Saturday, June 07, 2008

BE bllokon vizat dhe qeveria skafet

Plator Nesturi

Botuar Revista Klan

Aventura e re për të mundësuar liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë, sërish rezultoi me disfatë. Nuk vlejti as qëndrimi disaditor në Bruksel i Kryetares së Parlamentit, Jozefina Topalli, fjalimi i mbajtur apo takimet me personalitetet e BE, për të ndryshuar atë verdikt që na turpëron krahasuar me vendet e tjera të rajonit. Shqipëria mbeti në klasë dhe shqiptarët do të jenë sërish të uritur për viza e të penguar të lëvizin lirisht. Por ajo çka e bën më të dhimbshme këtë fakt, është se jemi ndër vendet e fundit në Ballkanin Perëndimor që kemi mbetur në një realitet të izoluar. Pas vizitës së disa ditëve më parë në Sarajevë të zv/presidentit të BE, Barrot dhe komisionerit të Zgjerimit Olli Rehn plotësohet treshja e vendeve që do përfitojnë nga liberizimi i vizave. Maqedonia, Serbia dhe Bosnje e Hercegovina janë vendet me të cilat BE ka nënshkruar fillimin e bisedimeve për liberalizim duke dhënë edhe një datë konkrete; 1 janar të vitit të ardhshëm si datë për hapjen e kufijve.

Përsa i përket Shqipërisë, bisedimet janë hapur por nuk ka një datë të përcaktuar që gjithësesi mbetet një shpresë e vagët dhe aspak ndjellëse. Vendimi i BE-së që përcakton se për kë qytetarë të Ballkanit do të ngrihet trau i doganës dhe për kë tjetër jo, e vendos Shqipërinë në rangun e Malit të Zi dhe Kosovës, të cilat janë shtete të krijuar rishtazi e në hapat e parë të ekzistencës së tyre. Ky fakt e ka bërë kryetaren e Kuvendit, Topalli, të artikulojë për herë të parë një ankesë zyrtare përkundrejt Brukselit ndërsa shprehet se “nuk është e drejtë përdorimi i standarteve të ndryshme për vende të ndryshme për regjimin e vizave”. Më së fundmi një deklaratë e “hijshme” e politikës shqiptare kur historikisht, ndonëse jemi vetë fajtorë në përmbushjen e standarteve, përfaqësuesit tanë tregohen më shumë se servilë edhe kur nëpërkembemi dukshëm.

Rasti konkret kur tre vende ballkanikë dhe me problematikë të theksuar në realitetet e brendshme të tyre, arrijnë të merren në konsideratë e tu përcaktohet një datë për hapjen e kufijve të BE-së, është një shembull i qartë. Në analiza të ndryshme është theksuar se lehtësimi i vizave për Maqedoninë dhe Bosnje Hercegovinën, ka qenë pagesa me faturë më të vogël për BE, kur gjykohet se ky lëshim do të ndikojë në fashitjen e konflikteve të brendshme dhe krijimit të një stabiliteti politik. Ndryshon konceptimi në rastin e Serbisë, ku proceduara e vizave tenton të zbusë qëndrimin antieuropian duke stimuluar forcat proeuropiane që arritën të fitojnë në zgjedhjet e majit.

Parimi i pragmatizmit në konceptet e realpolitikës dhe në kushtet kur Shqipëria nuk ka se çfarë të tregëtojë me BE, (apo nuk di ta bëjë këtë), ka sjellë pikërisht këtë realitet ku vendi ynë ndihet sërish i lënë mënjanë në procesin e integrimit. Ne vërtet kemi shumë mangësi, mbajmë premtime të cilat nuk kemi vullnet t’i realizojmë, u rrimë larg standarteve dhe rrezatojmë primitivizëm, por gjithësesi kemi stabilitet të brendshëm. E pra ndonjëherë, paska raste që edhe stabiliteti shndërrohet në efekt negativ në kushtet kur BE është e ngërthyer në problemet e saj të brendshme pas dështimit të Kushtetutës Europiane dhe kur sipas një raporti të parlamentit anglez, procesi i zgjerimit mund të rihapet pas vitit 2020. Ndaj, sipas kësaj logjike, për sa kohë shqiptarët kanë stabilitet, problemi i tyre nuk përbën urgjencë dhe nuk është aq evident sa të paraqitet me ngut në tryezen e BE-së.

Sidoqoftë në shembullin e historisë së liberalizimit të vizave duhet të shfaqim të dy anët e medaljes. Ndërsa zonja Topalli u ankua se po përdoren standarte të ndryshme për vende të ndryshme, duhet shprehur se jo të gjitha kartat tona janë në rregull. Do të binim në përsëritje të shfaqnim listën e reformave të munguara, por ajo çka e bën më të rëndë shfaqjen është se nuk ka qeveri tjetër si kjo e jona që të ketë përdorur këto standarte ndaj popullit të vet krahasuar me qeveritë e vendeve të tjera. Në emër të integrimit janë mohuar të drejta të cilat sidoqoftë na lanë aty ku jemi dhe të tjerë shtete mospërfillës ndaj kushteve të BE-së, përfituan me hapjen e kufijve. Le të marrim si shembull Moratoriumin për mjetet Lundruese, apo të njohur ndryshe si ligji i skafeve. Po mbushen tre vjet nga zbatimi i tij dhe shqiptarët, si askund tjetër në botë, mbetën të privuar në përdorimin e mjeteve lundruese me motor për përdorim personal. Këtë ligj absurd, qeveria e motivoi me arësyetimin se nëpërmjet kësaj mase do të hiqte Shqipërinë nga harta e trafiqeve dhe do ti jepte goditje të rëndë kriminalitetit e kalimit ilegal të njerëzve dhe lëndëve narkotike përtej Adriatikut.

Porse ndërsa presim të lehtësohemi nga trafiku i vizave drejt BE, komisioneri Rehn sërish e etiketoi Shqipërinë, ashtu si dhe organizma të tjerë ndërkombëtarë, se ka ende problem trafikun dhe kriminalitetin. Sakrifica e Moratoriumit të Skafeve na paska vajtur dëm. Ashtu siç kanë pësuar dëme të pallogaritshme edhe turizmi ynë me infrastrukturë tokësore të shkallmuar, apo ekonomitë familjare të peshkatareve në bregdet. Skadenca e ligjit antigomone përfundon në tetor, porse do të ishte në nderin e maxhorancës dhe parlamentit ta rrëzojë Moratoriumin antiturizëm brenda qershorit, pikërisht tani kur fillon sezoni veror. Nëse nuk kemi shanse të afërta për liberalizim vizash, me së paku të shijojmë bregdetin tonë edhe nga mjetet lundruese. Dhe më së fundmi, ky rast le të shërbejë si shembull që më së pari duhen mbrojtur ineresat e vendit e të qytetarëve. Nuk mund të dojë askush, qoftë edhe BE-ja vetë, nëse nuk respekton vendin tënd.

No comments: