Sunday, December 30, 2007

Standardet e demagogjisë

Nga Plator Nesturi
30-12-2007 (shekulli)


Gazetarët që ndoqën konferencën e fundvitit të kryeministrit Berisha, duhet të jenë ndier në siklet për mënyrën se si duhej të përcillnin deklaratat optimiste të shefit të maxhorancës, ku arritjet e reformave të ndërmarra rezultonin të kishin ndritur plot shkëlqim diellor të gjitha 365 ditët e vitit që po lemë pas. Kjo për faktin se të paktën treçereku i tyre, muajt që sapo kaluam i ka paraqitur në ngjyrë gri, pasi nuk kanë reshtur së kritikuari qeverinë pse është treguar e paaftë dhe larg realizimit të premtimeve elektorale dhe programeve qeverisëse, larg plotësimit të standardeve të kërkuara për integrimin e vendit në strukturat Euroatlantike dhe fare pa vizion për të nxjerrë vendin nga kriza e gjithanshme që ka prekur sektorin e ekonomisë. Mbetej që gazetarët të ndreqnin llogaritë vjetore e të mos i hanin hakun përpjekjeve të kësaj qeverie ndërsa Kryeministri shpallte me patos, se në vitin 2007 “shqiptarët janë më të lirë, më të sigurt, më të begatë dhe më të respektuar” dhe se ky ishte një vit reformash të thella, “të mishëruara në 852 ligje, premtime dhe akte normativë”. Dikush mund të thotë se premtimet janë larg të qënit ligje apo akte normative, se me vetëm dy premtime në ditë shifra e tyre shkon në 730 gjatë gjithë vitit dhe për to nuk ka ndonjë mund të madh krahasuar me pjesën e mbetur ligjore, por kjo nuk përbën argument për të zbehur optimizmin.

Hesapet që paska mbajtur media në përgjithësi gjatë këtij viti, dolën kryekëput të gabuara pas raportimit kryeministror. Në fund të fundit për këtë arsye janë konferencat e përvitshme, pikërisht për të balancuar dhe korrigjuar shifrat e llogarive, pasi ndryshe mund t’i dalë Kryeministrit, ndryshe medias dhe krejt tjetër qytetarit të thjeshtë. Nuk dihet nëse do t’i përmbahemi defterit të Kryeministrit, sipas të cilit, puna e qeverisë së tij nuk ka të sharë, pasi njihen vetëm arritje dhe sukseset nuk hijezohen nga asnjë e metë, se Shqipëria ka ecur përpara dhe ne shqiptarët jemi më të begatë, apo duhet të fusim dhe disa nga shifrat tona për të mos fluturuar pas optimizmit të Berishës. Në fakt ajo puna e begatisë që na paska shoqëruar gjatë këtij viti ishte një shkak më tepër që na shtoi dyshimin, aq sa, fillimisht, nuk po kuptonim nëse Kryeministri ynë po fliste për ne apo për ndonjë tjetër popull.

Në konferencën e tij, zoti Berisha ishte i drejtpërdrejtë kur u shpreh se gjatë këtyre 365 ditëve maxhoranca që ai kryeson ka njohur veç arritje të shumta dhe ka realizuar një standard. Fillimisht u gjykua se më së fundmi paskemi arritur të përmbushim ndonjë prej standardeve që na kërkojnë organizmat ndërkombëtarë për integrimin në BE dhe në NATO. Por jo. Nuk bëhej fjalë për të tilla arritje. Kryeministri e sqaroi menjëherë se standardi ish arritur nga një individ i vetëm dhe pikërisht ministri Basha, i cili kish pranuar të hiqte dorë nga imuniteti i tij parlamentar menjëherë sapo u shkarkua nga detyra ai që kish kërkuar hetim ndaj tij, ish-kryeprokurori Sollaku.

Por, ndërsa kryeministri Berisha ishte kaq dorëlëshuar në shifrat e arritjeve dhe së tepërmi cingun në realizimin e një standardi të vetëm prej ekipit të tij, në defterin e madh të qytetarëve standardet e kësaj qeverisjeje kanë të panumërta. Kështu, po shndërrohet në standard, që masa e gjerë po kruan xhepat sa po gris astarin çdo fundviti dhe ka fare pak shpresë se vitin e ardhshëm gjendja do të shkojë për më mirë. Standard, është mungesa e ujit të pijshëm dhe përmbytjet sa herë vërshojnë shirat e fryhen lumenjtë. Po shndërrohet në standard që energjinë elektrike ta kemi me kufizim, që të kalojmë orë të tëra në terr, që të mbytemi nga tymi e të shurdhohemi nga zhurma e gjeneratorëve. Standard përbën që lista e borxhlinjve në dyqanet ushqimore të shtohet, që rritja e pandërprerë e çmimeve ta bëjë të pandjeshëm atë përqindje shtese në paga dhe pensione. Po shndërrohet në standard, që përpara ligjit të marrë vlerë më tepër Kanuni edhe në mes të kryeqytetit. Standard është bërë që të vijojmë të zbresim shkallët në klasifikimin e korrupsionit, duke konkurruar tashmë me Kamboxhian dhe Kamerunin. Normë më vete është shndërruar prokurimi i blerjeve të energjisë nga KESH-i, ndryshe nga sa ish deklaruar, se gjithçka do t’i nënshtrohej procedurës së tenderave transparentë. Dhe ashtu siç është kthyer standard që në çdo fund viti qeveria shpalos vetëm suksese, për ekuivalencë, ekziston edhe standardi tjetër, që masa e gjerë qytetare nuk beson më në asgjë çka deklaron klasa politike. Pasi vetë gënjeshtra është kthyer në standard.

Defteri qytetar ka edhe shumë të tjera shifra, që çuditërisht janë kryekëput të kundërta me ato çfarë na tha Kryeministri. Problemi mbetet se kujt prej tyre duhet t’u përmbahemi, atyre që na përcolli zoti Berisha apo asaj çka mbush jetën tonë të përditshme. Si hap i parë i një dialogu për të balancuar hesapet e këtij viti, mbetet të pyesim: Vërtetë i besoni ato që deklaruat, zoti Kryeministër?

No comments: