Kush udhëton nga Saranda për në Vlorë, aty ku rruga përgjysmohet, pas disa kthesave të forta, do të ndodhet përballë një fshati me shtëpi e mure guri, të gjitha pothuaj me dy kate, krah njëra-tjetrës. Ky është Vunoi, fshati im. Dikur quhej Kasabaja e Bregut. Vizitorë, shkrimtarë e gazetarë, mes të cilëve Petro Marko, e kanë quajtur edhe Margaritari i Rivierës.
Por sot, Vunoi kalon kohët e tij më të këqija. Po rrënohet. Shumë nga shtëpitë e bukura, kullat karakteristike, dëshmitare të kohës se artë të lulëzimit të tij, po rezistojnë me mundim. Fshati po e humbet emrin dhe lavdinë dhe po kthehet, (siç shprehet një regjisor i njohur), në “katund”.
Natyra i ka falur hire dhe bukuri. Sipër shtëpive të bukura ngrihet pylli i Mjegulloshit, i njohur me këtë emër prej mjegullës, e cila i qëndron si brez, sa herë që nga mali nisin të vijnë shirat dhe borërat e dimrit.
Në këmbë të fshatit është fusha e mbjellë me ullinj. Aty banorët kishin burimin e jetës. Çdo familje kishte parcelën e vet, pa tela e gjerdhe. Fusha ka rrugë të ngushta nga kalojnë njerëz dhe kafshë, për të kursyer tokën. Vetëm dy-tri familje janë hedhur matanë në breg, por asnjë kasolle nuk u ndërtua në fushë.
Vunjotasit e kursenin dhe e donin tokën. Kjo fushë ka ushqyer njerëzit për shekuj me radhë. Dhe banorët e saj e kanë trajtuar atë me kujdes dhe mjeshtëri. Ulliri dhe vaji i fshatit eksportohej brenda e jashtë vendit. Plehu sillej nga stanet që ndodheshin deri tri orë larg, të shumtën e rasteve ngarkuar me krahë. Pema mbrohej nga njerëzit e nga bagëtia. Një ligj i pashkruar ishte: Asnjë këmbë dhie nuk lejohet të shkelë në fushë. Gjobat dhe dënimet për kundërvajtësit ishin të rënda dhe ekzekutoheshinme rreptësinë më të madhe..
Sot, fshati im e ka humbur shkëlqimin, por po i humbet edhe shpresa. Autori i këtyre radhëve ka rastin të bëjë një apel: Kujdesuni për këtë margaritar që të mos shkatërrohet.
Rrënimi ka filluar nga fusha. Nëse natyra po vepron mbi shtëpitë, janë njerëzit që po shkatërrojnë fushën dhe ullinjtë. Njerëz të panjohur, pa kurrfarë lejeje vijnë nga ku mundin e zbresin tek ullinjtë, thyejnë degë e shkoqin fletë e kokrra pa ju dhimbsur. Kulturat e tjera janë zhdukur fare. Fiqtë me emër të Vunoit nuk i gjen më. Për arrat, mollët, bajamet e limonët, nuk bëhet fjalë. As trungjet nuk u duken.
Dikur, në këtë fshat, ata që vidhnin, dënoheshin me dëbim nga fshati për 5 vjet, e po të ishte faji edhe më i rëndë, për 10. Në një rast, njërin e ndoqëm për tërë jetën. Ai vdiq larg pa u parë as nga të afërmit e tij. Tani kusarët vijnë me furgona e shpesh me armë. Askush nuk i ndal.
Dëm i madh po i bëhet Vunoit edhe me disa ndërtime që bëhen nga disa të “shëtitur”, duke ngriturmure e duke prishur traditën e një jete të tërë, mbi të cilën është projektuar e ndërtuar ky fshat. Këto të ashtuquajtura ndërtime “moderne”,jo vetëm që stonojnë përpara sarajeve të bukura, por ato shëmtojnë pamjen piktoreske të tij.
Ky apel u përket të gjithë atyre që e dinë çfarë janë plazhet e Vunoit dhe rëra e artë e Jalit, gjiri i Ngjipesë që mahnit turistët, Shpella e Piratëve dhe Gjiri i Peristerëve, Manastiri i Skutarasë, ngaku çdo pike e bregut të detit të zbret në pëllëmbë të dorës. Të gjitha këto dhe pas këtyre historia e fshatit, të bëjnë të mendosh shumë e të shpresosh se lavdia e tij nuk do të humbasë.
Në fund, për të mbetur optimist i dëshirës sime dhe shumë të tjerëve si unë, po shënoj se në një bisedë me një gazetar, ai më tha: “Është krijuar një shoqatë me djem e vajza nga Vunoi, të cilët kanë marrë përsipër t’i rikthejnë vlerat dhe kohën e tij të bukur”.
Le të shpresojmë se me iniciativën e këtyre të rinjve do të plotësohet një nga aspiratat e njerëzve të fshatit tim dhe patriotëve të Bregut: Shpëtimi i Vunoit.
*Autori, banor i Vunoit, ish-arsimtar, është 75 vjeç. Artikulli është zgjerim i një apelit të prekur këto ditë edhe nga disa lexues në rubrikën “Mendimi juaj vlen”
No comments:
Post a Comment