Saturday, May 24, 2008

Presidenti Topi: Standarde të larta bashkëpunimi dhe bashkëekzistence, vizion largpamës për politikat zhvillimore të Himarës.


http://www.president.al/shqip/info.asp?id=4208


24 maj 2008

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, gjatë takimit me Kryetarin e Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano dhe anëtarët e Këshillit Bashkiak, mbajti një fjalë në të cilën kërkoi: “Bashkëpunim, bashkëekzistencë në standardet më të larta të harmonisë fetare në të mirë të kësaj zone të mrekullueshme, në të mirë të Shqipërisë, në të mirë të të gjithë atyre që kërkojnë të integrohen të Evropë”.

Kreu i shtetit në këtë takim u shpreh:

“Përshëndetje të gjithëve,
Të nderuar përfaqësues të pushtetit vendor të Himarës,
I nderuar Kryetar i Qarkut,
I nderuar Prefekt,
Të nderuar deputetë,
Të nderuar përfaqësues të medias,

Ndjehem mjaft i gëzuar që jam sot në Himarë. Në fakt, udhëtimet në Himarë cilido i bën me dëshirë. Sot unë kam ardhur jo vetëm për të bërë një takim me përfaqësues të pushtetit vendor, po jam i ftuar edhe në një konferencë që realizohet në Himarë për çështjet e zhvillimit të Himarës, për çështje të zhvillimit të turizmit, të ekonomisë, sepse është e pamundur që të zhvillojmë një turizëm të palidhur me ekonominë e kësaj zone të mrekullueshme, të kësaj zone mjaft të bukur që është në interesin e të gjithëve, qoftë të banorëve që banojnë këtu, qoftë edhe të investitorëve që vijnë nga Shqipëria, që vijnë nga bota. Jemi në një moment kur të gjithë duhet të mendojmë, qoftë qeveria vendore, parlamenti, pushteti vendor, për një harmonizim të të gjitha ideve dhe për të krijuar një vizion të perspektivës në mënyrë që Himara, i gjithë bregdeti i jugut të jetë një zonë tërheqëse, sikurse e ka bërë natyra, e ka bërë Zoti, që të tërheqë investitorë, në mënyrë që kjo zonë të bëhet mjaft e zhvilluar, të jetë zonë e denjë për turizmin jo vetëm vendas, por për turizmin evropian dhe më gjerë.

Vij sot këtu në një moment kur Shqipëria është më afër se kurrë integrimit dhe atyre aspiratave që i kemi ëndërruar të gjithë. Pra, jemi në dy linja kryesore: integrimin në Bashkimin Evropian dhe integrimin në NATO. Ju e dini që ka dy dokumenta të rëndësishëm që i referohen integrimit të Shqipërisë. Është nënshkrimi i marrëveshjes së MSA-së për çështjet e integrimit në BE dhe është marrja e ftesës për anëtarësim në NATO, sfidë e cila do të përmbyllet mesa duket brenda vitit 2009. Këto dy linja integruese të Shqipërisë imponojnë që të gjitha strukturat e shtetit shqiptar, strukturat e pushtetit vendor të punojnë në mënyrë shumë të harmonizuar, që zhvillimi të mos vijë si një degëzim i interesave të çastit, por zhvillimi të jetë shumë i përputhur me të gjitha çështjet e tjera që kanë të bëjnë së pari me forcimin e shtetit ligjor, kanë të bëjnë me forcimin e së drejtës së pronësisë dhe natyrisht që, unë i marr në konsideratë ato shqetësime që keni ju. Kam pasur një komunikim edhe nëpërmjet korrespondencës, por natyrsisht kam qenë i pranishëm herë pas here në këtë zonë. Çështjet e pronësisë, sikurse ju jeni të informuar, nuk ekzistojnë vetëm në Himarë. Problemet e pronësisë kanë një fizionomi gati-gati të ngjashme në të gjithë territorin shqiptar. Kjo është arsyeja që debati politik, ku janë të përfshirë edhe ekspertë, ku janë përfshirë të gjitha forcat politike dhe besoj se sot, në vitin 2008, kemi rastin që të dëgjojmë gati të njëjtin opinion nga e gjithë politika, nga të gjitha institucionet dhe nga ekspertët ndërkombëtarë që me çështjet e ligjit për pronën, po të bëjmë një vështrim retrospektivë në të kaluarën, janë bërë mjaft gabime. Janë bërë gabime të cilat mund t’i konsiderojmë si gabime që lidhen me kohën kur u miratuan ligjet dhe, në mënyrë absolute, askush nuk gjykohet pse realizoi një ligj jo fort të mirë. Këto ishin interesat e kohës, këto ishin padyshim dhe përgatitjet profesionale, intelektuale dhe politike të kohës, por ajo që do të ishte e pafalshme në çdo kohë, si në vitin 1992, ashtu dhe në vitin 2008, është pikërisht abuzimi me ligjin që është në fuqi, apo me kuadrin ligjor që është në fuqi. Nga kjo pikëpamje, unë kam inkurajuar institucionet, të gjitha ato institucione që merren qoftë me administrimin e të drejtës së pronësisë në Shqipëri, por edhe politikën në përgjithësi, që të bëjnë ç’është e mundur që të rivendosin të gjithë të drejtën mbi pronën aty ku është abuzuar me kuadrin ligjor ekzistues. Natyrisht, gjithashtu kam inkurajuar edhe një motivim më shumë që politika, parlamenti, qeveria të përmirësojnë kuadrin ligjor në mënyrë që çështjet e pronësisë në Shqipëri të marrin një zgjidhje përfundimtare.

U zgjata pak tek çështja e pronësisë për të respektuar atë shqetësim që ju e keni ngritur kohë pas kohe, e ngritët edhe sot, sepse problemi i pronësisë lidhet në mënyrë shumë të qëndrueshme edhe me perspektivën e zhvillimit të zonave. Ne jemi të gjithë të interesuar që kjo zonë të mos qëndrojë e pazhvilluar, por jemi të interesuar gjithashtu dhe është një element që unë do e shpreh sot edhe në konferencën që do të mbahet për zhvillimin e turizmit në këtë zonë. Jemi në një moment ku të gjithë duhet të fuksionojnë jashtëzakonisht të harmonizuar, çka do të thotë që kjo zonë, përveç zgjidhjes së problemeve të pronësisë, do patjetër një plan të plotë për zhvillimin e turizmit, për ndërtimin. Është e papranueshme që në vitin 2008, ne të kemi një fizionomi turistike në breg që u ngjan vendeve mesdhetare të viteve ‘50. Këtë askush nuk duhet ta pranojë dhe është e papranueshme gjithashtu, dhe këtë e konstaton çdo njeri që kalon në bregun e Jonit, që të kemi ndërtime ordinere, ndërtime që bëhen vetëm për mbijetesë dhe askush nuk duhet që të ketë luksin që të ndërtojë një shtëpi për mbijetesë në bregun ndoshta më të bukur, ose ndër më të bukurit të Mesdheut. Pra, ka ardhur koha që i gjithë shteti, të gjitha strukturat e pushtetit vendor, kudo që janë, të mendojnë jo për vete, të mos mendojnë për interesat e çastit, të mendojnë për perspektivën. Të mos bëhemi kaq egoistë, por të mendojmë për brezat. Të gjithë ata që vijnë të vizitojnë Shqipërinë sot, ju siguroj që janë personalitete, të cilët jo vetëm mbajnë pozicione shumë të rëndësishme, ka ardhur edhe Kreu i Organizatës Botërore të Turizmit, kanë ardhur edhe personazhe nga më të njohurit, kanë ardhur njerëz që praktikisht kanë shëtitur gjithë botën dhe në një shprehje sinkronizohen të gjithë: “Keni plazhet e fundit në Evropë”. Në ç’kuptim plazhet e fundit? Sepse të gjitha vendet i kanë ezauruar mundësitë e zhvillimit të turizmit nëpër brigjet e tyre. Ne kemi një shans të madh. E keqja dhe e mira natyrisht vijnë bashkë. Vërtet jemi të vonuar në çështjet e zhvillimit dhe të administrimit të këtyre hapësirave të mrekullueshme turistike, por kemi shansin që të mësojmë nga gabimet e të tjerëve.

Kjo patjetër kërkon që njerëzit të dalin nga mentalitetet e së kaluarës, është e papranueshme kur të gjithë sot dëshirojmë të integrohemi në Evropë. Dhe integrimi në radhë të parë vjen nga mentaliteti. Secili duhet të hapë mendjen e tij, duhet të jetë më i gjerë, më i hapur, më bashkëpunues. Sot nuk është koha e parcelizimeve. Sot ësht koha kur ne dëshirojmë të gjithë të jemi njerëz të lirë, të lëvizim të lirë, pra, të mos ketë një lloj kontradiksioni në qënien njerëzore, që nga njëra anë kërkon të jetë e lirë dhe nga ana tjetër të krijohen pengesa artificiale për fqinjët, për komunitetin. Por mesazhi im është i qartë: bashkëpunim, bashkëpunim, bashkëpunim, në të mirë të kësaj zone të mrekullueshme, në të mirë të Shqipërisë, në të mirë të të gjithë atyre që kërkojnë të integrohen në Evropë. Bashkëekzistencë në standardet më të larta të harmonisë fetare - e kemi thënë dhe vazhdojmë ta themi që një ndër elementët me të cilin ne krenohemi në komunitetin ndërkombëtar, në organizmat e ndryshme ku bëjmë pjesë, aty në atë linjë ku ne dëshirojmë të shkojmë, është pikërisht standarti i harmonisë fetare. Dhe një element tjetër shumë i rëndësishëm është që pushteti vendor në Himarë duhet ta trajtojë të gjithë zonën në mënyrë shumë të harmonizuar. Detin, bregun na e ka falur natyra. Askush nuk e trashëgon nga i ati, apo nga gjyshi. Por bukuria nuk është vetëm tek ajo që të fal natyra, bukuria është tek puna e njeriut dhe deti pa një zhvillim tërësor i të gjithë zonës, çka presupozon zhvillimin e bujqësisë, zhvillimin e blegtorisë, zhvillimin e kulturës së ullirit dhe të industrisë përpunuese, me detin, resortet turistike, me turizmin familjar, do të bëni të mundur që kjo zonë të kishte një perspektivë shumë të qartë zhvillimi. Unë jam i bindur që gjërat nuk bëhen thjesht me pushtetin vendor, gjërat harmonizohen me pushtetin qendror. Këto janë probleme të masterplaneve, por masterplani mbetet në kufij shumë të gjerë, por punët e vërteta bëhen në pushtetin vendor. Ne kemi stimuluar dhe vazhdojmë të stimulojmë të gjitha institucionet që çështja e rritjes së kompetencave të pushtetit vendor, që rrjedh nga Karta e Autonomisë Lokale, e ratifikuar nga parlamenti shqiptar, të jetë në harmoni me thelbin e tij, çka do të thotë pushteti vendor ka kompetencat e veta, por ka edhe përgjegjësitë e veta dhe duhet të harmonizojë punën e vet me pushtetin qendor.

Një element tjetër që unë do të doja të citoja është që politikat zhvillimore të zonës, që bëhen nga Këshilli Bashkiak, i cili duhet të jetë shumë largpamës, shumë i organizuar, të jetë shumë i kujdesshëm në zbatimin e ligjit kudo, së bashku me strukturat e tjera, sepse vetëm në këtë mënyrë ne mund të krijojmë atraksion për të gjithë. Ne kemi një shans shumë të madh që kemi rritur sigurinë me marrjen e ftesës për anëtarësimin në NATO, çka do të thotë që investitorët janë shumë të interesuar për të ardhur. Po realizojmë një rrugë që do të jetë në shërbim të të gjithëve dhe pastaj, çështjet e organizimit që kanë të bëjnë me Himarën, me fshatrat, në harmoni të plotë me tërë ato elementë që unë thashë, janë çështje që kanë të bëjnë kryesisht me administrimin e pushtetit vendor.

Unë përfitoj nga ky rast që t’ju inkurajoj në punën tuaj, të dini të administroni me shumë kujdes, të kuroni me shumë kujdes këtë bukuri të mrekullueshme të natyrës sonë, por nga ana tjetër e përsëris, duhet të shikoni shumë larg, sepse nuk mund t’i lërë Himara fshatrat përreth të pazhvilluara. Duhet patjetër që të shkojë në standardet që i ka i gjithë rajoni përreth.

Unë ju uroj gjithë të mirat, të keni harmoni, që është shumë e rëndësishme, sepse harmonia nuk presupozon mungesën e debatit, debati të jetë konstruktiv, të jetë në institucione, por harmonia projektohet edhe në shoqëri dhe është padyshim shoqëri, të cilën ne kërkojmë ta çojmë në standardet e të gjitha familjeve të shteteve evropiane.

Ju faleminderit”!

No comments: