Monday, December 10, 2007

Interview of Bollano about meeteing with Berisha (STANDARD)

Bollano: Me kryeministrin diskutuam investime dhe problemin e pronave në Himarë


Kryetari i Bashkisë së Himarës ka paraqitur tek kryeministri i vendit problemet që shqetësojnë këtë zonë, duke kërkuar vëmendje nga qeveria. Në një takim të zhvilluar me kryeministrin Sali Berisha, ai ka kërkuar mbështetje për investimet që duhet të kryhen në infrastrukturën që duhet ndërtuar në qytetin e Himarës.

Z. Bollano, sapo keni zhvilluar një takim me kryeministrin Sali Berisha, cilat ishin temat e këtij takimi?

Ne u takuam me zotin kryeministër. Ishte një takim i kërkuar këto ditët e fundit. Dua të them se ishte një takim shumë i mirëpritur nga ana e kryeministrit, pasi u diskutua edhe në kuadër të takimit që u zhvillua një ditë më parë për decentralizimin. Ky takim ishte edhe në kuadër të angazhimit dhe interesimit që tregon qeveria shqiptare për zhvillimin e turizmit, kryesisht në zonën e jugut. Kryeministri ishte shumë i interesuar për problemet që shqetësojnë Himarën dhe kërkoi më shumë informacion nga ana jonë. Takimi u përqendrua në çështjen e investimeve. Siç dihet është një angazhim i qeverisë shqiptare për përfundimin e rrugës së bregdetit brenda vitit 2009. Bëhet fjalë për aksin rrugor Palas-Sarandë. Duke parë këtë iniciativë të qeverisë shqiptare, ishim të interesuar që paralelisht të përfundojë edhe infrastruktura në qytetin e Himarës. Është një zë i cili nuk ishte parashikuar dhe pikërisht është kjo tema kryesore mbi të cilin u fokusuam gjatë takimit. Kjo kërkesë e jona u mirëprit nga kryeministri që duhet t’i paraprijmë investimeve në infrastrukturë në këtë aks. Kjo do të bënte që të mos krijoheshin pengesa për ndërtimin e rrugës në kohë sa më të shkurtër. Midis të tjerave diskutuam edhe probleme të tjera që shqetësojnë zonën, siç janë problemet e energjisë elektrike. Kryeministri u shpreh se do t’i kushtojë vëmendje edhe kësaj çështjeje për hir edhe të pozicionit gjeografik dhe zhvillimit të turizmit në këtë zonë. Një tjetër çështje që u prek në këtë takim ishte edhe problemi i pronave që është i njohur tashmë. Pasi e informova kryeministrin si kryetar i Bashkisë së Himarës, pritet edhe një takim ku do të diskutohet kjo çështje. Duhet të gjendet një zgjidhje përfundimtare e çështjes së pronave, e cila është bërë kaq delikate për zonën tonë.

A jeni të kënaqur nga fondet e akorduara në kuadër të buxhetit 2008 për Himarën?

Unë nuk do ta shtroja problemin nëse jam apo jo i kënaqur me shifrat e akorduara për investime. Por mendoj që duhet të ketë një vëmendje më të madhe, duke vlerësuar orientimin e Bashkisë së Himarës dhe destinacionin që ka Himara. Himara krijon një shoqëri konsumi të fuqishme, e cila do të thotë se kemi një rritje të të ardhurave. Duke e parë në këtë këndvështrim jam më pretendues ndaj vëmendjes që duhet t’i kushtohet Himarës.

Ku qëndron problemi i pronave në Himarë?

Pronat në Himarë kanë një problem që ka të bëjë me funksionimin e keq të ligjit 7501. Kjo ka krijuar një anomali dhe një kaos të plotë. Problemi qëndron në ligjin, por edhe në mënyrën sesi është aplikuar. Ne në kuadër të iniciativës për shfuqizimin e ligjit 7501 që të mos ketë fuqi prapavepruese, do të kërkojmë që të shfuqizohen të gjitha mënyrat sesi është aplikuar ky ligj. Me ligjet aktuale pronës t’i jepet një zgjidhje përfundimtare. Kjo zgjidhje do të ishte pa kosto ekonomike nga shteti dhe pa kosto sociale. Pra të dy parametrat janë pozitivë, në rast se mënyra sesi ne i kemi sugjeruar komisionit shtetëror të tokave. Mendoj se kjo do të jetë zgjidhja më e mirë për vendin dhe do t’u hapë rrugën investimeve edhe lëvizjeve të ndryshme që mund të ndodhin në drejtim të shitblerjes dhe të investimeve.

Në fakt ka filluar edhe një studim i Bankës Botërore për gjithë bregdetin jugor. Si do të aplikohet ky studim, në rast se problemi i pronave vazhdon të jetë prezent?

Nëse nuk do të zgjidhet çështja e pronave, atëherë do të thotë që çdo lloj plani do të dështojë. Ne e dimë që pas viteve ‘90 është hera e katërt që bëhen plane për këtë zonë. Por deri më tani të gjitha këto kanë dështuar dhe shkaku kryesor ka qenë çështja e pronave. Sepse nuk mund të planifikohet asnjë lloj ndërtimi qoftë privat apo shtetëror, nëse ky problem nuk merr zgjidhje përfundimtare. Dimë shumë probleme që janë krijuar edhe në ndërtimin e rrugës.

Si janë marrëdhëniet tuaja me kryeministrin Berisha dhe qeverinë e tij?

Në radhë të parë filozofia nga e cila udhëhiqet PBDNJ dhe unë, si një prej drejtuesve të saj, është gjithmonë konstruktive. Ne kemi marrëdhënie të shkëlqyera me qeverinë dhe me kryeministrin. Takimi i sotëm është shprehje e këtyre marrëdhënieve.


07/12/2007

1 comment:

Anonymous said...

Po te lexojme artikulin e gazetes Koha jone do shoghim se mundetqe Berisha te kete marreneie te shkelqyera me PBDNJ, por jane shume te keqia marredheniet e tiuj me popullin e Himares:

Qeveria: Kompensim fizik per pronaret dhe ne bregdet

E Marte, 11 Dhjetor 2007

Kryeministri Sali Berisha deklaroi diten e djeshme, gjate mbledhjes se Grupit parlamentar te Partise Demokratike, se qeveria duhet te perqendrohej me shume te kompensimi fizik i pronave. Keshtu, Berisha theksoi se prioritet qeveria duhet te kete reformen ne pronesi dhe per pasoje qeveria duhet te beje te gjitha perpjekjet qe ish-pronaret te perfitojne sa me shume nga kompensimi fizik i trojeve. Ne kete kuader, Berisha theksoi se edhe ne bregdetin shqiptar ka prona te mjaftueshme qe mund t’u shperndahen ish-pronareve. Por, per te shmangur abuzimet me cmimin e tokes ne kete proces, Kryeministri Berisha paralajmeroi ngritjen e nje komisioni te posacem, i cili do te verifikoj edhe cmimet e tregut per pronat dhe pas kesaj do te vendos edhe cmime sa me te peraferta per procesin e kompensimit. Ne mbledhjen me dyer te mbyllura te Grupit parlamentar te PD-se, Kryeministri Berisha u shpreh se ngritja e nje komisioni me eksperte per verifikimin e cmimeve eshte me se i domosdoshem, per t’i mbyllur rruge edhe abuzimit qe pushtetaret vendore mund te bejne me cmimet e tokes. Duket se kryefjale e mbledhjes se djeshme, te Grupit te PD, ka qene reforma ne sistemin e pronesise. Kryeministri Berisha ka pranuar se ne menyre te perseritur eshte abuzuar me pronat dhe vecanerisht me ndarjen e tyre ne kuader te ligjit 7501. Nisur nga kjo, Kryeministri Berisha ka theksuar se askush nuk mund te perfitoje me toke, duke u nisur nga ky ligj, sepse ndarja e tokes nepermjet tij ka lene vend per abuzime te shumta. Alarmin per abuzimet me shperndarjen e tokes nepermjet ligjit 7501 e dha pak dite me pare edhe Presidenti Bamir Topi. Kreu i shtetit theksoi se duhet t’i jepet fund edhe shperndarjes se tokes nepermjet ligjit 7501, pasi po abuzohet dhe po vidhen toka ne emer te ketij ligji.

F.Mejdini