Saturday, February 09, 2008

Biografia e nje palasikoti te persekutuar


PAVLLO ASIMAQ KOKA (sipas origjinalit ne Tribuna: http://www.tribuna-news.com/pdf/20080208164945_hXTIitribuna.pdf

Njeriu I mirë, me shpirt të madh, nuk bën mirësira vetëm kur është gjallë, por edhe pas vdekjes. I tillë është rasti i të paharruarit Kiço Neço nga lagjia Gjilekate e Dhërmiut. Kemi tash sa kohë që kërkojmë fotografi për të ilustruar librin me këngë dhe valle palasikote dhe këto i gjetëm tek arkiva e këtij burri të mençur, që ia la si trashëgimi djalit të tij të vetëm, zotit Sofokli Neço. Zoti Kiço Llambro Neço lindi në Dhërmi, më 1923. Qysh fëmijë ai dallohej nga shokët e vet për zgjuarsi dhe intelekt të veçantë. Përveç pamjes së hirshme që i kishte falur natyra, bukuri e xhentilesë ai shfaqi gjithmonë edhe në marrëdhëniet me njerëzit, kishte fjalën e ngrohtë e të argumentuar, që bindte të madh e të vogël. Nxënës i shkëlqyer në fillore dhe 7 vjeçare, që i mbaroi në fshatin e

lindjes, po kështu edhe në normalen e Elbasanit e më pas në Firence, ku mbaroi akademinë e arteve.

Por nuk ishte thënë që ai të merrej me artin. Menjëherë pas çlirimit, gjendet si mësues në Skrapar e më pas në Dhërmi. Por një njeri i tillë, me kapacitete të theksuara intelektuale dhe artistike, u vë në shënjestrën e sigurimsave injorantë e analfabetë të regjimit satrap enverian, që në çso çast nuk përtonte të thurrte intriga. Më 1947, Kiço Neço arrestohet me akuzën e spiunazhit kundër shtetit dhe dënohet me burgim të përjetshëm. Lirohet pasi kryen 7 vjet burg, dhe kthehet në fshat, ku fillon punë si fotograf, duke u dalluar si specialist i zoti, por edhe si mësues, që përgatiti fotografë të tjerë, ndoshta më të mëdhenj se ai në moshë, në Vlorë,

Fier e Tirnë.

Ndërkohë e ka lidhur jetën me Afrodhiti Llambro Dafllën, një grua që, siç i thonë fjalës, vjen një herë në 300 vjet. Bashkëshorte ideale që e shikon Kiçon në dritë të syrit, ajo përkujdeset për të shoqin si për një fëmijë dhe i fal 3 vajza dhe një djalë, Sofokliun.

Pikërisht, për të falënderuar Sofokliun, që na vuri në dispozicion arkivin e tij, u shkruajtën këto fjalë, por edhe për barba Kiçon, i cili vdiq më 1984 dhe u varros me madhështi në Dhërmiun e tij të dashur.


1 comment:

Anonymous said...

I nderuar Z. Koka,
Me lejoni qe te verrej se Kico Llambro Neco, lindi, u rit dhe vdiq ne fshatin e Dhermiut, ne mehallen Gjilekatesh.