Tuesday, January 15, 2008

Globalizmi nis nga Vlora

Plator Nesturi (Shekulli-bloger)

Në konceptin e përgjithshëm të realitetit shqiptar, globalizmi është një koncept apo proces që ndodh diku larg, madje tepër larg brigjeve tona, dhe kjo është e kuptueshme ndërsa ne vijojmë të jemi të zënë me tranzicionin tonë prej të cilit nuk po dalim dot prej 17 vjetësh. E pra, globalizmi në botën jashtë nesh, qoftë në Azi, Afrikë dhe republikat e bananeve është kthyer në një çështje që diskutohet nga të gjithë, që nga bankat e shkollave dhe universitetet dhe deri në forume intelektualësh dhe politikanësh. Për të debatohet, krijohen platforma e strategji, madje edhe protestohet kundër tij duke e quajtur si një proces neokolonializmi. Sidoqoftë, megjithë mungesën e diskutimeve tek ne, Shqipëria duam apo s’duam, me dëshirë apo jo, ka hyrë bë procesin e globalizimit. Vetë procesi i integrimit në BE është një nga format e përgatitjes për të hyrë në rregullat e lojës së madhe të tregut botëror. Problemi që shtrohet është se si dhe sa jemi të përgatitur drejt kësaj aventure dhe nëse aktualisht Shqipëria në këtë fazë po përfiton apo po e pëson nga globalizmi?
Për shkak të izolimit të gjatë, për shkak të një shteti të dobët me institucionet politike e gjyqësore të hallakatura, për shkak të ekonomisë së prapambetur dhe paaftësisë për të hyrë dhe konkurruar në tregun global, duhet thënë se vendi ynë po e pëson tash për tash fenomenin e globalizimit në mënyrën më të pavetëdijshme. Ndoshta ndër elementët e vetëm me përfaqësim të suksesshëm të Shqipërisë me proceset e globalizmit është futja e vendit në rrjetin e organizuar të krimit.
Sot është e vështirë të gjykosh nëse Shqipëria me zhvillimet e saj të brendshme, me tranzicionin kaotik në këto 17 vjet, me një shoqëri që është ende në kërkim të vetvetes dhe ku ekzistojnë hone të mëdhenj midis shtresave të ndryshme të cilat shumëfishohen nga dallime të tjera, si fshat- qytet, vendës e jabanxhi, pronar dhe zaptues, fusharakë apo malokë, gegë apo toskë etj., të jetë një vend që shkon drejt një shoqërie të hapur dhe proceseve integruese. Pavarësisht dëshirës së shprehur (pasi rezultatet e anketave gjithmonë e nxjerrin Shqipërinë si vendi me përqindjen më të lartë të dëshirës për anëtarësim në BE apo NATO), për të qenë pjesë integrale e botës moderne, ekziston gjithashtu një hendek midis perceptimit të globales dhe normave të zbatuara në jetën e përditshme. Pyetja që shtrohet nga ky kontrovers aspiratash është nëse po shkojmë drejt proceseve të globalizmit apo drejt përplasjes së “qytetërimeve” brenda nesh. Dhe në këtë aspekt ideja e Hatingtonit është e kundërta e procesit të globalizmit, ndonëse të dyja fillesat e tyre i kanë pasur në fillimet e viteve 90-të, me rënien e murit të Berlinit.
Por për çfarë mund të jemi të vlefshëm ne në kushtet e globalizmit? Çfarë ofron Shqipëria dhe banorët e saj në këtë treg të madh e të kontrolluar? Hëpërhë mesa duket asgjë përveç krahut të lirë të punës, apo dhe përdorimit të territorit tonë në përputhje me interesat e investitorëve të mëdhenj, shtetërorë apo privatë të huaj.
Le të marrim shembullin e Vlorës. Shqipëria duket se ka interes për investitorët e huaj jo vetëm për krahun e lirë të punës, por dhe pse pozicioni i saj mund të shërbejë si plasdarm apo vend transiti për projekte të tilla si naftë apo gazsjellës, ndërtime TEC-esh etj. Kjo mund të sjellë të ardhura, vende pune, zbutje të problemit të krizës energjitike, por njëkohësisht mund të sjellë edhe pasoja në çështjet e ambientit. Mbetet kë duhet të zgjedhim duke i bërë transparencë të mirave dhe të këqijave nga ky proces shkëmbimi, ku duhet të japësh diçka për të marrë diçka tjetër. Duhet thënë që shpesh, raportet jo të drejta të vendosura me vendet në zhvillim nga ku vendet e zhvilluara sigurojnë një ndarje jo të drejtë të të mirave në kurriz të më të varfërve, është dhe thelbi i kundërshtimit dhe protestave kundër globalizmit. Kështu, ndaj ndërtimeve industriale me bazë nafte në Vlorë ka dy lloj protestash. Njëra nga qytetarë vlonjate, të duan që qyteti dhe gjiri të mbeten turistikë dhe të mos ndoten nga kjo industri, dhe nga ana tjetër ka pasur edhe një lëvizje të qytetarëve të Brindisit që protestuan duke kërkuar që oxhaqet e industrive që do të ngrihen në Vlorë të mos jenë të larta, pasi tymrat e tyre do të ndotnin bregun përballë të Brindisit. Kjo ndodh megjithëse 85 % e energjisë së prodhuar në TEC-in që do të ndërtohet në Vlorë, do të shkojë drejt Italisë. Në këtë mënyrë edhe kundërshtimi ndaj globalizmit në dy anët e Adriatikut qenka i ndryshëm.
Çuditërisht protesta e banorëve të Brindisit që paradoksalisht lidhet me ndërtimet në Vlorë, nuk kanë gjetur vend në shtypin shqiptar. Por kontrasti ndërmjet protestave të Vlorës dhe të Brindisit nuk lidhet me faktin se ku duhet të mbesin ndotjet sesa me çështjen e transparencës. Brindisiotët e kanë më të qartë se çfarë do të ndërtohet në Vlorë sesa vetë vlonjatët dhe shqiptarët. Ata e dinë se ka rrezik ndotjeje, ndaj dhe kërkojnë oxhaqe më të ulëta matanë detit, ndërkohë vlonjatëve u theksohet se qyteti i tyre dhe gjiri i Vlorës nuk rrezikojnë ndotje industriale. Edhe nëse mund të ketë, vijon i njëjti arsyetim, ky sidoqoftë është haraçi për të paguar që të mos vuajmë më mungesën e energjisë elektrike. Ndonëse nga ana tjetër nuk u bëhet e ditur se vetëm 15% e kapacitetit të TEC-it do të përdoret në Shqipëri, ndërsa pjesa tjetër do të vijojë drejt Brindisit ekologjik dhe më tutje Italisë.
Kjo hap dhe parantezën se jo gjithmonë rekomandimet e vendeve perëndimore dhe organizmave ndërkombëtarë për tranzicionin e vendeve lindore nga komunizmi në ekonomi tregu, si dhe për ecurinë drejt globalizmit ka sjellë gjithmonë rezultatet e premtuara. Dhe rasti i Rusisë që veproi sipas rekomandimeve dhe Kinës që i ndërmori vetë ato, janë shembuj të këtij kontrasti ku çuditërisht ishte Kina ajo që pati rritje të ekonomisë dhe ulje të varfërisë krahasuar me Rusinë.
Atëherë kë duhet të besojmë ne shqiptarët, apo e thënë më qartë, a duhet t’i pranojmë pa e vrarë mendjen se është për të mirën tonë gjithçka na sugjerohet prej së largu, apo prej Yesman-ëve që kemi në pushtet? Vlonjatët kanë shprehur dyshim se ndërtimet me bazë nafte në Vlorë janë në dobi të tyre, dhe kjo është një e drejtë që u takon përderisa dhe transparenca për ngritjen e kësaj industrie atje lë për të dëshiruar, ashtu siç është i mjegullt edhe vetë fati i gjirit dhe i mjedisit të zonës. Problem mbetet se kundërshtitë ndaj kësaj lëvizjeje qytetare nuk vijnë thjesht vetëm nga yesman-ët e politikës shqiptare,( pra ata qeveritarë që pranojnë pa kushte cilëndo sugjerim të huaj, me qëllim mbështetjen për pushtetin e tyre), por edhe nga një pjesë e shoqërisë e cila i quan si teka protestat e vlonjatëve. Kjo dëshmon njëkohësisht sesa mbrapa është në konceptin integrues e globalist edhe vetë shoqëria shqiptare, kur çështjet e mjedisit dhe mbrojtja e tij janë çështje të cilat tregojnë shkallë emancipimi të një shoqërie jo vetëm të hapur, por dhe vizionare. Në fund të fundit, çfarë vlerash mund të pretendojnë të shfaqim në Evropën e integruar nëse nuk dimë të mbrojmë veten dhe ambientin ku jetojmë. Ndaj kërkesat për zhvillim e aspiratat për t’iu bashkangjitur proceseve evropiane e globale, para se t’i shohim në statistika shifrash ekonomike, duhen kërkuar në stadin e shndërrimeve të shoqërisë shqiptare. Pasi, ndërkohë që nga politika jonë deklarohet se jemi në “kilometrin e fundit” të integrimit, faktet tregojnë se edhe nëse arrihen disa standarde politike, edhe nëse i marrim të mirëqena premtimet elektorale për një zhvillim ekonomik të vendit, bllokimi i procesit të emancipimit të shoqërisë, apo humbja e dëshirës nga ana e saj për hapje, duke lënë pas kulturën tonë të vjetër patriarkale, klanore, të intolerancës, gjakmarrjes, shtypjes së gruas etj., vështirë mund të thuhet se ky popull mund ta ndiejë biologjikisht të tijën identitetin evropian. Dikur BE-ja emërtohej Komuniteti Evropian, ndaj shqiptarët së pari duhet të dinë të krijojnë një komunitet.

No comments: