Thursday, November 08, 2007

Tendenciozitet dhe injorancë.

Shtypi shqiptar vuan dukshëm nga anësia në trajtimin e çështjeve. Kjo e pashkëputur nga niveli i ulët profesional, që e ushqen dhe e zmadhon edhe më tepër këtë tendenciozitet. Një nga fushat ku kjo duket më hapur është edhe ajo fetare dhe veçanërisht në trajtimin e çështjeve që kanë të bëjnë me Komunitetin Orthodhoks. Kjo duket si në heshtjen mbi ngjarjet dhe veprimtaritë e rëndësishme ashtu edhe me trajtimin skajshëm tendencioz të tyre.
Të përziera të gjitha këto jo thjesht me injorancën, por me mungesën e dëshirës për të mësuar të vërtetat historike. Kështu, kohët e fundit po flitet shumë për shtrembërimet që i janë bërë historisë sonë në periudhën e komunizmit, por kur vjen fjala për Kishën përdoren me kokëfortësi klishetë e rreme që ai krijoi për besimin e klerikët, duke mbyllur sytë edhe përpara të vërtetave historike që tani janë të qarta për këdo, besimtar ose jo.
Gjendja është edhe më keq kur flitet për kanonet dhe ligjet që drejtojnë jetën e një komuniteti fetar. Laiku bëhet prift, prifti dhespot dhe dhespoti... laik...
Kështu, një mashtrues, që i leverdis disa politikave të nacionalizmit primitiv, mund të trajtohet me pafytyrësi jo vetëm si “prift”, por edhe deri si “episkop” e kryetar kishe dhe askush nuk shqetësohet kur ai vjedh komunitetin apo e kthen pagëzimoren e kishës në tualet!... Emblematike për këtë sjellje ishte dita e përurimit të terrenit sportiv të Institutit të Riedukimit “Ali Demi” (burg i sigurisë së ulët). Gjatë një vizite në dhjetor Kryepiskopi Anastas, pasi kishte
dëgjuar nevojat e tyre, u kishte premtuar ndërtimin e një terreni sportiv. Pas disa muajsh ai u bë realitet dhe ishte i parametrave bashkëkohorë, me një investim prej rreth 20 mijë USD. Me rastin e përurimit ishin ftuar dhe mediat, të cilat megjithëse ishin të pranishme, pothuajse nuk dhanë asgjë për kontributin e Kishës, por vetëm intervista për çështje të tjera politik(intervistuan të gjithë funksionarët, për çdo gjë, por jo episkopin orthodhoks, që preu shiritin në emër të Kishës...).
Por kjo nuk ishte thjesht një mungesë profesionalizmi, pasi disa ditë më pas këto media i dhanë vend të gjerë disa shpifjeve ordinere të mashtruesit Nikolla Marku, duke treguar qartë një farë alergjie ndaj Komunitetit Orthodhoks dhe preferencë vetëm për ata që hedhin baltë mbi të. Tipike, për shembull, për këtë është gjithmonë gazeta “Republika”, e gatshme të botojë çdo gjë që flet keq jo vëtëm për Kryepiskopin Anastas, por në përgjithësi për Kishën Orthodhokse. Apo gazeta “Shekulli”, që jo vetëm preferon shkrimet antiorthodhokse, por megjithëse botonm gjithfarë e-mailesh e reagimesh nga lexuesit, injoron sistematikisht ato që mbrojnë Kishën etj.
Th.Dh.

No comments: