Sunday, November 11, 2007

Anës bregut… i grabitur


Plator Nesturi

Ka mafie në Palermo të Siçilisë, por ka edhe Porto Palermo të Himarës që kërcënohet nga një tjetër mafie. Ajo e tokave. Është ky shqetësim i himariotëve, pra se po grabiten në atë çfarë ata e quajnë më të shenjtë - pronën, që i ka ngritur në protesta dhe të deklarojnë se edhe do të vetëflijohen për të mbrojtur pronat e tyre. Ka qenë një vendim i formës së prerë të Gkykatës së Vlorës që i njeh të drejtën e pronësisë shtetasit Anastas Cani për 860 ha në zonën e Porto Palermos, që ka ndezur shkëndijën e indinjatës për banorët e kësaj treve. Në bazë të deklarimeve të tyre një vendim i tillë është tërësisht i padrejtë dhe i hap rrugë uzurpimit të një sipërfaqeje ku janë pronarë jo pak por 180 familje nga Himara dhe Qeparoi.


E shtrirë midis këtyre dy fshatrave, kjo sipërfaqe ku dikur në vitet 70 ishte ngritur baza ushtarake dhe pranë se cilës ndodhet edhe kalaja e Ali Pashës, përbën një zonë të lakmueshme për ndërtimin e aseteve të turizmit elitar dhe ndjeshmëria për dhunimin e të drejtës së pronësisë është natyrisht më e lartë. Sidoqoftë, ajo çfarë duket si një përplasje e thjeshtë mbi të drejtën e pronësisë, për bregdetasit është abuzivizëm i skajshëm pasi 860 hektarë, që është një sipërfaqe e denjë që mund të pretendohet nga bejlerët e Myzeqesë, është shprehje e makutërisë së grabitjes dhe ky akt nuk mund të kryhet pa mbështetjen e klaneve që janë të lidhura me pushtetin. Në Himarë nuk kanë ekzistuar pronarë të mëdhenj, aq më pak bejlerë, dhe pronat më përgjithësi nuk janë të njësuara por të shpërndara. Lidhur me pronësinë e kësaj sipërfaqeje banorët dëshmojnë se e drejta e tyre si pronarë të ligjshëm provohet nga regjistrimet e kryera gjatë periudhës së mbretërimit të Zogut si dhe nga dokumentet e reformës agrare të kryer në vitin 1946 dhe ku dëshmohet se kush është prekur dhe kush përfiton nga ndarja e tokave. Njëkohësisht, vendasit që banonin në këtë zonë, me ngritjen e bazës ushtarake janë shpërngulur prej andej por kjo nuk u heq të drejtën atyre të pronësisë mbi këto toka.

Interesante është se midis 180 familjeve himariote që ndjehen të dhunuar nga vendimi i gjykatës së Vlorës, në ato 860 ha preket nga e drejta e pronësisë edhe një deputet, z. Nëranza, dhe kjo i shtyn banorët të besojnë se ky akt grabitjeje dhe korrupsioni shkon deri në nivelet më të larta të pushtetit. Mbi këtë bazë edhe reagimi i tyre është më i ashpër. E ndodhur midis një vendimi gjykate dhe protestave të himariotëve të indinjuar, Bashkia e Himarës po mundohet të mbajë në kontroll situatën në mënyrë që të mos gjenerojë në akte të tjera. Kryebashkiaku Bollano dhe drejtues të tjerë lokalë pohojnë të drejtën e pronësisë së 180 familjeve himariote duke i garantuar këta pronarë se do të dalin në mbrojtje të interesave të tyre. Sipas autoriteteve vendore, ata i kanë kërkuar familjes Cani të paraqesin të gjitha dokumentet me të cilët pretendojnë pronësinë në këtë sipërfaqe toke, por deri tani nuk ka mbërritur asgjë.


Ndërkohë banorët shpjegojnë se familja Cani, gjyshi i të cilëve ka qenë mjek i nderuar në Himarë, ka patur në pronësi një sipërfaqe shumë herë më pak modeste sesa pretendojnë trashëgimtarët. Çështja ka kaluar edhe gjykimin e Apelit me njohjen e pronësisë së 860 ha për shtetasin Anastas Cani, porse bashkia e Himarës ka vendosur ta hedhë çështjen për gjykim edhe në Gjykatën e Lartë. “ Fillimisht, shprehet për Klan kryetari Bashkisë, z. Bollano, kam njoftuar Agjensinë e Kthimit të Pronave që të mos kryejë asnjë procedurë për dhënie pronësie pasi çështja është ende në gjykim”. Po kështu edhe nënkryetari i bashkisë, z. Mato, në një prononcim për median shprehet se i ka kërkuar hipotekës së Vlorës të mos regjistrojë pasurinë që Anastas Cani ka fituar nëpërmjet vendimit të gjykatës. Gjithësesi këto masa nuk i kanë ndalur protestat e himariotëve që paralajmërojnë përshkallëzim të hapave që do të ndërmarrin nëse prona e tyre do të grabitet me vendime gjyqësore.


Himara e harruar apo e dhunuar?

Kish rreth dy javë që në Himarë ishte zhvilluar një protestë kundër vendimit të gjykatës së Vlorës për dhënien në pronësi vetëm një personi të 860 hektarëve në Porto Palermo, por në median shqiptare kjo ngjarje thuajse kaloi në heshtje. Megjithëse problemi i abuzimit me tokat në Himarë ishte prekur para disa ditësh edhe nga Departamenti amerikan i Shtetit, pasqyrimi i protestave të bregdetasve për grabitje të pronave në shtypin tonë gjeti vend pas dhjetë ditësh, kur banorët kishin zhvilluar mitingun e tretë dhe kërcënuan me përshkallëzimin e mëtejshëm të protestave së tyre nga bllokimi i rrugës nacionale dhe deri në grevë urie.

Ky lloj indiferentizmi mediatik kur për ta kujtohet Departamenti i Shtetit dhe ndërkohë harrohet prej shtypit vendës për të cilin Himara është objekt lajmi vetëm kur janë zgjedhjet, ka lënë shije të athët tek vëndasit që po ndihen të vetmuar përballë abuzivizmit dhe mafies së tokave. Në fakt, Departamenti i Shtetit e ka ngritur edhe më parë çështjen e tokave të bregdetit jonian. Në raportin e vitit 2003 nga ky departament është ngritur shqetësimi për abuzivizmin me tokat në Himarë dhe bregdetin deri në Sarandë nëpërmjet tjetërsimit të tyre nëpërmjet vendimeve gjyqësore çka ka dhunuar pronat e vendësve dhe të kishës.

E konsideruar si një nga zonat prioritare dhe me resurse të mëdha për zhvillimin e turizmit, krahina e Himarës dhe bregdeti jonian në përgjithësi janë lënë në harresë përsa i përket mbështetjes nga ana e shtetit për të fuqizuar këtë sektor i cili paraqet të ardhmen e kësaj zone. Qeveritë janë treguar të kursuera në investimet për rrugët dhe infrastrukturën tjetër të nevojshme për zhvillimin e turizmit. Kjo ka bërë që sezoni “turistik” në Dhërmi, Jalë apo Himarë të zgjasë vetëm një muaj e gjysëm ndërkohë që klima e vendit mundëson zhvillimin e turizmit gjatë 12 muajve të vitit. Por duket se çështja e investimeve është për himariotët tepër e pandijshme dhe e papërfillshme krahasuar me një hall tjetër të madh, atë të tjetërsimit dhe grabitjes së pronave të tyre. Historikisht të panënshtruar ndaj të huajve të cilët nuk mundën t’a bëjnë të tyren krahinën e bregdetit me forcën e armëve, himariotët po shohin se tokat dhe pronat që i kanë mbrojtur me fanatizëm ndër shekuj, po u grabiten me një formë të re dhe tinzare,që ndonëse pa dhunën e armëve, dëmin e bën po aq të madh. Kjo formë e re janë vendimet gjyqësore që jepen së largu por që i privojnë himariotët buzë detit nga tokat e tyre aq të lakmueshme për turizëm. Kjo gjendje, kur shihet se problemeve të tyre dhe veçanërisht asaj të pronës, qeveria qëndrore në Tiranë, nuk po u jep zgjidhje, por madje akuzohet për inkurajim të grabitjes dhe tjetërsimit të pronave në bregdet, e ka ngatërruar më keq çështjen aq sa ndër banorët e Himarës periudha e autonomisë së tyre kujtohet si “epokë e artë” ku pronat dhe interesat e bregdetasve ishin të garantuara ndaj synimeve dashakeqe nga jashtë.

Fshatrat turistikë dhe çështja e pronësisë

Vendimi i gjykatës së Vlorës për njohjen e pronësisë së një subjekti të vetëm të 860 ha, sipas autoriteteve lokale dhe banorëve të zonës lidhet me një çështje tjetër; atë të ngritjes së fshatrave turistikë. Natyrisht është më e thjeshtë që ndërtimi i një fshati turistik është më i mundshëm kur ekziston një pronar mbi tokën sesa 180 familje, por problemi nuk mjaftohet me kaq. Sipas studimeve mendohet që në zonën e Himarës të ndërtohen vetëm shtatë fshatra turistikë dhe njëra prej tyre parashikohet pikërisht në Porto Palermo. Por autoritetet vendore gjykojnë që ngritja e tyre të mos përbëjë thjesht krijimin e disa zonave të mbyllura e të izoluara të zhvillimit të turizmit porse ato t’i shërbejnë zhvillimit të krejt zonës duke nxitur edhe promovimin e vlerave të tjera të krahinës përveç detit të pastër. Ndërkohë në krahinë po aplikohet një projekt i Bankës Botërore për Administrimin dhe Menaxhimin e tokave për të cilën himariotët shprehen të interesuar dhe bashkëpunues për zhvillimin e zonës. Por së pari ata kërkojnë që t’u njihet pronësia e tokave të tyre dhe marrja e saj në dorëzim me të drejta të plota në mënyrë që të shmangen konfliktet mbi pronën dhe zonës t’i hapen mundësitë e zhvillimit pasi investitorët, sidomos të huajt, nuk afrohen aty ku ka konflikt pronësie.

Dhe konflikti për 860 ha në Porto Palermo nuk është rasti i vetëm. Përveç çështjes së njohur të Kakomesë, një rast i ngjashëm ekziston edhe në Dhrale të Palasës dhe këto çështje ku preket pronësia e banorëve të zonës ende ndiqen në rrugë gjyqësore nga bashkia e Himarës dhe Komuna e Lukovës. Sidoqoftë ajo që synohet nga organet vendore por dhe nga shoqata “Bregdeti” dhe komuniteti himariot është zgjidhja tërësore e cështjes së pronave. Banorët e bregdetit i janë kundërvënë zbatimit të ligjit 7051 të ndarjes së tokës dhe kërkojnë njohjen e pronësisë së vjetër ashtu sic ka ndodhur në realitet me zonën verilindore të vendit ku prona është kthyer tek i zoti. Fakti që terreni i tyre është po aq i thyer sa në veri dhe tokat e shpërndara në bazë të ligjit 7051 nuk mund të konsiderohen toka buke ka bërë që në fshatrat e zonës të nisë një lëvizje ku në kuvendet e organizuara si në Palasë dhe Qeparo, të deklarohet se këtej e tutje do të njohen vetëm pronat e trashëguara dhe jo ato të shpërndara nga shteti. Kjo ka bërë që dhe bashkia e Himarës të jetë e vëmendshme dhe të japë leje ndërtimi vetëm atëherë kur kërkuesi të dëshmojë pronësinë e vjetër në truallin e ndërtimit. Njëkohësisht si një krahinë që ka qenë e vetëadministruar dhe ku shteti nuk ka asnjë centimetër në pronësi të tij, himariotët tregohen të vendosur të mos lejojnë që shteti të kompesojë ish pronarë nga zona të tjera me tokat e tyre të trashëguara. Sipas kërkesave të tyre të panumërta ata deklarojnë se i njohin dhe i respektojnë si kufijtë midis fshatrave ashtu edhe të banorëve të tyre, ndaj njohja e pronësisë së vjetër mbi pronën do të zgjidhte njëherë e mirë çështjen dhe do shuante konfliktet sociale.

Nisur nga kjo situatë kur çështja e pronësisë është tepër e ndjeshme tek himariotët, një grup deputetësh me origjinë nga kjo krahinë si dhe deputeti i zonës Spiro Peçi, i kanë drejtuar një letër kryeministrit Berisha, ku i kërkojnë që për zonën e Himarës të mos zbatohet ligji 7051, pasi është i pa aplikueshëm Në vend të tij për zonën e bregdetit mund të aplikohet ligji 9235 për kthimin dhe kompensimin e pronarëve, pasi si zonë turistike ku toka trajtohet si truall, ajo quhet e lirë dhe mbi këtë bazë duhet zbatuar rindarja e saj. Pavarësisht procedurave dhe mënyrës së zgjidhjes së çështjes së pronës, rasti i 860 hektarëve në Porto Palermo e ka elektrizuar keq situatën dhe i ka vënë në alarm himariotët për të mbrojtur pronat e tyre. Problemi qëndron nëse e ardhmja parashikon zbutjen e mosbesimit ndaj shtetit apo acarimin e mëtejshëm.

No comments: