Monday, March 03, 2008

NJOFTIM MBI TAKIMIN E PËRFAQËSISË SË SHOQATËS “BREGDETI“ ME PËRFAQËSUESEN E BANKËS BOTËRORE/SHQIPËRI Znj. CAMILLE NUAMAH

post by [bregdeti@yahoo.com.]


SHOQATA A. K. ”BREGDETI “

Kryesia, Tiranë

Nr. Prot. .... /.......

NJOFTIM MBI TAKIMIN E PËRFAQËSISË SË SHOQATËS “BREGDETI“ ME PËRFAQËSUESEN E BANKËS BOTËRORE/SHQIPËRI Znj. CAMILLE NUAMAH

Më datën 21 Janar 2008 Shoqata Atdhetare Kulturore (AK) ”BREGDETI” i u drejtua me një letër Bankës Botërore (BB) në Shqipëri dhe Përfaqësisë së Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në Shqipëri

këtë letër, Shoqata AK Bregdeti theksohej se ajo ishte në vijim të letrave të dërguara më 21 Mars 2005 dhe 15 Nëntor 2007 këtyre institucioneve. Nëpërmjet saj u rikërkohej ndërhyrja dhe ndihma e këtyrë dy institucioneve pranë Qeverisë Shqiptare për kthimin fizik të pronës pronarëve të ligjshëm shqiptar, problem ky i pazgjidhur nga të gjitha qeveritë të 17 viteve tranzicion. Në letër vihej theksi për zonën turistike Vlorë-Sarandë, ku Qeveria Shqiptare ende nuk po vepron për plotësimin e detyrimeve kushtetuese, parashikimevet e Konventës Europiane dhe kërkesavet të Këshillit të Evropës për kthimin fizik të pronës tek pronari i ligjshëm etj.

Më datën 1 shkurt 2008 na u komunikua për një takim të posaçëm me përfaqësuesen e BB në Shqipëri, zonja Camille Nuamah, më datën 5 shkurt në orën 09.30.

datën 5 Shkurt në mjediset e Bankës Botërore në Shqipëri, përfaqësia e Shoqatës AK Bregdeti u prit nga vetë zonja Nuamah. Pasi u falenderua për mundësinë e dhënë, u zhvillua me të një bisedë rreth 2 orëshe, e cila u përqëndrua në problemet kryesore që shqetësojnë shoqatën dhe tërë banorët e Bregdetit.

Fillimisht Z. Nuamah u informua lidhur me Shoqatën A.K.”Bregdeti” si përfaqësuese e banorëve të Bregdetit të Jonit, prej Palasës e deri në Nivicë-Bubar; me programin e saj, ku çështja e kthimit fizik të tokës pronarëve të ligjshëm bregdetas, është alfa e të qënit bregdetas. Ajo u sqarua se pas përmbysjes së sistemit totalitar komunist, Parlamenti Shqiptar më 19 Korrik të vitit 1991, miratoi ligjin me Nr.7501, një ligj komunist dhe absurd , i cili tokën u’a jepte në pronësi vetëm banorëve që ishin në atë kohë në fshat.

Më pas, ajo u informua se megjithë përpjekjet e bëra për të shpëtuar nga dhuna shtetërore mbi të drejtën e pronës tonë, trashëguar nga të parët tanë, u bënë 17 vjet që qeveritë po heshtin para kësaj padrejtësie. Po ashtu, ajo u informua se si pasojë e kësaj heshtjeje, çdo ditë që kalon zona e jonë po pushtohet me ndërtime pa leje nga persona të tretë, pas të cilëve zakonisht ndodhet mbrojtja e fortëve të politikës. Ndaj u theksua dhe ju kërkua që projektet e mbështetura dhe të financuara prej BB të mos thellojnë anarkinë e pronës dhe dhe të mos kthehen në projekte vrasëse për popullin autokton të kësaj zone.

Në fokus të bisedes u vu edhe projekti i financuar nga Banka Botërore (BB) “Studimi për zhvillimin e Bregdetit të Jugut” duke kërkuar që të vlerësojë drejt kërkesën tonë se “zbatimi i këtij projekti kërkon si kusht paraprak dhe të domosdoshëm që Qeveria Shqiptare të realizojë kthimin fizik të pronave mbështetur në kadastrën e para vitit 1944 dhe në detyrimet kushtetuese si dhe në Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut”.

Përfaqësia e shoqatës i paraqiti znj. Nuaman tri kërkesat tona kryesore: (a) Kthimi i pronës duhet të jetë detyrim i shtetit, pasi ai ka të gjitha instrumentat (kadastrat, hipotekat, arkivat, dokumentat e shpronësimeve, hartat etj.) për të dalluar pronat shtetërore dhe ato private; (b) kompensimi për zonën tonë të bëhet vetëm për pronat dhe objektet që shfrytëzohen për interes publik dhe që deri në vitin 1991 janë tjetërsuar për godina banimi ose për objekte publike (shkolla, kopshte, ambulanca etj.) dhe (c) të mos lejohet në Bregdet legalizimi i ndërtimeve dhe i pushtimeve të paligjshme të tokave të bëra nga persona të tretë, pas vitit 1991.

Biseda vazhdoi rreth dy orë në një diskutim të qetë, transparent dhe shumë dashamirës, gjatë së cilës zj. Nuaman bëri shumë pyetje për të pasur më shumë njohuri në drejtim të kthimit e kompensimit të pronave të paluajtëshme në Shqipëri. Përfaqësia e shoqatës AK “Bregdeti” falenderoi zj. Nuamah për mundësinë e dhënë, duke qënë të bindur se ndërhyrja prej misionit të Bankës Botërore në favor të zgjidhjes së problemit të pronës, do të krijojë një terren për vendosjen e qetësisë sociale dhe një zhvillim të begatë ekonomik në vëndin tonë.

Kryetari i Shoqatës AK “Bregdeti”

Niko Nesturi

No comments: