Saturday, May 24, 2008

FJALA E PRESIDENTIT TOPI NË KONFERENCËN II PAN-HIMARIOTE “NDËRTIMI I VIZIONIT PËR PRIORITETET E ZHVILLIMIT TË RAJONIT TË BREGDETITI”.


24 maj 2008
Himarë

“Të nderuar përfaqësues të pushtetit vendor,
Të nderuar zotërinj deputetë,
Të nderuar zotërinj përfaqësues të USAID-it,
Të nderuar zonja dhe zotërinj, intelektualë, studiues të mjedisit,

Është një kënaqësi e veçantë që ndodhem këtu në Himarë për të marrë pjesë dhe për të komunikuar me ju nëpërmjet një fjale përshëndetëse për konferencën që ju organizoni për një çështje do të thoja madhore, që ka të bëjë jo vetëm me situatën aktuale, por me perspektivën e zhvillimit të Himarës, të zonës së bregut, të fshatrave përreth, një zonë e cila nuk ka nevojë të komentohet, nëse do të jetë një zonë me përparësi e zhvillimit turistik. Këtë e konstatojnë banorët, këtë e konstaton dhe një njeri që vjen qoftë dhe për një ditë në këtë zonë, këtë e konstatojnë të gjithë të huajt kur marrin informacionin e nevojshëm për Shqipërinë dhe padyshim, ne krenohemi me këtë zonë. Sa herë që ne dëshirojmë të respektojmë autoritetet që vijnë në Shqipëri, përveç zonave të tjera që kanë të ndërthurura bukuritë natyrore, historinë, kulturën, padyshim që ne i referohemi gjithnjë bregut, i referohemi Himarës. Kjo është një bukuri e pashoqe, do të thoja edhe në Mesdhe.

Secili prej nesh në këtë botë të lirë, në këtë botë që çdo ditë e më shumë ne kërkojmë që të komunikojmë më lirshëm, konstatojmë në vende si Himara që ajo çfarë thashë është realiste, nuk ka brenda asnjë notë zbukurese, përkundrazi është një emocion që e përjetojnë të gjithë që vizitojnë Himarën, bregdetin, bukurinë e maleve që i vijnë përreth Himarës dhe traditën e kësaj zone padyshim. Unë do të dëshiroja që në fjalën time të inkurajoja padyshim punën e të gjithëve, sepse perspektiva e kësaj zone nuk mund të realizohet në mënyrë metafizike, qoftë nga qeveria, qoftë nga pushteti vendor, përkundrazi, Himara, perspektiva e kësaj zone kërkon bashkëpunimin e të gjithëve. Jo pa qëllim thashë që kjo zonë, e cila deri tani nuk ka patur zhvillimin e duhur, duhet thënë që jo çdo e keqe vjen për keq. Kjo është një shprehje e vjetër, e cila mund të tingëllojë aktuale duke parë që gjatë viteve të tranzicionit, një pjesë e bregdetit tonë për fat të keq është betonizuar, ka dalë nga interesi i zhvillimit të turizmit, janë kthyer në zona të banuara. Jo gjithmonë ata që kanë para, shohin larg në perspektivë. Kemi parë zona të cilat janë kthyer në banesa të dyta, apo të treta për disa familje, por në fakt kanë ngurtësuar dhe penguar zhvillimin e turizmit në atë zonë të caktuar. Ne dëshirojmë dhe në radhë të parë i drejtohem studiuesve, sepse janë pikërisht ata që me profesionalizmin e tyre, me dijet e tyre nuk do të lejojnë cilëndo strukturë, qoftë strukturë vendore, qoftë strukturë lokale që të bëjë gabimet që kanë bërë të tjerët. Kur them të tjerët, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet përreth. Për këtë zhvillim, gati-gati amatoresk qahen edhe vendet fqinjë, sepse i kanë ndërtuar ato në vite kur nuk kishin menduar gjatë për perspektivën. Kjo është arsyeja sot që ekonomia turistike në disa vende që kanë qenë të pazhvilluara po dominon mbi industrinë turistike të disa vendeve të konsoliduara. Ne duhet të dimë të përfitojmë nga ky moment dhe askush nuk mund të akuzohet më shumë sesa ata që sot janë nëpër pozicione, nëse nuk do të marrin në konsideratë mendimet e vyera të profesionistëve.

Unë shoh sot këtu përfaqësues të nderuar të botës akademike, me të cilët kemi bashkëpunuar herët, që në vitin 1992 me një projekt të Bankës Botërore për monitorimin e situatës ambientale në Shqipëri. Dhe nga një fazë e parë që ishte për të bërë një vështrim të përgjithshëm të ambientit në Shqipëri, doli një fazë e dytë që kishte të bënte në mënyrë ekskluzive me luginën e Shkumbinit. E përdora si pikë referemi për të thënë që studiuesit janë ata që duhet të thonë fjalën e tyre dhe kjo është një konferencë, e cila duhet të jetë me terma shumë profesionalë. Në konferenca të tilla duhet të bëhet shumë pak politikë. Politika duhet të jetë e vullnetshme që mendimet e vyera që debatohen në konferenca të tilla, ku sikurse thashë, mendimi profesional duhet të dominojë, politika duhet të ekstraktojë, duhet të marrë mendimet për zhvillimin me sukses të kësaj zone që natyrisht, duke parë angazhimin e disa burrave shumë të moshuar, motivimin e tyre, tregon që në qënien e tyre, në intelektin e tyre nuk është më shërbimi ndaj vetes, është shërbimi ndaj brezave. Pra, ne duhet të zhvillojmë një zonë që duhet të jetë në interes të brezave, në mënyrë që brezat pas nesh të mos gjykojnë paraardhësit dhe këto bukuri natyrore të pashoqe t’i prishë për fat të keq dora e njeriut dhe për fat të keq njerëzit që nuk ishin në gjendje që të orientoheshin. Sot padyshim që ka mjaft probleme. Ka probleme, të cilat janë të ndërthurura me njëra-tjetrën, por kurrsesi problemet nuk mund t’i influencojnë negativisht njerëzit. Përkundrazi, problemet i motivojnë pozitivisht njerëzit të gjejnë atë që ka përgjegjësi. Të gjithë ata që janë sot këtu të hedhin ide, të debatojnë mendimet e tyre, pastaj t’i sintetizojnë dhe t’ua japin të gatshme strukturave. Kjo është arsyeja që në retrospektivë kemi patur mjaft studime, kjo është arsyeja që unë falenderoj përfaqësuesit e botës akademike, përfaqësuesit e USAID-it, të Bankës Botërore dhe të gjithë atyre që kanë ndihmuar me projekte në konferenca të tilla që i kontribuojnë sjelljes së një mendimi novator dhe eksperiencave të reja për ta bërë këtë zonë me një zhvillim të admirueshëm. Të gjithë, në mënyrë reflektive, kur vijnë këtu drejtojnë sytë nga deti, sepse bukuria e parë është ajo që tërheq më shumë, por në këtë zonë nuk është vetëm deti. Në det mund të rrish edhe me motoskaf, por nuk mund të jetosh gjatë. Ajo që i jep bukuri zonës është pikërisht ai që konsiderohet kompleksiteti i kësaj zone dhe ajo që e bën sot turizmin modern, kompatibiliteti i resurseve që vijnë nga brenda territorit. Për të realizuar atë turizëm modern që sot konsiderohet jo vetëm shfrytëzimi i bregdetit, por të marrësh kulturën e zonës, të konsumosh produktet, prodhimet e zonës, pa qenë nevoja që të konsumojmë prodhimet që vijnë nga jashtë, sepse eko-turizmi sot është mjaft kompleks, fillon në traditat e zonës, në kultura, të cilat rriten këtu, dhe me një element mjaft të rëndësishëm, të cilin unë besoj se do të ishte me interes t’i referoheshim në këtë konferencë, ajo që të gjithë të huajt, organizmat ndërkombëtarë i thonë “food safety”, e cila është siguria dhe cilësia në ushqim.

Turizmi sot nuk është i lidhur thjesht me detin, malin, apo turizmin kulturor, sepse ajo që konkurron më shumë sot është industria turistike. Të gjithë mundohen të ofrojnë të gjithë komoditetin, por tek e fundit njeriu kërkon të jetë i sigurt edhe nga pikëpamja e konsumit për ushqimin. Kjo është arsyeja që nuk mjafton që të vrojtojmë vetëm bukuritë natyrore, por duhet një bashkëpunim i rëndësishëm i të gjitha institucioneve. Janë dikasteret e linjës ato që do të merren me këtë çështje. Natyrisht, Parlamenti ka miratuar ligjin për ushqimin, institucionet e kanë për detyrë që ta zbatojnë atë. Kjo vlen edhe për pushtetin vendor këtu. Njerëzit kur vijnë këtu, duhet t’i kenë të gjitha kushtet, jo vetëm të infrastrukturës, por edhe të ushqimit. Ne kemi patur mundësi që të merremi me monitorimin e situatës ambientale. Ju siguroj që kjo zonë nga të gjitha studimet frekuente që janë bërë, mbetet zona më e pastër e të gjithë bregdetit tonë dhe kjo nuk duhet harruar. Kjo duhet mbajtur. Është një shans unikal që nuk e kanë zona të tjera. Në këtë zonë nuk ka industri. Unë e pashë dhe e dëgjova me vëmendje që këtu ka plane për ndërtimin e impianteve të pastrimit dhe të purifikimit. Jam i bindur se duke e trajtuar me kujdes të gjithë këtë çështje, unë them që do të dalë një produkt shumë i rëndësishëm.

Dëgjova me shumë vëmendje që u prek problemi i pronësisë. Të gjithë flasin sot për çështjen e pronësisë. Shqipëria është një vend relativisht i vogël. Një pjesë e konsiderueshme e territorit është kodrinor-malor, ku problemet e pronësisë përgjithësisht konsiderohen të gjitha. Ju e shikoni ku është debati, apo “konflikti” për pronësinë. Çështja e pronësisë mbetet një shqetësim madhor lidhur edhe me atë çka po trajton kjo konferencë sot, pra, perspektivën e zhvilimit të turizmit në këtë zonë. Për çështjen e pronësisë janë bërë shumë debate publike, debate politike. Po bëhet gati një njëzetvjeçar që ne po trajtojmë, në mjaft raste në këndvështrime të ndryshme çështjen e pronësisë. Unë mendoj dhe e kam patur gjithmonë bindje dhe jam i detyruar që të shprehem dhe të inkurajoj që çështja e pronësisë, problemi madhor i pronësisë, duhet të marrë zgjidhje definitive dhe për këtë kam inkurajuar në mënyrë të vazhdueshme të gjithë aktorët politikë. Ligjet bëhen në Parlament nga forcat politike parlamentare. Kjo është një çështje bazale. Të mos themi falsitete. Jemi mbledhur këtu për zhvillimin e turizmit. Sikurse kam qenë gjithmonë i drejtpërdrejtë, dëshiroj të mbetem i tillë. Nuk ka shanse të zhvillohet një turizëm i perspektivës, turizëm bashkëkohor, turizëm që do të garantojë të gjithë perspektivën e kësaj zone dhe të zonave të tjera turistike, pa u konsoliduar dhe pa marrë zgjidhje definitive çështja e pronësisë. Sigurisht që nuk kam thënë asgjë që dëgjohet për herë të parë, sot jam duke u shprehur në mënyrë të tillë që të gjithë në diskutimet e tyre dhe në hartimin e strategjive të perspektivës duhet të marrin shumë parasysh këtë fakt që ta inkurajojnë të gjithë këtë proces.

Është bërë një hap i rëndësishëm që duhet marrë në konsideratë - rivlerësimi i mjaft pronave, që janë marrë në mënyrë abuzive. Unë, si President i Republikës, e inkurajoj këtë hap. Unë operoj në kuadrin ligjor ekzistues. Nuk më lejohet në mënyrë absolute që të mbaj qëndrim jashtë kuadrit ligjor. Kjo është arsyeja që kam inkurajuar rivlerësimin e të gjithë titujve të pronësisë që janë bërë në mënyrë abuzive, por të gjithë kanë shansin dhe kjo mund të realizohet me pak kujdes, me bon sens nga të gjitha palët, jo për të parë parcelizimin, por për të parë më gjerë, për të parë më larg. Vizioni juaj duhet të jetë shumë perëndimor. Duhet të dalë nga parcelizimet e vogla dhe t’i japë frymëmarrje të gjitha zonave turistike. Të rregullojmë titujt e pronësisë aty ku është e mundur të realizohen edhe rregullimet ligjore, sepse do të ishte e papranueshme që ne të realizojmë edhe një dhjetëvjeçar tjetër, duke u marrë me çështjen e pronësisë. Këto janë probleme që politika dhe institucionet duhet t‘i zgjidhin në mënyrë definitive. Të diskutosh për zhvillimet e perspektivës, të turizmit, pa marrë në konsideratë këtë moment, do të ishim jashtëzakonisht diletantë në trajtimin e atij turizmi që ne kërkojmë të ndërtojmë.

Duke ardhur për në Himarë dhe jo vetëm sot, kam parë që lindin shtëpi në bregdet. Të nderuar miq, do të ishte mëkat i vërtetë që të abuzojmë me këtë bukuri unikale duke ndërtuar të tilla shtëpi ordinere sa për mbijetesë. Është gabim i madh që bëhet, qofshin ata që kanë ndërtuar në truallin e tyre, qofshin ata që kanë ndërtuar në pronën e shtetit apo të dikujt tjetër. Kjo thërret për vëmendje të gjitha strukturat, qoftë ato qendrore, qoftë ato lokale, në radhë të parë pushteti vendor të jetë i kujdessshëm, të jemi të motivuar, dhe unë padyshim e shikoj motivimin tek të gjithë ju.

Unë dëshiroj t’ju inkurajoj në të gjithë debatin që ju do të bëni në këtë konferencë, nga i cili patjetër do të kemi një produkt të rëndësishëm, që do të jetë si një pikë referimi, sepse është në interes të të gjithëve, në radhë të parë të banorëve që jetojnë këtu, në mënyrë që bukuritë natyrore, tradita e kësaj zone, kultura e saj të jenë në shërbim të turistëve të Shqipërisë, por edhe të atyre që vijnë nga vendet e tjera, për ta bërë Himarën, të gjithë zonën e bregdetit të jugut një zonë elitare. Unë jam i bindur që e ardhmja e kësaj zone do të jetë patjetër e ndritur, ku njerëzit, ata të pranishëm këtu dhe të gjithë së bashku të mendojmë në mënyrë shumë profesionale dhe me një mentalitet perëndimor, sepse Shqipëria është e destinuar, sikurse të gjithë vendet e tjera, të jetë pjesë e familjes evropiane.


Faleminderit!

No comments: