Thursday, December 11, 2008

Duhet kahu tjeter-nga Aleksander Çipa ne Shqip on line

Aleksander Çipa

A përbën një referencë më vete situata e shpërthimit protestues dhe dhunës në Greqinë e këtyre pesë ditëve, për vendet fqinje me të? Pse po ngjet, ajo që po trondit sot Greqinë? Është fjala për vendin ku Shqipëria ka komunitetin më të madh të emigracionit të vet, disa qindra mijërash? Cilat janë efektet që transferohen nga kjo gjendje në fqinjësinë e Greqisë në tërësi dhe, mbi vendin tonë në veçanti?

Elita politike dhe ajo intelektuale e Greqisë, këto ditë gjendet e shokuar. Po ndodh ajo që ngjet ndoshta vetëm një herë në shekull në historinë e një vendi.

Në vendin ballkanik, me kohëgjatësi më të madhe si pjesëtar i BE-së, po ndodh një akt që shëmbëllen me shumëçka prej revolucioneve sociale në vendet evropiane, si me Britaninë e viteve ‘80-të dhe me Parisin e vitit 1997, apo më tej akoma, me vende të tjera, e deri me Argjentinën, dikur.

Shumica e komentuesve në një zë vlerësojnë si faktor të parë, të kësaj ngritjeje dhe të kësaj proteste shumëformëshe, krizën sociale që ka mbërthyer vendin, diferencën e krijuar mes qytetarit dhe qeverisësve në drejtim të pasjes dhe të trajtimit financiar, apo edhe të kontrastit të fuqishëm në jetesë. Elita politike prej kohësh demonstronte dhe ecte nëpër një pistë, ku humbi besimi pareshtur dhe ku abuzimi, korrupsioni dhe rrënimi moral, po shfaroste forcën inkurajuese dhe besimin apo solidaritetin me qytetarinë.

Këto janë disa prej arsyeve të hamendësuara dhe të paraqitura në orët e ngritjes së rrëmujshme e të dhunshme, në orët kur djegiet, vjedhjet dhe përleshjet me gurë dhe sende të forta, po e ngrenë edhe më patologjinë e rrugës dhe krijojnë edhe më tepër mundësi për manifestimin e pështyrë të lumpenizmit dhe të keqbërësve të një vendi.

Greqia po rënkon këto ditë prej një rebelimi të brendshëm të cilit ende nuk i është bërë "skaneri" dhe "eko-ja" reale. Mirëpo deri në këtë shkumëzim turmash dhe qytetarësh, në Greqi prej mediave dhe oratorive publike, ishte bërë e njohur prej kohësh, fryrja e abuzimit, tejllupësia e burokracisë zyrtare dhe qeverisëse, korrupsioni zyrtar dhe cerga e aferave dhe nepotizmit hajdutist. Aq gjerë e gjatë ishte shtrirë "cerga e korrupsionit", sa verbëria e humbi krejt, kujdesin vetëmbrojtës të "ushtrisë së pashpirt" dhe të paskuprullt, të vjedhësve dhe korrupsionistëve. Kjo "cergë" e përfshiu edhe vetë kishën greke, institucionin e ashtuquajtur kombëtar që dikur ka dhënë prova themelore se impononte autoritarisht edhe vetë shtetin. Kisha u fut në "cergën" e korrupsionit. Hierarkët me rraso u bënë ortakë të qeverisësve dhe politikanëve të babëzitur. Pronat e kishës, nisën të hipotekoheshin dhe tjetërsoheshin prej individësh me pushtet dhe lidhje, dhe anasjelltas, pasuritë publike, u tjetërsuan deri në atë masë, sa ndotja morale e politikës dhe predikuesve të tjerë institucionalë, shpërtheu në një kutërbim të padurueshëm, duke ndezur reagimin dallgëzues qytetar.

Kjo është një pjesë thelbësore e arsyeve të krizës, që po tymon dhe paralizon fqinjin jugor të Shqipërisë, Greqinë. Zjarri social u ndez padashur dhe qeverinë e Kryeministrit grek Karamanlis, nuk mund ta ndihmonte as gjeneratori i politikëbërjes ballkanike, as problematikat e tejfryra gjeopolitike në rajon e, as përdorimi i laboratorit "cingërisës" me fqinjët, të cilët kurrë s‘e bëjnë një krizë për Greqinë.

Ajo që ndodhi në Greqi, si shkak të parë, mbart kapërcimin e limitit prej politikave dhe kabinetit qeverisës. U shkel dhe u tejkalua çdo masë e përfitimit abuziv, e lidhjes dhe e sendërtimit të rrjeteve të korrupsionit dhe përfitimit, u shembën prej vjedhjes institucionet e sigurimit dhe garancisë pensionale, u cenua prona dhe u bjerr besimi ikonik i kishës dhe shtetit dhe u shpall demaskueshëm, pa më të voglin kujdes, ortakëria korruptuese mes shtetarëve dhe përfaqësuesve zyrtarë të besimit, u deformua dhe u sëmur institucioni antikrim. Shteti u sëmur dhe u rrënua si institucion ligjor dhe moral dhe besueshmëria e marrëdhënieve dhe kontratave të tij me qytetarin u nëpërkëmbën deri në mbërritjen e krizës sociale dhe shfaqjen e depresionit social e financiar.

Greqia është vendi ku jetojnë në një marrëdhënie, plotësisht natyrale dhe njëherësh komplekse, më shumë se 550 mijë shqiptarë. Ky komunitet shqiptarësh dhe (siç i quan zyrtarisht një pjesë të tyre, vetë Greqia), homogjenësh, rezulton në këto ditë krize të jetë shfaqur si komuniteti me sjelljen më të kujdesshme, madje tipikisht qytetare. Ata janë emigrantë të ligjshëm shumica, e të paligjshëm më pak se pakica. Ky komunitet dhe kriza e sotme e Greqisë, gjithsesi janë një element ndikues apo argument efekti mbi vendin tonë.

Le të shohim me qetësi dhe të presim, së pari, efektin ekonomik që sjell kjo krizë edhe në këto ditë të epilogut vjetor për vendin tonë.

Por referenca analitike e asaj që po ndodh në Greqi, me atë që gjenerohet si kumt dhe praktikë sociale në Shqipëri, vlen të sillet në vëmendje të shumëkujt. Në Greqi, reagimi shpërthyes qytetar, është akti që po detyron politikën dhe krejt palët e saj, të kthejnë kah. Është fjala për kahun shërbyes të politikës dhe të shtetit, në adresë dhe me detyrim ndaj qytetarit.

Koha e vetëshërbimit të politikës, përmes pushtetmarrjes dhe qeverizotërimit, në Greqinë fqinjë, mesa duket, po merr fund. Qytetaria greke po rikthen edhe një herë jo vetëm kultin e votës, por kultin e detyrimit për t‘i shërbyer vendit dhe qytetarit, pa abuzuar me propagandë dhe mashtrim politik. Llogaria dhe shpaga e qeverisësve dhe e shtetarëve, abuzues deri në këtë masë, pas kësaj, rikthehet në Greqi. Këtë e pohon shumëkush që ka nisur të shohë matanë tymit dhe djegieve të turmave. Siç shprehet njëri prej analistëve të njohur në këtë vend: "…ajo që na shohin sytë sot në Athinë, na ndihmon të shohim atë që s‘patëm kohë ta shihnim kur na mashtronte dhe vidhte politika".

Ky është fatkeqësisht akti që shënon ndërrimin e kahut, e atij kahu që e humbet qeverisësi kur kalon nga cilësia e opozitarit, tek ajo e qeverisësit. Llogaritë e qeverisjes i bën qytetari më mirë dhe me më tepër sinqeritet. Politika dhe qeverisësi e humbet realizmin, sepse ai neglizhon besueshmërinë.

Shqipëria si vendi me afinitet fizik me Greqinë, gjendet në ditët e veta elektorale. Te ne nuk ka krizë politike dhe është shumë mirë që e kemi lënë pas këtë mundësi. Por tek ne, në raportet mes politikës dhe qytetarit, në raportet mes qeverisjes dhe shërbimit, kemi një krizë evidente. Administrimi në këtë vend është i eklipsuar prej amatorizmit, sikundër drejtësia është e paforcë për ndëshkimin e padrejtësisë dhe korrupsionit. Trishtimi që të jep paturpësia dhe fshehja e pasurimit përmes pushtetit, na kanë dhënë të gjithëve shijen se jemi në kohën e paturpësisë. Paturpësia e gjatë në kohë, gjithsesi rikthen cilësira makiaveliste, sepse e bëjnë edhe më të dukshme sëmurjen e demokracisë, por bëjnë prezente instinktet e qytetarit. Këto cilësira, kur kapërcehet masa dhe shkelen kufijtë e saj, i manifeston qytetari, deri edhe si protestues dhe fitues i ndryshimit real.

Me atë që ndodhi këto ditë në Athinë dhe gjetkë, grekët e fituan një ndryshim, ndonëse është herët të themi se cilin

3 comments:

Anonymous said...

Artikulli i A. Cipes eshte interesant, por i mungon shtylla vertebrore: denimi qe opinioni publik grek i ben "te shtimeve me arme" para turmes. Duke analizuar nje ngjarje analoge ne Himare kur himarjotet protestuan ne menyre paqesore ndaj dhunes se policise shqiptare qe ushtruan mbi dy himarjote, z. Cipa nuk thote asnje fjale per karikatorin e automatikut te shkrehur mbi turmen. Aty (ne Himare) nuk u thye asnje xham, nuk u gervish asnje parmak dritareje, nuk u hodhen gure mbi policine sic u be ne Greqi. E ndersa ne Greqi me shume denohet shkrehja e pushkeve te forcave te rendit sesa turma qe qellon me gure mbi policine, z. Cipa kerkon "zbatimin e ligjit" dmth burgosjen e protestes se "paligjeshme", madje krahesimi i tij famekeq i protestueve himarjote me kultivuesit e hashashit ne Lazarat do te kujtohet per shume kohe.

Do te ishte me mire qe z. Cipa te rishikoje qendrimin e vet ndaj bashkepatrioteve tij, ku edhe ne kete artikull terthorazi shpreh karakterin e tij nacionalist kur flet per homeogjenet ( "per ata qe qeveria greke i quan homogjene"). Ata jane homogjene prandaj quhen te tille dhe kjo eshte ne baze te vetedeklarimit te tyre, trashegimise kulturore,gjuhes, traditave.
Merxhanis

Anonymous said...

A.Cipa ka shkruar nje artikull te mire. I paanshem dhe larg analizave tipike nacionaliste. Per "homogjenet" ka shkruajtur ne ate menyre qe te perfshije edhe gjithe ata "homogjene" me origjine nga Kukesi, Mirdita, Elbasani etj.

Anonymous said...

Z. cipa nuk i prishin pune "homogjenet nga puka" qe ne njefare menyre shprehin mentalitetin e shqiptarit per tju pershtatur situatave. Ate e shqetesojne ata qe jane vertet homogjene. Por sidoqofte une e mirekuptoj, si cirak qe e ha buken duke shkruar kunder patrioteve te tij, nuk ka rruge tjeter.

Stefaneli