Monday, December 10, 2007

Kur ligji bëhet aleat me korrupsionin


Plator Nesturi

Botuar ne gazeten Shekulli

“75 hajdutë grabisin 01 pronar”. Në këtë postulat ka nisur të përkthehet ligji i shumëpërfolur 7501, mbi të cilin është kryer ndarja e tokës bujqësore. Porse ironikisht kjo shprehje nuk dëgjohet vetëm nga ata që quhen ish pronarë, por përdoret plot sarkazëm edhe nga ata që i gëzojnë sot këto prona dhe që me plot të drejtë nuk ka sesi të mos sulen e të përfitojnë prej ligjeve që aplikon ky “shtet budalla”. Sidoqoftë në bandën e “75 hajdutëve” nuk janë vetëm ata që kanë marrë tapitë me anën e ligjit 7501, as thjesht edhe zaptuesit e tokave pranë zonave urbane e më gjerë, por lista shtohet me kryetarë konunash, punonjës hipotekash e kadastrash, sekserë dhe deri zyrtarë të lartë.

Rasti i abuzimeve me tokat në komunën Kashar, arrestimet e drejtuesve të hipotekave në rrethe e të lëshuar më vonë, dëshmon se banda është e madhe dhe se interesat ekonomike për tokën përfshijnë shuma marramendëse parash, ku 5 milionëshi i eurove i llogaritur si kompesim këtë vit nga qeveria për ish pronarët, është vetëm një pikë uji. Nisur nga kjo performancë e shfaqur që me fillimin e zbatimit të tij 15 vjet të shkuara, ligji 7501 nuk thjesht një ligj tipik socialist, një mohues i të drejtës themelore ndërkombëtare të njohjes së pronësisë, por edhe si terren i përshtatshëm për korrupsionin me tregun e zi të tokave.

Cuditërisht megjithë namin e keq, megjithë protestat e ish pronarëve dhe rekomandimeve të panumërta të organizmave europianë që na monitorojnë në përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të BE-së, ky ligj mbetet përherë aktiv. Midis shumë ligjeve të abroguara që shpeshherë kanë qenë temë debatesh ndërmjet të majtës dhe të djathtës, 7501 ka qenë ndër të vetmit që i ka rezistuar kohëve dhe përgjithësisht është mbrojtur nga të gjitha palët. Nga rokadat pushtetore janë prodhuar veç disa shtesa që kanë qenë thjesht arnime por pa e ndryshuar thelbin bolshevik të tij ku “toka i takon atij që e punon”.

A duhet dhe a mund të shfuqizohet ligji 7501? Nga zullumet që po dalin me abuzimet me tokat është e kuptueshme që duhet kryer një orë e më parë dhe së fundmi në sfondin politik po ravijëzohen edhe kushtet që ligji famëkeq mund të pushojë së ekzistuari në një periudhë të afërme. Sinjali i parë u dha nga presidenti Topi i cili denoncoi abuzimet që po kryeheshin me pronat dhe marrjen e masave ndaj këtij fenomeni korruptiv të shtrirë tashmë në të gjithë vendin.

Kryeministri Berisha reagoi menjëherë duke u shprehur se është në të njëjtën linjë me deklaratat e presidentit. Njëkohësisht kreu i qeverisë merr takime me kryetarë bashkish si dhe azhornohet me problemet e ngritura nga përfaqësues të shoqatave të ish pronarëve lidhur me çështjen e pronave. Nuk kalon gjatë dhe drejtori i Agjensisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Besnik Maho, shprehet se agjensia e tij ka shfuqizuar 80 vendime antiligjore të dhënies së pronësisë dhe me këtë rast duke kritikuar ligjin 7501, në emër të institucionit rekomandon disa amendime që mund t’i bëhen këttij ligji. Por deklarata më e papritur vjen nga vetë ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana, i cili shprehet pro shfuqizimit të ligjit 7501. Gjatë interpelancës në parlament të kërkuar nga deputeti socialist Hysi, ministri i bujqësisë paraqiti shifra dramatike lidhur me abuzimet e kryera prej mijëra ha në toka bujqësore, kullota dhe madje edhe pyje. Në këtë rast ministria e bujqësisë është vetëm inventarizues dhe nuk ka kompetencë ndjekje ligjore, dhe faktet e mësipërme e shtyjnë ministrin Gjana të kërkojë pikërisht shfuqizimin e ligjit i cili veçse i hap rrugë abuzimit korruptiv me tokat.

Të bën përshtypje se këto lëvizje ndodhin pikërisht kur grupi parlamentar i republikanëve, parti që ka patur një pozicion të qartë mbi rikthimin e pronës, është në prag të një nisme ligjore për të ndryshuar bazat mbi të cilat operon ligji aktual i shpërndarjes së tokave bujqësore. Mesa duket demokratët duan t’i paraprijnë nismës së aleatëve të tyre në koalicionin qeveritar për marrë kështu dhe dafinat e mbështetjen e ish pronarëve në rast ndryshimesh thelbësore të ligjit. Në fakt si parti e djathtë, PD është kritikuar së tepërmi nga klasa e ish pronarëve për përdorimin e normave të majta në shpërndarjen e pronës. Duke shtuar faktin se demokratët e siguruan mandatin me sloganin e luftës kundër korrupsionit, ndërkohë që ligji 7501 po vërteton se se është strehë dhe inkurajues i abuzivizmit dhe korrupsionit, kjo mund të sjellë në përfundimin se pozicioni i PD në lidhje me pronat mund të radikalizohet.

Problemet sidoqoftë nuk përfundojnë me kaq. Fakti që në Shqipëri, ligji 7501 vepron kryesisht në Ultësirën Perëndimore ku janë dhe tokat më pjellore si dhe në jug të vendit, ndërkohë që në zonën e veriut dhe kryesisht në Verilindje toka është shpërndarë sipas të drejtës së vjetër të pronësisë, kjo mund t’a vendosë në pozitë të vështirë qeverinë përballë kritikave se po përdor dy standarte në të drejtën e pronësisë për tokën. Nga njëra anë vepron pra ligji i pashkruar i njohjes së pronësisë së vjetër dhe në gjysmën tjetër të vendit, pikërisht atje ku janë dhe interesat më të mëdha në turizëm dhe bujqësi, zbatohet ligji actual që dhunon të drejtën e pronësisë. Në këtë masë, përveç trajtimit të dyllojshëm të popullsisë së veriut dhe të jugut, qeveria ( apo qeveritë në përgjithësi pa dallim ngjyre), mund të akuzohen se janë ato shkaktare të nxitjes së abuzibizmit dhe korrupsionit në zonat bregdetare dhe në ultësirën perëndimore ku ndodhen qendrat më të mëdha urbane dhe ku është përqëndruar popullsia e vendit.

Një tjetër faktor zhvillimi që preket nga lënia në fuqi e ligjit 7501, është dhe ai i investimeve të huaja dhe të kapitalit vendës, kur dihet se nuk mund të investohet pa u zgjidhur përfundimisht çështja e pronësisë mbi tokën. Kanë qenë jo të pakta firma të huaja që janë tërhequr nga palent e tyre për të hyrë në Shqipëri kur nuk kanë ditur se me kë duhet të kontaktojnë për pronësinë e shesheve ku do të ngrinin aktivitetet e tyre. Duket se këtë pikë të dobët, do ta shfrytëzojnë edhe ish pronarët të cilët duken të drobitur nga indiferenca e shtetit për të drejtat e pronave të tyre. Në Ditën Botërore të Pronësisë, më 8 dhjetor, shoqata e Pronarëve Europianë e cila zhvilloi një konferencë në Tiranë, kërcënoi shtetin shqiptar se do t’i bëjë thirrje investitorëve të huaj të mos futen në Shqipëri pa u zgjidhur problemi pronave.

Është fakt se çështja e pronave po kthehet në një gangrenë për vendin, dhe përplasja e të drejtave për pronësinë, përveç bllokimit të proceseve të integrimit, ka bllokuar edhe mundësinë e investimeve dhe tokat e shpërndara nëpërmjet ligjit 7501, më tepër sesa prodhime bujqësore, po prodhojnë konflikte sociale. Ndërkohë në bazë të tij edhe shteti është i detyruar të paguajë një faturë financiare që nuk dihet ende se sa do të jetë shifra dhe për sa kohë skema e kompensimit do të shlyejë të gjithë ish pronarët që nuk e gëzojnë pronën e tyre. Vetëm për këtë vit shifra e akorduar nga qeveria për kompensim është 5 milionë euro që maksimumin e kompensimit për të shpronësuarit e ka në masën e 200 metrave katrorë. Por duhet të llogarisim dhe një fakt tjetër. Në Gjykatën e Strasburgut vetëm deri tani janë ankimuar mbi 200 çështje për probleme pronash në Shqipëri nga të cilat janë gjykuar vetëm pesë prej tyre. Nga këto pesë çështje që janë fituar nga ish pronarët shteti shqiptar është dënuar me një shumë prej 1.5 milionë eurosh që janë rreth 20% e shumës që po ky shtet akordon në vit si kompensim për ish pronarët. Po për 200 apo 2000 kërkesa të tjera që mund të gjykojë Gjykata e Strasburgut sa mund të vejë fatura që duhet të paguajë shteti shqiptar, dhe në këtë rast të gjithë ne taksapaguesit? Ky ekuacion bëhet me shumë të panjohura dhe zgjidhja që mund të lehtësojë perspektivën e zymtë të shumave të vendosura si dëmshpërblim nga gjykatat ndërkombëtare, mund të ish vetëm shfuqizimi i ligjit 7501. Siç po shihet, nga abuzimet e kryera me pronat, dëmet e këtij ligji ndërkohë janë të mëdha, por sidoqoftë mbetet ende shpresë se shumë do të shpëtohet nëse ai do të shfuqizohet.

No comments: