Wednesday, December 12, 2007

Banka Botërorë ka prezantuar gjatë ditës së djeshme planin e ndërtimeve nga Llogaraja në Ksamil

(Shekulli)-

Ndërtimet që janë më pak se 100 metër larg nga bregu, do të prishen në muajt në vazhdim

Sipas Projektit të Jugut, ndërtimet duhet të kenë një largësi prej 100 metër nga bregu i detit, ndërsa të gjitha investimet që nga Llogaraja deri në Ksamil do të realizohen në përputhje të plotë me planin e hartuar nga ana e Bankës Botërore.

Bregdeti i Jugut ka tashmë në projekt të tijin turistik, në të cilin paraqiten me detaje ndërtimet e reja që do të ndërtohen, largësia nga bregu, karakteristikat që duhet të kenë këto ndërtime, duke filluar që nga ngjyra, forma e dritareve, lartësia, etj. Të gjitha ato ndërtime që nuk përshtaten me këtë plan, do të prishen. Gjatë ditës së djeshme "Plani i Zhvillimit të Zonës Bregdetare të Jugut" është prezantuar nga ana e Ministrisë së Transporteve dhe përfaqësuesve të Bankës Botërore. Sipas Projektit të Jugut, ndërtimet duhet të kenë një largësi prej 100 metër nga bregu i detit, ndërsa të gjitha investimet që nga Llogaraja deri në Ksamil do të realizohen në përputhje të plotë me planin e hartuar nga ana e Bankës Botërore. Projekti i realizuar nga ana e Bankës Botërore është porositur nga ana e qeverisë shqiptare, ndërsa ministri i Transporteve, Sokol Olldashi ka bërë të ditur se do të prishen të gjitha ndërtimet pa leje, që bien në kundërshtim me këtë plan. "Ne nuk do të lejojmë që ndërtimet pa leje të prishin bukurinë e kësaj zone. Pas publikimit të projektit, ne jemi gati që të ndërmarrim një aksion për prishjen e ndërtimeve pa leje",- tha ministrit i Transporteve, Sokol Olldashi.

Qëllimi i planit

Udhëzimet që jep ky plan, kanë si qëllim të sigurojnë që rinovimet, zgjerimet dhe ndërtesat e reja në fshatrat tradicionale, të respektojnë traditat e së shkuarës në projektim dhe ndërtim; ndërsa integrohen në mënyrë të plotë, me kushtet moderne të jetesës dhe punës. Direktivat që jep projekti, njohin se si ndërtimet e vjetra dhe ato të reja duhet të jenë të pajisura me shërbimet e përshtatshme sipas standardeve të vendosura nga bota moderne. Përsa i përket ndërtimeve të vjetra, këto shërbime duhet të inkorporohen në ndërtesa pa ndërhyrë brutalisht nga ana vizuale dhe pa prishur gjithashtu edhe vlerat pamore të fshatit.

Përfshirja

Udhëzimet i drejtohen çdokujt që përfshihet në çfarëdolloj mënyre në procesin e ndërtimit në një fshat tradicional, siç përcaktohen nga Plani dhe Rregulloret e Zhvillimit. Kjo përfshin autoritetet kombëtare dhe vendore, përgjegjëse për promovimin, inicimin ose koordinimin e zhvillimit; por gjithashtu përfshin edhe pronarët individualë, bizneset e zhvilluesve dhe sipërmarrësit e turizmit. Zhvillimi i një fshati mund të konsistojë në, p.sh.: rinovimi ose zgjerimi i një shtëpie nga pronari, transformimi i një banese tradicionale në dyqan ose restorant, restaurimi komercial i shtëpive për t'u shitur si banesa të përhershme ose si shtëpi pushimi, ose rinovimi i kombinuar i disa ndërtesave për t'u përdorur si hotele. Udhëzimet aplikohen për të gjitha këto raste dhe në shumë kategori të tjera.

Transporti

Në rastin e transportit rrugor, Konsulentët e Bankës Botërore kanë rekomanduar përmirësim të kufizuar të rrugës kombëtare bregdetare deri në një korsi prej 6.5 m, për të realizuar një "itinerar piktoresk" të sigurt, ku përfshihen përmirësimet vendore që trajtojnë ngushtimet e rrugës, punën për përmirësimin e rrezes së shikueshmërisë dhe përgjithësisht projektime për një shpejtësi pak më të lartë, duke shtuar edhe xhepat anësorë të shtruar për të mundësuar ndalimin e automjeteve në pikat e shikimit të vendeve të bukura natyrore. Ndërsa përsa i përket transportit ajror, parashikohet që ish-Aeroporti Ushtarak në lindje të Sarandës duhet zhvilluar përsëri si një nyje rajonale për avionët e llojit "Turbo Prop". Në projekt bëhet e ditur se po shqyrtohet edhe mundësia e përdorimit të trageteve të shpejtë në qytetin bregdetar. Për zgjerimin e rrugës, kërkohet analiza e pjesshme e ndikimit në mjedis, ndërkohë që për aeroportin kërkohet analiza e plotë.

box

Kriteret e ndërtimeve

Madhësia, shkalla dhe lartësia e ndërtesave

Muret

Hapjet: dritaret, dyert dhe qepenat

Sipërfaqe të jashtme të mbuluara

Çatitë

Përdorimi i ngjyrave

Shërbimet brenda ndërtesës dhe lehtësirat

Punime të jashtme dhe mbjelljet

Gërmimet dhe punimet e tokës

Aksesi dhe parkimi

2 comments:

Anonymous said...

po shtepite e vjetra himariote qe ndodhen brenda asaj distance, edhe ato do te prishen?

Anonymous said...

Nuk mund te bejne nje gje te tille sado fashista te jene