Tuesday, November 06, 2007

Tekst nga protesta e himarjoteve ndaj grabitesve te Himares

AMBASADËS SË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË ATHINË

PËR DIJENI QEVERISË SË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

Athinë 5-11-2007

PROTESTË

Sot më datë 5-11-2007 jemi mbledhur për të protestuar para kësaj ambasade për abuzimet e mëdha që bëhen në Shqipëri me tokat e himarjotëve.

Padrejtësitë e regjimit komunist me kolektivizimin dhe shtetëzimin e tokave u thelluan me ligjin krejtësisht antidemokratik 7501 të vitit 1991 që u mohon tokën pronarëve të ligjshëm, krejtësisht absurd për krahinën e Himarës me pak tokë dhe historikisht pa litifondistë.

Serisë së ligjeve antidemokratike ju shtuan ata për trojet dhe të ashtuquajturit fshatra turistikë. Sipas këtij ligji për trojet objektet e ndërtuara mbi to u janë shitur personave jo himarjotë (dmth jo pronarëve të vërtetë të trojeve) duke synuar ndryshime demografike në dëm të himarjotëve. Sjellim si shëmbull Dhërmiun ku banorët e tij duhet ti marrin leje Zabit Brokës për tu larë në anë të detit.

Ligji tjetër i fshatrave turistikë i jep të drejtë qeverisë Shqiptare që të lidhë kontrata me shoqëri të huaja pa pyetur pronarët e ligjshëm te tokave. Janë të njohura përpjekjet e krahinës së Himarës në përgjithësi dhe të niviciotëve në veçanti për të penguar krijimin e fshatit turistik në Kakome. Njihen gjithashtu dhe manipulimet e politikës Shqiptare në Dhralea-Dhërmi në të cilën kanë futur thonjtë segmente të caktuara të politikës shqiptare.

Në fillim të këtij viti u bë masakër në plazhin e Jalit, në Vuno. Aty Qeveria Shqiptare rrëzoi vetëm ndërtesat e banorëve vendas, vunjotësve, pa cënuar ato të ardhësve nga krahina të tjera në Himarë. Të gjthë këto prishje selektive të drejtuar ndaj popullatës himarjote tregojnë piksynimin e Qeverisë Shqiptare për tjetërsimin e pasurisë së himarjotëve me përfitues mafien shtetërore dhe jo shtetërore të Shqipërisë për zhvillimin e turizmit në favor të tyre (kësaj mafieje).

Së fundi ka dalë në dritë akti më skandaloz i tjetërsimt të pasurisë së himarjotëve. Një qytetar me origjinë nga Kudhësi i Himarës, Anastas Cani pretendon nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara një sipërfaqe prej 860 hektarësh si trashëgimi e gjyshit të tij, në një kohë që në zonën tonë askush nuk ka disponuar sipërfaqe kaq të madhe.

Janë një sërë shkeljesh të kryera me asistencën e segmenteve qeveritare. Pretendohet se personi në fjalë ka një akt-blerjeje për këtë sipërfaqe dhe të firmuar me gisht (nga njerëz që tashmë nuk jetojnë, pra nuk mund të provohet vlefshmëria e gjurmëve të gishtave). Dokumentet e serviruara në gjykatë nuk janë aspak të noterizuara e megjithatë u konsideruan si prova dokumentare të rregullta. Më e keqja e këtij skenari grabitjeje është se shitësit e këtyre tokave janë Kuçiotë!! Pra Kuçiotët paskan pasur të drejtë të shesin tokat e himarjotëve, pa qënë pronarë të tyre!!!.

Janë 180 familje himarjote që janë pronarë ligjorë të këtyre tokave me dokumente të njohura nga shteti shqiptar si Hipoteka shqiptare e vitit 1940, aktet kadastriale të 1952 si dhe aktet e ndarjes së tokës pas 1991.

Gjykata shqiptare në dy shkallët e zhvillimit të saj, pa thirrur aspak bashkinë e Himarës siç e parashikon dhe ligji, me dokumenta fallco shpall pronar z. Anastas Cani, megjithë kundërshtimet e avokatit të shtetit.

Pronarët e vërtetë të këtyre tokave, të pa informuar për zhvillimin e këtyre gjyqeve që janë zhvilluar në mënyrë thuajse sekrete u njohën me grabitjen që u është bërë vetëm kur filluan punime ksebazimi për të ndërtuar në tokat e tyre. Në një kohë urgjent, me ndërhyrje drejtpërderjt nga Tirana pezullohen forcërisht këto punime. Kurrë ndonjëherë nuk është realizuar një ndërhyrje kaqë urgjente në qindra ndërtime pa leje në Himarë, dhe kjo dëshmon se pas Anastas Canit fshihen segmente të mafies politike.

Qeveria shqiptare nuk njeh akoma disa vendime në favor gjyqësore me tokat në Dhralea-Dhërmi në favor të disa pronarëve himarjotë dhe vazhon sorollatjen e pronarëve të saj realë. Kurse gjykimi i fundit, me prova materiale të pamjaftueshme dhe të fabrikuara në favor të Anastas Canit, njihet dhe mbrohet forcërisht nga qeveria shqiptare!!! A nuk dëshmon kjo edhe njëherë se pas Anastas Canit fshihet mafia politike e Shqipërisë ?

E njëjta strategji po ndiqet dhe për fshatrat e tjerë “turistikë” që planifikohen në krahinë si në Qeparo-Himarë, Shën Theodhor në Dhërmi etj.

Lidhja e Himarjotëve dhe Forumi i Epirit të Veriut organizojnë këtë protestë paqësore dhe demokratike për të mbrojtur tokat e himarjotëve nga uzurpatorët e tyre. Ata, me prapaskenë elementë të mafies politike, për 17 vjet rresht, kanë përdoruar një retorikë nacionaliste për të kamufluar skemën e grabitjeve duke e spostuar në këtë mënyë opinionin publik shqiptar larg problemit real esencial të grabitjeve dhe të përfitimeve në favor të tyre dhe shoqërive multinacionaliste. Nuk përfiton Shqipëria nga skema të tilla manipulimi në një kohë që ende infrastruktuara rrugore është ajo e 1914, përfituesit e vërtetë janë agallarët e rinj të Shqipërisë.

Nëpërmjet këtij mitingu kërkojmë nga Shteti Shqiptar

  1. Ti ndalet dora agallaro-mafies së re politike dhe të denoncohen farsat gjyqësore si ajo e Anastas Canit.
  2. Ti jepet fund tjetërsimit të pronave himarjote.
  3. Tu njihet himarjotëve prona personale dhe kolektive në kufitë e vitit 1945.
  4. Shteti të jetë rregullator për zhvillimin e turizmit dhe jo pronar.
  5. Tu njohë pronarëve të ligjshëm të drejtën për kontraktime drejtpërdrejt me firma ndërtuese turistike
  6. Të zhvillojë infrastrukturën duke bashkëpunuar me qeverisjen vendore të Himarës.

Himarjotët janë të vendosur të mbrojnë trojet e tyre me çdo çmim.

Forumi i Epirit të Veriut, Lidhja e Himarjotëve Kollokotroni 44, Athinë

No comments: