Wednesday, December 05, 2007

Transparence pronave te bregdetit

“Ka një dëshirë për të bërë kompensim, por nuk është kjo rruga e zgjidhjes, sepse sot ekziston një rrugë tjetër, një transparencë të plotë të të gjitha pronave të bregdetit”-presidenti Topi

Të jeni të sigurtë që abuzime të mëdha janë bërë pikërisht në zbatimin e ligjit 7501. Dhe së pari kanë bërë abuzime pikërisht pushtetarët vendorë

Topi, shuplakë Berishës për pronat




Tuesday, 04 December 2007 ("Sot")
ImagePresidenti Bamir Topi ka kritikuar ashpër mënyrën se si po procedohet për zgjidhjen e çështjes së njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronës private. Lidhur me kompensimin financiar të saj të parashikuar edhe nga qeverisja e djathtë Topi është shprehur se “Çështja e pronave, nuk zgjidhet me pesë milionë dollarë në vit. Pesë milion dollarë kushton vetëm një pronë në qendër të Tiranës”.

Shifra e cituar nga Presidenti është pikërisht fondi i parashikuar në buxhetin e shtetit shkon për kompensimin financiar të ish-pronarëve.Madje Presidenti ka shtuar se “Vlera e pronave që pronarët kërkojnë të kompensohen janë me shifra marramendëse, dhe të jemi realistë, shteti ynë është ende i dobët për të mos thënë i varfër për t’i hyrë ndërmarrjeve të tilla për kompensime financiare”.

Topi ka kritikuar formën e gjetur dhe të pranuar nga mazhoranca për kompensimin financiar duke u shprehur se “Ka një dëshirë për të bërë kompensim, por nuk është kjo rruga e zgjidhjes, sepse sot ekziston një rrugë tjetër, një transparencë të plotë të të gjitha pronave të bregdetit”. Pamjaftueshmëria buxhetit për kompensimin e ish pronarëve është përforcuar edhe nga shifra e përafërt që IDR(Instituti për Demokraci dhe Reforma) ka dhënë e cila shkon pothuaj në 4 miliardë dollarë. Kjo do të thotë që politika e Berishës për kompensim financiar do të jetë e papërballueshme edhe për shumë dekada të tjera të shtetit shqiptar.

Mungesa e profesionalizmit
Në work shopin “E Drejta e Pronësisë dhe Statusi i Kthimit të Pronave” presidenti Bamir Topi është shprehur se “çështja e pronave është konsideruar jo si e vështirë për t’u zgjidhur, por një çështje e cila tek ata që e kanë pasur në dorë këtë problem kohë pas kohe nuk gjen njerëz të motivuar për ta zgjidhur”. Ky sipas Topit është faktori kryesor i cili ka penguar në këto 17 vjet zgjidhje e çështjes së kthimit të pronave. “ju siguroj, ka thënë Presidentit që diku prona po vidhet, ju siguroj që diku një nëpunës i administratës e ka filluar ditën e punës me mendimin që diçka do të përvetësojë, diku do të hyjë në një Pazar. Të jeni të sigurtë që abuzime të mëdha janë bërë pikërisht në zbatimin e ligjit 7501. Dhe së pari kanë bërë abuzime pikërisht pushtetarët vendorë” duke theksuar kështu se çështja mbetet peng i pazareve dhe akteve të korrupsionit si edhe të mos zbatimit të ligjit në mënyrë koshiente ose nga padija. Kreu i shtetit ka denoncuar edhe faktin se sipas tij edhe Gjykatat janë bërë palë në këto procese korruptive duke u shprehur se njerëzit e cenuar nga ky proces e kanë humbur besimin tek drejtësia. Kreu i shtetit ka akuzuar zyrtarët për përvetësim të padrejtë të pronave legjitime të ish-pronarëve duke penguar kështu zgjidhjen e kësaj çështjeje.
Alternativat
Presidenti e ka quajtur fjalën e tij të ashpër për procesin si një detyrim që buron nga përfaqësimi që autoriteti i tij duhet t’u bëjë interesave qytetare. Në këtë kuadër Topi është shprehur se “problemi ndërlikohet në mënyrë subjektive nga njerëzit”. Kjo ka qenë një thirrje për strukturat shtetërore të ngritura për këtë problem për koordinimi të punëve të tyre si edhe për thjeshtim të praktikave burokratike të cilat sipas presidentit “i bëjnë qytetarët civilë të fillojnë ndjekjen e çështjes me flokë të zinj dhe të përfundojnë atë pa zgjidhur asgjë me flokë të bardhë”. Presidenti është shprehur se p;problemi është emergjent në zonat preferenciale,Tiranë-Durrës si edhe në zonat e bregdetit,pra aty ku interesat janë më të mëdha. Pikërisht për këto zona Presidenti ka bërë thirrje që të nisë sa më parë skanimi i dokumentacionit dhe zgjidhja me anë të formave alternative por duke marrë shkas nga vlera e tregut preferencialisht jo me anë të kompensimit financiar. Kreu i shtetit iu ka bërë thirrje të pranishmëve të sinkronizojnë metodat e zgjidhjes së problemit. “Një grup interesi ka luftuar politikisht për çështjet e ndryshimit të ligjit, përkrahur edhe nga subjekte politike. Pastaj ky debat është bërë në vite mjaft i ashpër Shteti ka për detyrë që të bëjë rregullimin ligjor, nëpërmjet Parlamentit, për të bërë sistemimin e interesave edhe të grupimeve të mëdha shoqërore”është shprehur presidentit duke shtruar edhe këtë detyrë për klasën politike. Por sipas tij zgjidhja qëndron në koordinimin e punës së strukturave të ngritura tashmë si ALUIZNI,AKKP,ZRPP etj për t’i hapur rrugë investimeve të cilat presin përfundimin e procesit të pronësisë.

No comments: