Wednesday, August 20, 2008

Labirinti i rrugëve të Ballkanit

"Jugu i Shqipërisë duket se ka mbetur imun në mungesat e lidhjeve moderne me Tiranën e pjesët e tjera të vendit. Autostrada e jugut që prej një viti duhej të kish mbërritur në Fier, vetëm sa i është afruar diçka me veçse njërin krah të saj. Ndërkohë që duket e largët realizimi i objektivave të premtuara nga qeveria Berisha për linjën Fier – Vlorë apo Levan – Tepelenë, (për të mos përmendur afeksionin e kryeministrit për rrugën Lushnjë- Berat- Tepelenë). Ndërsa vërehet bollëku i linjave të Shkupit dhe boshllëku infrastrukturor në jug të vendit, nuk mund të shkojë mendja se në këtë mënyrë, nga politikat e planeve të zhvillimit të qeverisë, po krijohet një disekuilibër i madh midis veriut dhe jugut të Shqipërisë.


Plator Nesturi

Botuar Revista KLAN (ripublikuar ne alb-shkenca- 2 gusht 2008)


Po shndërrohet në një mister se cila do të jetë harta e linjave kryesore të rrugëve që do të lidhin vendet e Ballkanit. Dhe së pari ky pështjellim vihet re pikërisht në Ballkanin Perëndimor, në tre shtete të saj ku është e shpërndarë dhe popullsia shqiptare. Pra në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni.

Shkëputja e Kosovës nga shteti serb dhe zhvillimet e viteve të fundit në Maqedoni kur pas shpërthimit të konfliktit etnik, marrëveshja e Ohrit siguroi të drejtën e gjuhës dhe të flamurit për shqiptarët e këtij messhteti ballkanik, ka nxitur politikën zyrtare të Tiranës, në bashkëpunim edhe me autoritetet e dy shteteve të reja fqinje të saj, që projektet e mëdha infrastrukturore të drejtohen pikërisht drejt Verilindjes dhe Lindjes. Padyshim në këtë vendim, patriotizmi ka qenë ndër shtysat kryesore dhe si argument pasi kështu do të lidheshin me njëra tjetrën viset shqiptare. Vetë autostrada në ndërtim Durrës- Morinë me destinacion Kosovën, është mbiquajtur “rrugë patriotike”. Ndërkohë në median shqiptare, analistë dhe ekonomistë të pavarur i kanë vënë theksin fuqishëm idesë për krijimin e një hapësire të përbashkët ekonomike panshqiptare. Megjithë këtë dëshirë patriotike, problemet e zhvillimit perspektiv ekonomik të Shqipërisë më së tepërmi varen me krijimin e akseve që do ta lidhin me vendet e fuqishme dhe të industrializuara të Europës. Por faktet po tregojnë se ne ende nuk e dimë apo nuk arrijmë të përcaktojmë se ku do të lidhemi me rrjetin europian të qarkullimit. Kjo dilemë ngatërrohet më tepër duke parë se dhe vendet tona fqinje, Kosova dhe Maqedonia, pas të cilave jemi ankoruar me ndërtimin e autostradave, në strategjitë e tyre të zhvillimit nuk përputhen me idetë fillestare për të cilat ka derdhur para në ngritjen e udhëve shteti shqiptar. Moskoherenca dhe mungesa e planifikimit rajonal vërehet edhe në vendimet e përcjella së fundmi nga autoritetet zyrtarë të tre shteteve. Kështu, Gruevski deklaron se do të angazhohet për Korridorin e Tetë për të shmangur varësinë nga porti i Selanikut dhe që në perpektivën e vet do të lidhë portet shqiptare me ato bullgare. Në kontrovers me të, Ministri i transporteve të Kosovës shprehet se një nga projektet parësore të qeverisë tij do të jetë ndërtimi i autostradës që do ta lidhë me Shkupin dhe që hap akses drejt Selanikut, duke e lënë në këtë mënyrë jetim autostradën Durrës -Morinë. Ndërkohë ministri ynë i Punëve Publike dhe Transportit, Olldashi, deklaron se plani i ardhshëm i qeverisë së Tiranës është projekti i rrugës së Arbrit, i cili duke u drejtuar nga Tirana drejt verilindjes së vendit, ka shpresa se do të mund të shkurtojë me 100 kilometra distancën me Shkupin. Pra gjithësecili shtet ka bërë planet e veta të zhvillimit të vet infrastrukturor, premton me bujë përpara shtetasve të vet se kështu do të zgjidhë e lehtësojë komunikimin me botën dhe me fqinjët, porse hesapet e të “tre hanxhijve” janë bërë veç e veç, dhe llogaritë e dinamizmit të kësaj hapësire ekonomike me shqiptarë brenda sikur nuk dalin mbarë. Gjithësesi, si shtetas i Shqipërisë dhe si taksapagues për punët publike që kryen shteti im, shqetësimi kryesor mbetet që rrugët e autostradat të cilat do të përthithin miliarda euro nga buxheti, të mos mbeten me pikë fundore kufijtë e shtetit shqiptar.

Të gjitha rrugët fundojnë në Shkup

“Përpjekjet titanike” të një vendi të vogël si i yni dhe që kërkon të krijojë infrastrukturën rrugore moderne të vetën, rrezikojnë të mbesin pa dalje për në botën moderne. Kështu autostrada e veriut apo e Shkodrës, e cila shkon deri në Han të Hotit në kufi me Malin e Zi, mund të mbesë pikërisht deri aty. Shteti i malit të Zi nuk ka ndonjë projekt për ta zgjatur këtë linjë në territorin e vet, çka do të mundësonte lidhjen me autostradën Danubiane duke hapur kështu aksesin e lidhjes me vendet e Europës qëndrore. Autostrada tjeter e Shqipërisë së mesme, përgjatë lumit Shkumbin dhe mbi shtratin e Via Egnatia, e cila planikohej të ish pjesë e Korridorit të Tetë, gjithësesi mund të shkojë më tutje se Qafa e Thanës. Në paraqitjen e programit të qeverisë së re maqedonase, kryeministri Gruevski deklaroi se një ndër objektivat madhorë të mandatit të tij do të jetë pikërisht krijimi i Korridorit të Tetë që do të lidhë lindjen dhe perëndimin e Ballkanit. Në këtë aspekt ai u angazhua se linja antike me Shqipërinë e Bullgarinë do të kompletohet me të gjitha elementët e infrastrukturës moderne. Pra jo vetëm në ndërtiminn e rrjetit rrugor por edhe atij hekurudhor. Dhjetë ditë të shkuara, qeveria maqedonase përuroi edhe përfundimin e unazës së Shkupit e cila shihet dhe si një nga hallkat e këtij Korridori duke shmangur kësisoj trafikun e kryeqytetit. Përpjekjet e Shkupit për t’iu shmangur varësisë së saj nga Greqia dhe portet e saj, në këtë rast ndikojnë për mbarë në krijimin e një rrjeti të përbashkët ç’ka i intereson Shqipërisë, për më tepër që portet e saj, Durrësi dhe Vlora, shihen si alternativat më të afërta portuale për Shkupin që do të shmangë me çdo kusht Selanikun. Gjithësesi, krijimi i një korridori të plotë nga Durrësi në bregdetin bullgar nuk është diçka e thjeshtë. Nëse hekurudha shqiptare mbetet dy kilometra larg kufirit maqedonas, rrjeti i saj nuk ka asnjë kilometër të elektrifikuar. Ndërkohë nga ana maqedonase mungojnë 50 kilometra hekurudhë deri në pikën e Kërçovës me Shqiperine, ndërsa mbetet gjithashtu e mangët linja Shkup – Sofje me gjatësi 164 kilometra. Një gjë është e sigurtë, që pavarësisht nëse shndërrohet në Korridor të Tetë puna e nisur, autostrada përgjatë Shkumbinit do të fundojë në Shkup.

Duket se një fat të tillë e pret dhe autostradën e nisur Durrës – Morinë. Me destinacion Kosovën por edhe si një mundësi për t’u lidhur më tej me rrjetin europian të rrugëve, drejtimi i mëtejshëm i autostradës do zbresë sërish drejt Shkupit. Qeveria e Kosovës më së fundmi pranoi se nuk është në gjendje të përballojë projektin e autostradës që do të lidhë Shqipërinë me Serbinë, çka do të hapte aksesin për më tej. Është fjala për projektin Vërmicë- Merdare, që do të përshkonte territorin e saj në një gjatësi prej 118 kilometrash dhe ku parashikohej dhe ndërtimi i një tuneli 5 km. Në vend të kësaj mundësie qeveria e Kosovës nëpërmjet ish ministrit të Transporteve, Ahmeti, ka deklaruar se qeveria e tij ka ndërmend të nisë një autostradë të re që do të lidhë Prishtinën me Shkupin, për të vazhduar më tej drejt Selanikut. Pra autostrada Durrës – Morinë, kjo rrugë miliardëshe patriotike, do të jetë gjithësesi një mundësi lidhjeje më shumë me Maqedoninë.

Si të mos mjaftonte me kaq, qeveria shqiptare ka vendosur t’i paraqesë edhe një shans më tepër fqinjit tonë lindor. Vetë ministri Olldashi u shpreh se së shpejti do të jetë gati projekti për rrugën e Arbrit çka në vetvete, sipas përllogaritjeve të ekspertëve tanë, do të shkurtonte me 100 kilometra distancën e Tiranës me Shkupin. Sipas Olldashit, studiot projektuese janë instruktuar të zgjedhin alternativën më të shkurtër pavarësisht kostove financiare që mund të jenë të larta. Të tre lotet e parashikuara, sipas ministrit kanë ecuri të mirë. Nga Bulqiza në Gurin e Bardhë, projekti është tenderuar vitin e shkuar, ndërsa dy lotet e tjera, nga Guri i Bardhë në Qafë Murrizë dhe nga Qafë Murriza deri në Tiranë, janë në procedura tenderimi. Rruga e Arbërit, apo e Dibrës, me një gjatësi prej 75 kilometrash, natyrisht që do t’i japë zhvillim këtyre zonave por objekti kryesor i saj mbetet gjithësesi shkurtimi i lidhjeve me Shkupin, pavarësisht se ndërpret vargmale me lartësi mbi 1500- 2000 metra

Jugu i harruar

Lidhjet me Shkupin vërtet po rezultojnë shumë të shtrenjta duke patur parasysh se drejt tij fokusohen tre autostrada vetëm nga territori i Shqipërisë. Pyetja që shtrohet është nëse ia vlejnë gjithë këto harxhe thjesht për të lehtësuar trafikun me Maqedoninë dhe nëse vërtet zhvillimi ekonomik i vendit varet pikërisht nga rrugët eskluzive me Shkupin? Do të ish paradoksale të mendohej që kjo është zgjidhja e vetme ashtu siç të duket e çuditshme që të gjitha paratë për vepra të rëndësishme publike infrastrukturore hidhen vetëm në një drejtim. Shqipëria nuk është aq e pasur sa të ketë të tilla lukse. Për më tepër që ende ka mungesa të theksuara në rrjetin e saj të brendshëm infrastrukturor. Jugu i Shqipërisë duket se ka mbetur imun në mungesat e lidhjeve moderne me Tiranën e pjesët e tjera të vendit. Autostrada e jugut që prej një viti duhej të kish mbërritur në Fier, vetëm sa i është afruar diçka me veçse njërin krah të saj. Ndërkohë që duket e largët realizimi i objektivave të premtuara nga qeveria Berisha për linjën Fier – Vlorë apo Levan – Tepelenë, (për të mos përmendur afeksionin e kryeministrit për rrugën Lushnjë- Berat- Tepelenë). Ndërsa vërehet bollëku i linjave të Shkupit dhe boshllëku infrastrukturor në jug të vendit, nuk mund të shkojë mendja se në këtë mënyrë, nga politikat e planeve të zhvillimit të qeverisë, po krijohet një disekuilibër i madh midis veriut dhe jugut të Shqipërisë. Mos harrojmë se përveç tre linjave të autostradave që gjithësesi do të fundojnë në Shkup, është planifikuar dhe ndërtimi i një aksi që do të lidhë Kukësin dhe Pogradecin, çka do të krijonte një rrjet të plotë për lehtësimin e lidhjeve dhe zhvillimin e zonave të veriut. Ndërkohë në jug, do të presim rradhën. Jo për të krijuar linja të brendshme si fjala vjen Tepelenë – Korçë, apo Berat- Këlcyrë, por për lidhjet më normale me qendrën e vendit.

No comments: