Saturday, December 08, 2007

KE, Shqipërisë: Mbro gjuhët e minoriteteve

Europa i bie si gjithnje gozhdes se problemeve, ndersa Shqiperia vazhdon ti biere patkoit duke filluar nga qeveria me arsyet e saj absurde e deri tek mediat me teorite e tyre qe vete i shpikin dhe vete i besojne. Artikulli i meposhtem eshte nje pasqyre e paster e ketij problemi. I veshur me komentet klasike te gazetarise shqiptare e anashkalon problemin me justifikime te pavlera per kohen dhe gjuhen demokratike me te cilen flitet sot Europa.
(Kyritsis)

Këshilli i Europës kërkon nga qeveria shqiptare firmosjen e Kartës Europiane të gjuhëve minoritare. Nëse kjo marrëveshje nënshkruhet nga vendi ynë, pakicat në Shqipëri do të kenë dy gjuhë zyrtare, shqipen dhe gjuhën e minoritetit që përfaqësojnë. Pavarësisht kërkesës së ekspertëve europianë, qeveria nuk është gati të ratifikojë marrëveshjen, e cila ka një kosto mjaft të lartë financiare. Qeveria është e detyruar të financojë për hapjen e shkollave në gjuhë greke, maqedonase, arumune, etj, zhvillimin e kulturës së pakicave, në mediat lokale të tyre, si dhe në administrata apo gjyqësor të vendosen përkthyes në shërbim të popullsisë minoritare. Por për përfaqësuesen e KE-së, Sonia Parayre, Shqipëria ka tashmë përvoja të vlefshme me ratifikimin që i ka bërë disa dokumenteve të ngjashme, si Konventa Kuadër për Mbrojtjen e Minoriteteve, ku ajo është palë. Në fjalën e mbajtur gjatë punimeve të seminarit teknik të organizuar dje për këtë çështje ajo vërejti se “KE disa herë i ka kërkuar Shqipërisë ta ratifikojë këtë dokument. Shqipëria i është përmbajtur detyrimeve të kësaj Konvente, duke pasur parasysh se ky dokument konceptohet si një mbrojtje për minoritarët. Ndërsa Karta për gjuhët fokusohet tek mbrojtja e kulturës së minoriteteve, pjesë e së cilës është edhe gjuha. Shqipëria ka përvoja të vlefshme në fushën e marrëdhënieve minoritare”, - vlerësoi ekspertja e KE-së. Më tej, Parayre u ndal në analizën teknike të këtij dokumenti, duke theksuar se mbrojtja e gjuhëve historike rajonale e pakicave të Europës, disa prej të cilave janë në rrezikun e zhdukjes eventuale, kontribuon në ruajtjen dhe zhvillimin e pasurisë e traditave kulturore europiane. Por këto kushte të vena nga Bashkimi Europian tingëllojnë çuditshëm, në një kohë kur shqiptarët në Greqi, Maqedoni apo gjetkë nuk kanë lehtësira të tilla për të ushtruar lirshëm gjuhën dhe zakonet e tyre. Karta Ndërkombëtare për Gjuhët Minoritare dhe Rajonale është instrumenti i vetëm ndërkombëtar, që ka qëllim mbrojtjen e këtyre gjuhëve. Në Shqipëri aktualisht ekzistojnë 3 minoritete etnike dhe 2 minoritete gjuhësore.

(T.Blushi-GazetaShqiptare)

No comments: