-së, për të arritur balancime të arsyeshme në shumë nga strukturat e tjera të pavarura. Iu dha autonomia e plotë universiteteve dhe Akademisë së Shkencave, duke lënë thjesht një simbolikë nderimi, thjesht honorifike, të dekretimit të personave të zgjedhur nga bashkësitë përkatëse shkencore. Iu dha një shtysë e paparë lirisë së medias me licencimin e kanaleve private televizive e radiove private, etj. U krijuan për herë të parë institucioni i Avokatit të Popullit në mbrojtje të lirive dhe të drejtave të qytetarëve ndaj abuzimeve të administratës shtetërore, ai i Komisionit të Shërbimit Civil, disa ente rregullatore, etj. Ndërsa, për emërimet në strukturat e gjyqësorit dhe të prokurorisë ajo që konsiderohej ishte profesionalizmi (duke preferuar prurjet e reja nga Shkolla e Magjistraturës), dhe brenda njohjes apo "matjes" së kohës dhe integriteti i individit, por aspak afiliacioni partiak i tij. Nuk ishte e rastit, pavarësisht se çfarë komentohet e analizohet sot nga ata që nuk kanë memorie, që në krye të drejtësisë si ministër dhe më tej si nënkryetar u zgjodh Ilir Panda, një specialist mjaft i zoti, me një integritet moral dhe neutralitet politik, një i urtë i rrallë, me të cilin vështirë të krahasohet ndonjë tjetër.


Pa vazhduar më tej këtë lloj parade, që sot nuk ka më vlerë, le të kalojmë në atë që po modelohet aktualisht brenda shtetit shqiptar. Shihet qartë, gjatë gjithë kësaj periudhe 2 vjeçare, një përpjekje për të grumbulluar pushtetet në një dorë të vetme.

U sulmuan me radhë të gjithë institucionet e pavarur, në mënyrë verbale apo me veprime arbitrare, me hartime amendamentesh në të shumtën antikushtetues, u bënë pezullime jo ligjore mandatesh, u futën në veprim organe doganore e tatimore, etj. Sidomos në shënjestër u vu KLD-ja, kryetari dhe nënkryetari apo disa anëtarë të saj, disa nga gjykatat, Prokuroria e Përgjithshme, institucioni i kryetarit të shtetit; struktura të tilla si KKRT, KQZ-ja, Shërbimi Civil, Dhoma e Tregtisë dhe e Industrisë, Federata e Futbollit, disa televizione e media të tjera private, etj., deri kolonat e përjetshme të lirisë dhe pavarësisë: universitetet dhe Akademia e Shkencave. Dhe e gjitha kjo për të pushtuar dhe komanduar gjithçka, për ta zhdukur me anë të psikologjisë së frikës apo trysnisë tatimore zërin kundër, për të mbuluar dështimet, pse jo dhe korrupsionin që po lulëzon vrullshëm brenda familjes.

***

Dhe ku është arritur sot? Në një situatë realisht shqetësuese. Praktikisht është në proces zhvillimi intensiv cikli i dytë i poligamisë politike, sipas kuptimit të specialistit politik të përmendur në fillim të shkrimit. Kjo poligami politike do ta përmbyllë "cilësisht" të gjithë ciklin, përfshirë çdo fazë të saj, në pranverën e vitit 2008, duke uzurpuar dhe ç' ka mbetur në gjykata, sidomos në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese, apo dhe ndonjë "çikërrimë" tjetër, si p.sh., probabilisht dhe Bankën e Shqipërisë, që sado pak luan e pakënaqur kokën apo manifeston shfaqje minimale jo bindjeje.

Ende nuk mund të thuhet nëse një instalim i tillë i shpejtë i poligamisë politike ka bërë xheloz Llukashenkon e "paepur" në Bjellorusi, Çavezin "populist" në Venezuela, Putinin "këgëbëist" në Rusi apo Musharafin "ushtarak", që mund të humbasë gjithçka në Pakistan...

Por, ngado që ta marrësh, është një ecje e shpejtë prapa. Ajo do të kërkojë, në një të ardhme të afërt, përsëri kohë mjaft të vyer për riparim, prandaj, në thelb, është një humbje e madhe jo vetëm e thjesht për proceset demokratike, por dhe për vetë qytetarët shqiptarë. Dhe për fat të keq, ende reagimi qytetar është i dobët, sepse, ndoshta, nuk po kuptohet akoma se ajo që po instalohet në Shqipëri është realisht një poligami politike, e cila duke u ndërthurur apo duke e komanduar atë të zakonshmen, mund të bëjë dëme shumë më serioze, nga ç' mund të imagjinohet sot!...



* Ish President i Republikes se Shqiperise, politikan i moderuar dhe me vizion bashkekohor

1 comment:

Anonymous said...

Pse nuk thuhet me mire "po instalohet nje mbreteria ala -Berisha" dhe kjo i thote te gjitha.