Friday, February 08, 2008

Një propozim që mbyll kalvarin në Himarë


Javën e shkuar, në cilësinë e deputetit dhe si bir i Himarës, ngrita në Parlament ...shqetësimin tim për mënyrën dhe vështirësitë e sigurimit të dokumentacioneve për vërtetimin e pronësisë së trojeve në këtë zonë të vendit. Në Parlament ngrita shqetësimin se procesi i kthimit të pronave në brigjet e Himarës, për pronarët dhe trashëgimtarët e tyre, përbën një kalvar shumëvjeçar dhe të futur në kalenda të çuditshme. Sikundër solla në vëmendje të publikut edhe paralajmërimin se me këtë çështje po kryhen manipulime dhe brenda saj fshihet një korrupsion shumëvjeçar dhe po sajohen projekte, të cilat po cenojnë të drejtën themelore të pronarëve.Dje përmes mediave u njoha me një letër që katër shoqata të Himarës i drejtojnë Presidentit të Republikës, z. Bamir Topi, të cilat kërkojnë që zgjidhja dhe procedimi për këtë çështje të jenë atribut i pushtetit lokal dhe i institucioneve lokale të Himarës.

Në pamjen e parë jam pro kësaj kërkese dhe i bashkohem asaj. I bashkohem kësaj kërkese, pasi i përkas këtij komuniteti dhe hallit që mbart ai nëpër të gjitha vitet e tranzicionit. Pronat e gjyshstërgjyshërve tanë, të babait dhe nënës time, edhe pse jam deputet i këtij Parlamenti, nuk po i marr dot. Dhe kur nuk arrij unë t’i marr, mendoni se ç’ndodh me një qytetar që e ka tejet të vështirë të vijë nga Himara në Tiranë, të presë orët e gjata dhe procedurat tejet burokratike, të marrë vërtetimet nga Arkiva Qendrore e Vendit, të shkojë nëpër zyrat kadastrale dhe të marrë edhe prej tyre vërtetimet, të presë Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe të shkojë më së fundi edhe te zyrat hipotekore. Kjo është një procedurë që në disa raste ka zgjatur deri në vdekjen e ndonjë himarjoti. E lodhshme deri në mallkim. Mirëpo ky kalvar ka ardhur koha të ndërpritet.

Himarjotët e meritojnë të trajtohen sipas Kushtetutës në të drejtën e marrjes dhe pasjes së pronësisë së tyre mbi tokën dhe pronat. Kjo gjë e bën të nevojshme marrjen e një mase të posaçme për zbatimin e reformës në Himarë. Unë mendoj se kjo arrihet duke pasur një interesim dhe veprim konkret të disa niveleve të pushtetit. Së pari, le t’i njihet pushtetit lokal kompetenca vepruese. Të instalohet në Himarë një administratë e vogël, e cila të arkivojë të gjithë dokumentacionin dhe aktet ligjore e nënligjore për të realizuar konkretisht këtë proces. Pranë pushtetit lokal dhe zyrave përkatëse do të ishte me vend të ngrihej edhe një komision i posaçëm, i cili të përfaqësonte të gjitha grupet e interesit për këtë çështje dhe në këtë mënyrë të realizohej konkretisht procesi më i zvarritur dhe të zgjidhej shqetësimi më i madh që kanë banorët e kësaj zone.

Natyrisht për t’u realizuar kjo duhet vullnet dhe angazhim nga të gjitha palët. Kjo realizohet kur nuk ka paragjykime dhe kur procedimi të jetë ligjor dhe institucional. Kjo kërkon transparencë dhe shpallje publike të të gjitha projekteve dhe interesimeve që ka për investime në zonën e Himarës. Në të kundërt, atëherë ekzistojnë të gjitha gjasat që sërish ky proces të mbetet në kalenda, të zvarritet dhe të përdoret nga grabitqarë të pushteteve qendrore dhe lokale.

Është mundësia që kësaj here çështja e pronave tona në Himarë të marrë një fillim zgjidhës. Vetëm në këtë mënyrë dhe me këtë mekanizëm, në të kundërt, mendoj se zvarritja e mëtejshme e tij dhe përfshirja e projekteve pa transparencë, do të vijojë aktet e manipulimit të pronësisë dhe do të mbajë të hapur premisat për konflikte pronësore dhe më tej në këtë zonë të vendit.

Nikollaq Neranxi(ne gazeta Panorama)

2 comments:

Anonymous said...

Mire thua z. Kiritsi, dhe nuk perjashtohet ne skandalin e zgjedhjes se kryeplakut (po qe ashtu si paraqitet ne site himara-blog) qe edhe aty te jete dora e "demokratit" Kokedhima

Beni

dhermijorgji said...

Besoj se propzimi i ofruar nga organizatat Himariote, me te cilen bashkohet edhe deputeti Nerenxi, me duket i rendesishem dhe i beshem (dmth qe mund te behet). Por duke u bashkuar edhe me mendimin e Benit ne komentin e dyte, duhet bere kujdes qe zgjdhja e ketijk problemi madhor te behet sipas procedurave te hapura qe te mos lene shkak per manipulim. Si duhet bere kjo konkretisht, duhet diskutuar dhe gjate dhe mire.
Por ne thelb, duhet pranuar, se zgjidhja me konsensusin e popullsise dhe grupet e interesit do te jete me e pranuara dhe me e suskesshmja.
Kristaq Jorgji