Thursday, December 06, 2007

Interviste e Shekullit ish presidentit Meidani

Politikanë të tipit Llukaçenko mbijetojne edhe ne Shqiperi.

(permbledja e intervistes, 6-12-2007)

Reforma në Drejtësi

"Po përsëritet hap pas hapi historia e fillimeve të tranzicionit, e menduar si e tejkaluar, dhe pikërisht ajo e akumulimit të pushtetit në një dorë të vetme. Dhe ky kthim prapa është mjaft i rëndë, madje tepër i rrezikshëm për zhvillimet e ardhshme. Po ashtu, për të qenë i sinqertë, dëshiroj të kujtoj se deri para pak vjetësh çuditesha si mund të mbijetonin në Evropë politikanë të tipit Llukaçenko. Sot, me keqardhje mund te them se kjo nuk qenka dhe aq e vështirë!"

Për lëvizjet e qeverisë

"Ajo është hedhur dhe në sektorë të tjerë, madje edhe larg pushtetit efektiv. E tillë është ndërhyrja politike në reduktimin eautonomisë së universiteteve, tentativa e fundit antidemokratike, gati-gati puçiste, për shpërndarjen e akademisë së shkencave dhe emërimin kryeministror të anëtarëve të saj, kërcënimi ndaj ndonjë federate sporti, përpjekja për kontrollin politik të botimeve dhe të botuesve, etj"

Për turin e Ramës

"Perceptimi që unë kam është i ndryshëm: Kontakti me bazën është i dobishëm dhe i nevojshëm, ai duhet të vazhdojë e të mbahet gjallë. Aty duhet të ratifikohet, të verifikohet dhe të korrigjohet një program politik, sidomos në procesin e zbatimit. Por përgatitja e tij i takon elitës politike-intelektuale..."

Si duhet të ndryshojë koalicioni i majtë

"Të studiohet përvoja italiane, rruga e krijimit të koalicionit të majtës dhe të qendrës italiane, të drejtuar prej Romano Prodit. Dhe më tej të synohet mishërimi konkret i këtij modeli në kushtet tona. Me hile të vogla, me bërryla e shkopinj në rrota, me kërraba individuale nuk shkohet shumë larg. Madje, bëhet pothuajse e pamundur çdo fitore politike".

Puna dy vjeçare e qeverisë

"Aktualisht jam tërësisht i zhgënjyer. Një humbje kohe e pakuptimtë, madje e habitshme. Me pak fjalë, ajo mund të klasifikohet si kaotike, fare pa bosht, me dobësi të theksuara në drejtim, me mungesë të frymës liberale, me nivel të ulët efektiviteti, me premtime "astronomike"dhe shpenzime retorike energjie, me korrupsion politik gjithnjë në rritje dhe me mjaft iniciativa antiligjore e antikushtetuese"

Për Akademinë e Shkencave

"Kjo ngjarje është paprecedent në historinë botërore të akademive të shkencave. Kur krijohet një akademi mund të gjenden mënyra përzgjedhjeje jashtë politikës, por njëherë e krijuar çdo akademi në botë e bën vetë, brenda saj, ripërtëritjen e vet. Ky cikël i brendshëm ka qenë dhe mbetet një e drejtë ekskluzive e çdo akademie dhe jo e sajesave hibride politike. Sepse çdo sajesë e tillë me rotacionin e pushtetit është e destinuar të vdesë!"

Për deputetët kundër zgjedhjes së Meidanit

"Unë nuk e di cilët ju konsideroni "deputetë të mazhorancës". Përveç deputetit Ngjela, që guxoi të kundërshtojë dhe e "ngrinë" menjëherë, me sa kam parë e dëgjuar, kanë mbetur vetëm kartonë kryeministrorë! Unë njoh shumë prej tyre, dhe të them të drejtën, jashtë trysnisë që iu ushtrohet janë njerëz për së mbari, me mendim e përgatitje profesionale, por që detyrohen të sillen ndryshe nga vetvetja për të mos u përjashtuar nga jeta politike e parlamentare, apo me gjuhën e re "për të mos ngrirë" politikisht"

Për mungesën e dekretimit nga ana e Topit

"Dekretuesi, edhe pse thjesht honorifik për të këtë rast, as nuk ka marrë mundimin ta shqyrtojë detyrimin e tij kushtetuese, qoftë duke shprehur dhe shqetësimet e tij. Për më tepër që një president i sapo caktuar në detyrë, kur do të kuptojë më shpejt gjërat vlen të konsultohet me paraardhësit e tij. Me presidentin Moisiu, p.sh., ne kishim kontakte të rregullta. Sidoqoftë, po përsëris, se ajo që të bën përshtypje është se dekretimi në këtë rast konkret nga presidenti, ashtu si dhe për rektorët e universiteteve apo drejtorët e shkollave të larta, është thjesht dhe vetëm një akt solemn, honorifik (për rritjen e prestigjit të këtyre institucioneve unë kam ngulur këmbë që ky akt solemn të përfshihet dhe në kushtetutë)".

No comments: