Tuesday, July 15, 2008

Çështja “Bollano” rikthehet pas pushimeve

15 korrik, ora 17.40- Vlorë- Procesi hetimor në ngarkim të kreut të bashkisë së Himarës, Vasil Bollano do të rikthehet në gjykatën e Vlorës vetëm pas pushimeve të verës.

Anila Peçi
Tue, 15 Jul 2008 17:35:00

Vlorë- Procesi hetimor në ngarkim të kreut të bashkisë së Himarës, Vasil Bollano do të rikthehet në gjykatën e Vlorës vetëm pas pushimeve të verës. Vendimi është marrë sot nga gjyqtari Shkëlzen Selimi, i cili drejton seancat në ngarkim të Bollanos.

Në seancën e përcaktuar për tu zhvilluar sot ka munguar dëshmitari i thirrur nga organi i akuzës. Përfaqësuesi i kësaj të fundit, prokurori i rrethit Sokol Malaj kishte kërkuar për të dëshmuar kreun e policisë bashkiake të Himarës, Aleks Dede dhe mungesa e këtij dëshmitari ka pezulluar seancën.

Të dy palët, akuza dhe mbrojtja nuk kanë pasur vërejtje për shtytjen e seancës së radhës në ngarkim të Bollano. Mësohet se çështja në ngarkim të tij do të vijojë vetëm në katër shtator, për shkak të pushimeve.

Edhe sot kryetari i bashkisë së Himarës nuk ka qenë i pranishëm në sallën e gjyqit, duke u prezantuar nga avokati i tij, Petraq Curri. Bollano akuzohet për heqjen e tabelave orientuese dhe turistike përgjatë aksit rrugor Llogora-Qeparo, dëm i cili kap vlerën 21 milionë lekëve.

source kohajone.com

No comments: