Saturday, May 24, 2008

Presidenti Topi i përgjigjet interesimit të gazetarëve nga qyteti i Himarës.


http://www.president.al/shqip/info.asp?id=4210


24 maj 2008

Pyetje: Keni deklaruar pak minuta më parë se do të inkurajoni rivlerësimin e titujve të pronësisë në ato prona ku është abuzuar. Konkretisht, çfarë nënkupton kjo nismë dhe ku do të këmbëngulni, më saktësisht?

Presidenti Topi: Nuk e dëgjoni për herë të parë, unë jam shprehur edhe disa muaj më parë lidhur me abuzimet që janë bërë mbi bazën e ligjeve ekzistuese. E shoh të rëndësishme që ta ritheksoj që Presidenti i Republikës nuk mban një pozicion ekstraligjor, përkundrazi është garant i gjithë kuadrit ligjor që ekziston në Shqipëri. Me këtë, unë nënkuptoj që mbi bazën e kuadrit ligjor ekzistues, edhe kur një ligj i caktuar nuk pëlqehet nga një kategori e caktuar, nga grupe interesi, kjo nuk do të thotë që ky ligj mund të jetë respektuar si i tillë, çka do të thotë që edhe mbi bazën e ligjit 7501 ka pasur mjaft abuzime. Ka iniciativa edhe në Parlament që po merren për të parë të gjithë titujt e pronësisë mbi bazën e respektimit të ligjit 7501. Unë fjalën time e kisha pikërisht në këtë kontekst dhe duke diskutuar më gjerë për çështjen e pronësisë, e lidhur pikërisht me atë për të cilën ishim mbledhur sot në Himarë, për çështjen e zhvillimit të turizmit, unë kam pasur, kam dhe do ta kem gjithmonë këtë bindje dhe si unë dhe shumë të tjerë dhe çka është më e rëndësishme, këto mendime vijnë nga komuniteti i profesionistëve që merren me çështjet e zhvillimit të turizmit dhe të mjedisit, se pa konsolidim të titujve të pronësisë nuk do të kishte as hapje të tregut ligjor, pra të komunikimit të njerëzve për të shitur dhe për të blerë tokën. Turizmi i viteve që vijnë, natyrisht nuk duhet të jetë një turizëm i këtyre ndërtesave që jemi mësuar që në mënyrë abusive t’i shohim të ndërtuara buzë detit. Për fat të keq, edhe gjatë këtij viti janë ndërtuar të tilla ndërtime që unë i kam konsideruar ndërtime ordinere që nuk janë për turizëm, ato janë vetëm për mbijetesë. Të ndërtosh shtëpi kaq të dobëta duke prishur ambientin, duke prishur ekosistemin dhe duke prishur mbi të gjitha perspektivën e këtij turizmi, kjo mendoj që mbi të gjitha është një përgjegjësi e të gjitha strukturave të shtetit, e pushtetit vendor në mënyrë të veçantë, në mënyrë që të bëjmë një bllok të përbashkët për frenimin e këtyre ndërtimeve abuzive dhe mbi të gjitha për t’i hapur një perspektivë të qartë zhvillimit të turizmit. Ne kemi shansin e keq dhe shansin e mirë, sepse e mira dhe keqja në këtë botë janë kompatibile, janë bashkë, shansin e keq që për shumë dekada kemi mbetur të frenuar, përsa i përket zhvillimit të turizmit në këto zona fantastike, të mrekullueshme. Por nga ana tjetër, kemi shansin që të mësojmë nga gabimet e të tjerëve dhe të vendeve mesdhetare, të cilat sot në këto vite ankohen për brezat paraardhës që kanë ndërtuar në mënyrë abuzive dhe kanë betonuar të gjithë brigjet e bregdetit. Kështu që ne kemi shansin sot në vitin 2008, t’i hapim një perspektivë të re, në radhë të parë për brezat që vijnë, në mënyrë që ndërtimet të jenë në harmoni me mjedisin, çka do të thotë që turizmi nuk është vetëm që të shtrihet në bregun e rërës, për një periudhë të caktuar kohe, një javë apo dy javë, por turizmi duhet të jetë gjithëvjetor dhe turzimi gjithëvjetor garantohet nga respektimi i kompleksitetit dhe asaj çka sot konsiderohet si një turizëm integral, pra turizëm i detit, i bregdetit, turizëm kulturor, turizëm që vjen pikërisht nga zona që janë me tradita, ushqimin specifik të kësaj zone, pra janë shumë koncepte që bashkohen në një dhe ky quhet koncepti i integruar i zhvillimit të turizmit, që unë besoj që, duke konsoliduar titujt e pronësisë do të kemi shansin që të bëjmë edhe masterplane, të bëjmë edhe ndërtimin e projekteve për zona të caktuara që do të jenë detyrimisht të orientuara dhe të kontrolluara nga jashtë shtetit.

Pyetje: Zoti President, sot media greke ka akuzuar qeverinë shqiptare se ka abuzuar me pronat në jug, ndërkohë që ju flisni për abuzime me tituj pronësie. Sipas Presidentit të Republikës, a ka qarqe të caktuara politike, gjatë këtyre viteve, nuk po flasim për katër vitet e fundit, që kanë abuzuar me pronat në Shqipëri?

Presidenti Topi: Së pari nuk shoh asnjë lidhje të shkurtër, sepse unë nuk merrem me komentet e gazetave. Kur unë bëj komente për titujt e pronësisë kam parasysh jo vetëm një zonë të caktuar, por të gjithë territorin. Edhe një herë po ju them që nuk i referohem, ndonëse media është një burim shumë i rëndësishëm, Presidenti i Republikës ka burime të tjera informacioni. Kur diskutojmë për abuzime për titujt e pronësisë, nuk mund të specifikojmë një kontigjent të caktuar, sepse, e kam thënë dhe herë tjetër, ku më pak e ku më shumë, janë përfshirë në vite, në të gjithë vitet e tranzicionit. Unë kam akuzuar më shumë drejtëpërdrejt komisionet, njësitë e pushtetit vendor, sepse ata kanë qenë përgjegjës të drejtëpërdrejtë me abuzimet me titujt e pronësisë, por nuk mund të mohoj as sikurse nuk mund të pohoj, sepse do të ishte e pafalshme që unë të pranoja një fakt të tillë, sepse çështja duhet të shkojë në Prokurori. Unë kam qenë i hapur dhe kam qenë inkurajues që të gjitha kontestimet të mos mbesin kontestime verbale, të mos mbesin si kontestime në ajër, por duhet të depozitohen pranë institucionit të Prokurorisë, institucion të cilin unë gjithnjë e kam mbështetur që t’i bëjë patjetër transparencë të gjitha këtyre momenteve që shkojnë për ndjekje penale në Prokurori.

Pyetje: Si e vlerësoni zoti President shfuqizimin e dokumentit për pronat e jugut dy ditë më parë nga qeveria?

Presidenti Topi: Unë mendoj që është në përgjegjësi dhe ekskluzivitetin e qeverisë për të realizuar akte të tilla, kur gjen bazament dhe një pikë referimi që mund të realizojë një ndryshim të tillë. Natyrisht që janë mjaft momente teknike që lidhen me vendimin e qeverisë, që unë besoj që nuk e kam tagrin ta komentoj. Ju duhet të keni rastin të pyesni përfaqësuesit e qeverisë për këtë.

Pyetje: Zoti President, ju keni folur për interesa të çastit që pengojnë zhvillimin e turizmit dhe të gjithë zonës. Ku manifestohen këto interesa të çastit?

Presidenti Topi: Interesat e çastit janë pikërisht tek dëshirat e mëdha që kanë njerëzit për t’iu afruar bregut me ndërtime të paligjshme, sepse mund të kesh një pronësi për truallin në rastin më të mirë, por kjo është zonë elitare ç’është e vërteta, dhe patjetër kërkohet që të gjithë të jenë të disiplinuar. Interesat e çastit i dëmtojnë shumë interesat e perspektivës. Të ndërtosh një banesë, të ndërtosh një hotel pa e harmonizuar këtë me mjedisin dhe infrastrukturën e bën këtë zonë kaq të bukur të kthehet në një geto. Kështu që duhet me patjetër që institucionet qëndrore dhe të pushtetit vendor duhet të punojnë me ritme të shpejta për të disiplinuar infrastrukturën dhe për ta futur çdo ndërtim me masterplanin e pushtetit vendor.

Pyetje: Përsa i përket projektit të bregdetit, Presidenti do të ndikojë në debatin e bërë së fundi rreth këtij projekti?

Presidenti Topi: Unë nuk e di çfarë keni parasysh ju, në çfarë sensi ka pasur polemikë...

Pyetje: Lidhur me të gjitha të dhënat që janë, konkretisht aty është prona, ngërçi kryesor dhe komuniteti që nuk ka pranuar...

Presidenti Topi: Më duket se ju po bëni pyetje mbi atë që unë u shpreha qartë. Çështja e pronësisë është një çështje substanciale, është mjaft komplekse, është një çështje që nuk mund të ezaurohet në një komunikim, sepse janë bërë mjaft debate dhe komunikime për këtë. Çështja është që nga fjalët duhet të kalojmë në veprime konkrete. Pra, në rast se këtu, në këtë zonë, sipas informacionit që unë kam, janë rreth 2180 tituj pronësie që pretendohet se janë marrë në mënyrë abuzive, atëherë unë mendoj që duhet të ketë një transparencë të plotë me institucionet dhe duhet ta zgjidhim këtë çështje. Në rast se janë marrë konform ligjit, atëherë askush nuk mund të atakojë ligjin, aq më shumë unë. Në rast se ato janë në kundërshtim me ligjin, atëherë unë inkurajoj pikërisht një rikthim në titujt e pronësisë në funksion të ligjit. Ligjet pastaj nuk mund të bëhen vetëm për parcela të veçanta, apo për zona të veçanta, ligjet kanë karakter kombëtar në të gjithë territorin. Në çdo qelizë të territorit ligjet zbatohen njësoj dhe nuk besoj se ka vend për konotacion tjetër.

No comments: