Plator Nesturi
Ndërsa bulevardi Dëshmorët e Kombit ish mbushur nga dhjetëra mijëra qytetarë që protestonin në heshtje mbi atë çfarë kish ndodhur në Gërdec, ndërsa kërkesa e tyre për dorëheqjen e kryeministrit nuk artikulohej me zë por kjo fjalë, me rënien e muzgut, rëndonte përpara godinës së qeverisë, shumëkujt i kujtoheshin të tjera protesta. Manifestimet politike në Shqipëri me kërkesat në formë ultimative për dorëheqje të kundërshtarëve, deri disa kohë më parë janë shquar për karakterin militant, agresivitetin dhe gjuhën e ashpër. Maxhoranca e sotme, për sa kohë ishte në opozitë, ishte etaloni më shprehës i frenetizmit që karakterizon një miting dhe i mobilizimit të militantëve drejt përplasjes së pakompromis ku kundërshtari shihet si armik. Sidoqoftë, megjithë ashpërsinë e thirrjet kërcënuese të mitingjeve të deridjeshme, asnjëherë ato nuk arrinin dot të sillnin dorëheqje të pjesshme apo të krejt qeverisë. Kjo për faktin se kërkesat e artikuluara në këto manifestime vlerësoheshin mirëfilli politike. Kish më tepër gjasa që një qeveri të binte për shkak të një doganieri sesa nga protestat politike apo nga pakënaqësia e opinionit public mbi referomat e ndërmarra. Rastet e vetme që kanë bërë të mundur rënien e qeverisë, kanë ndodhur në ngjarjet e vitit 1997 me dorëheqjen e Meksit si dhe në vitin 1998 kur pas rebelimit të kryer pas vrasjes së deputetit Azem Hajdari, ish kryeministri Nano largohet nga posti i tij. Në të dyja rastet, më tepër sesa te detyruar nga rebelimi apo protestat, vendimet ishin të imponuara duke pasur si motiv faktin që situatat të mos percepitonin më tej dhe të dilnin jashtë kontrollit, ndonëse jo gjithmonë dorëheqjet ishin të mjaftueshme për të ulur gjakrat.
Të premten kjo gjë nuk ndodhi. Nuk pati thirrje e të sharat e zakonshme, ndonëse lista e 21 të vdekurve nga shpërthimi në Gërdec ende nuk quhet e mbyllur. Me atë çfarë pamë, do të dëshironim të shpreheshim se shoqëria shqiptare ka hyrë në një fazë të re të emancipimit. Dikush mund të thotë se kjo formë proteste ishte ide e opozitës, por vështirë të besohet se bulevardi do të ish mbushur me kaq qytetarë nëse protesta do të ish e zhurmshme dhe sipas klisheve të vjetra. Ndoshta kjo zgjidhje në heshtje vjen pasi vetë opozita e majtë nuk gjen forcë të mobilizojë njerëzit, mund të gjykojë dikush tjetër, por edhe kjo mbetet për të provuar. Mbase edhe të djathtët nuk mund të mbledhin në ditët e sotme, turma të mëdha njerëzish si dikur. Sidoqoftë ajo cfarë do të ish e sigurt, gjuha e maxhorancës nëse do të gjendej në pozicionin e opozitës, do të ish tërësisht më agresive duke tentuar ta shfrytëzojë në maksimum politikisht një situatë të ngjashme me atë të Gërdecit. Berisha ka qenë gjithmonë i tentuar për të luajtur me të gjitha gurët për arritjen e qëllimit.
Por problemi që shtrohet sot është se a do të lejohet të vijojë ky ndërgjegjësim i ri i shoqërisë që synon të shkëputet nga ethet e politikës, apo sërish politika do të arrijë ta tërheqë në vorbullat e dikurshme në shërbim të interesave të saj? Faktet tregojnë se qytetarët dhe politikanët kanë diskordancë ritmi dhe nga ky çorientim mbetet gjithmonë aktiv rreziku i prishjes së balancave të brishta në vend dhe rikthimit të ditëve të acarta.
Asgjë e re nga Gërdecland
Ajo çfarë kërkohet sot dhe që po zë vend gjithmonë e më gjerë në masën qytetare, është dorëheqja e kryeministrit Berisha. Gërdeci ishte shembulli më i qartë dhe më sinjifikativ i dështimit të qeverisë së tij. Ishte shprehje e paaftësisë për të mbrojtur qytetarët e vet. Ishte dhe shprehje se lufta kundër korrupsionit për të cilën erdhi në pushtet,rezultoi fiktiv, përderisa u gjend i implikuar në një aferë korruptive vrasëse që shkaktoi humbjen e kaq jetësh njerëzore, gjymtoi shumë të tjerë dhe rrënoi mijëra banesa rreth zonës së shpërthimit. Gërdeci duket se i vuri vulën pra, zhgënjimeve të shumta në këto dy vjet e gjysëm, nga një qeverisje që erdhi në pushtet në emër të duarve të pastra dhe po e mbyll ciklin me duar të llangosura me blozë tritoli dhe me njolla gjaku të viktimave në Gërdec.
Zgjidhja më normale në një shtet normal që ndodhet përballë një tragjedie ku është vetë shkaktar, do të ishte dorëheqja e kryeminisrit. Por Berisha e ka përjashtuar në mënyrë të qartë këtë opsion duke e quajtur ciklin të mbyllur pas dorëheqjes së ministrit të mbrojtjes Mediu. Për më tej, gjithshka i lihet në dorë hetimit të prokurorisë për zbardhjene ngjarjes dhe të fajtorëve. Sidoqoftë, ndonëse Berisha ka dëshmuar ashtu si në vitin 1997 se nuk është nga ata që dorëzohet me sulmin e parë, presioni në rritje i opinionit publik, lëvizjet politike si dhe ndërhyrjet këshilluese të ndërkombëtarëve, mund të çojnë apo detyrojnë kryeministrin ta rishikojë sërish statusin e tij. Pra, pavarësisht pozicioneve të ngurtësuara të ditëve të sotme, mbeten ende dy opsione: me Berishën si kryeministër deri në zgjedhjet e 2009 ose të dorëhequr ku pas kësaj mund të jenë të aplikueshme të tjera skema.
Në rast të dorëheqjes së Berishës nga kreu i qeverisë, sic është vërejtur edhe në biseda analistësh, zgjidhjet e mundshme rezultojnë: vijim i qeverisjes së koalicionit të djathtë me një kryeministër të ri, zgjedhje të parakohshme ose krijimi i një qeverie teknike deri në zgjedhjet e reja që i duhet të përgatisë dhe platformën zgjedhore me reformat përkatëse. Zëvendësimi me një figurë të re kryeministrirore, natyrisht mund ti krijojë mundësi koalicionit qeverisës të vijojë mandatin dhe njëkohësisht të përpiqet të përmirësojë imazhin e të fitojë kohë për të ngritur moralin e rrënuar të saj deri në zgjedhjet parlamentare të 2009-ës. Problemi qëndron se demokratët dhe e djathta në përgjithësi nuk ka një figurë alternative për kryeministër. Berisha e ka të qartë se është pikërisht ai motivi dhe imazhi përbashkues i kësaj të djathte, ndaj kushdo që mund t’i zerë vendin vecse do të krijonte kaos duke ndezur në mënyrë të paparashikueshme luftën e brendshme për pushtet dhe përplasjen e klaneve që gëlojnë në PD. Momenti duket i papërshtatshëm pasi Berisha ende nuk e ka pagëzuar delfinin e tij ose më saktë ende nuk e ka përgatitur për t’i lëshuar stafetën.
Rrugëzgjidhja e dytë janë zgjedhjet e parakohshme. Por në një situatë të tensionuar politike ku Gërdeci do të jetë laitmotiv, kur mungon infarastruktura zgjedhore dhe për hir të ballafaqimit elektoral partitë do ta lenë në mes inisiativën e ndërmarrë për kryerjen e reformës zgjedhore, merret me mend se si do të zhvillohen votimet dhe sa do të plotësohen standartet mbi to. As opozita vështirë se do të marrë me vrap rrugën për zgjedhje të parakohshme në këto kushte.
Por rrugëzgjidhja e tretë është ajo që e tremb më tepër Berishën dhe e shtyn të jetë i pandjeshëm ndaj kërkesës për dorëheqje. Krijimi i një qeverie teknike është vërtet në të mirë të vendit, ul tensionin politik dhe i shërben kapërcimit të krizës aktuale, vijon reformën zgjedhore dhe përgatit kushtet për votim normal. Logjika të thotë se për hir të interesave madhorë të vendit kjo është më e pranueshmja. Por Berisha jo rrallë herë e ka parë realitetin me mikroskopin e interesave të tij politikë. Për të është e qartë se një qeveri teknike, e cila do të ndërtohet në bazë të një marrëveshjeje me opozitën, do të thotë ndarje të pushtetit me të. Dhe ky do të ishte akti i parë i dorëzimit gradual të pushtetit pasi afërmend, shanset për fitore në zgjedhjet e ardhshme anojnë dukshëm mbi opozitën përderisa kriza aktuale u shkaktua prej gafave dhe paaftësisë së maxhorancës. Marrëveshja për qeveri teknike është firmosje e humbjes elektorale dhe kësaj zgjidhjeje Berisha do kërkojë t’i shmanget deri në fund.
Sigurisht, Berisha mund të rrijë në pushtet edhe duke mos pranuar të japë dorëheqje si kryeministër. Taktika e tij për të fituar kohë, e shoqëruar me retorikën ndaj banorëve të dëmtuar se “ja, fatkeqësitë edhe ndodhin, por unë jam haxër xhevap për t’ju dhënë para nga shteti e ta mbyllim këtë muhabet”, dëshmon se e ka të përjashtuar idenë se mund të lëshojë e të japë dorëheqjen. Ashtu si në Big Bradher ku pas tërheqjes së banorëve pas shpërthimit, loja vazhdon sërish, ashtu dhe Berisha gjykon se pas Gërdecit, qeveria e tij mund të vijojë punën deri në përfundim të mandatit apo shfaqjes elektorale. Madje, logjika se pushteti po i kërcënohet, e bën të ngërthehet më fort me të. Mbi këtë bazë, kryeministri po mundohet të blejë kohë dhe rrethana për të shmangur rrëzimin dhe disfatën. Perspektiva NATO duket si argument i gjendur për të fituar terren e të mos dorëhiqet duke menduar se ftesa për në samitin e Bukureshtit mund t’i japë oksigjen të mjaftueshëm për të vijuar qoftë edhe me ngërc mandatin deri në zgjedhjet e ardhshme.
Por pavarësisht faktit nëse ftesa do të mbërrijë në Tiranë, poltroni i kryeministrit është i krisur tashmë. Ai nuk mban dhe sado proteza e këmbalezë të vendosë Berisha, mbetet i pasigurt dhe i paqëndrueshëm. Opinioni publik, i pezmatuar me këtë qeverisje edhe për agravimin e problemeve ekonomike, nuk mund ta pranojë më të besueshme pas asaj që ndodhi në Gërdec. Ndërsa opozita do të bëjë punën e saj. I gjithë ky tension në rritje, akuzat për dështim, korrupsion deri në panginjësi me pushtetin përderisa nuk jepet akti normal i dorëheqjes, mund të sjellin dhe një pasojë tjetër. Atë që ta shtyjë njëkohësisht kryeministrin që për hir të ruajtjes së pushtetit të tij të bëhet edhe më agresiv, më intolerant e mund të shkasë edhe drejt abuzivizmit me pushtetin.
Kjo nënkupton se do të kemi një rritje të tensionit politik në vend, paqartësi nëse do të kryehn reformat që priten dhe madje mund të vihet në dyshim sesa demokratike do të jenë në kushtet e një klime të rënduar besimi dhe mungese bashkëpunimi midis maxhorancës dhe opozitës. Po kështu edhe zgjedhjet dhe respektimi i standarteve të tyre. Ndaj perspektiva e 2008 nuk është shpresëdhënëse. Shenjat e para të nervozizmit dhe agresivitetit Berisha i dha me median ndërsa akuza ngrinte faktin se për ngjarjet në Gërdec ajo nuk po raportonte sipas shijeve të tij. Dhe nëse temperatura politike ngrihet më shumë, siç janë edhe gjasat, pyetja që shtrohet është : kush e ka rradhën?
No comments:
Post a Comment