Vjene - Reagime të tilla, Oliver Jens Schmitt zakonisht nuk ndesh për librat e tij: para pak ditësh historiani zviceran, i cili hulumton dhe jep mësim në Universitetin e Vjenës pranë Institutit për Historinë e Europës Lindore, pa të botohet në një gazetë shqiptare deri dhe adresën e tij, shoqëruar me kërkesën dykuptimëshe që të shprehet personalisht. Shkak për ortekun u bë një libër i Schmittit mbi heroin kombëtar të shqiptarëve, Skënderbeun, i cili mori emër të madh nëpërmjet kryengritjes së tij 25-vjeçare kundër osmanëve në shekullin 15. Schmitti mendon se motiv i rebelimit ka qenë gjakmarrja, duke lënduar kësisoj imazhin mitik të heroit që lufton për kombin e tij. Ky imazh ka pësuar gërvishtje të tjera nga vërejtja e zviceranit, se i ati i Skënderbeut në të gjitha burimet dokumentare shfaqet si "Ivan" - por për shqiptarët, fakti që heroi i tyre kombëtar mund të ketë pasur një emër sllav, përbën një provokim. Në mediat dhe forumet web shqiptare po polemizohet ndërkaq me pasion kundër Schmittit dhe përkthyesit të tij, Ardian Klosi, i cili akuzohet deri dhe për "tradhti kombëtare". Me kërkesën e tij që të rishkruhen tekstet e shkollave, Klosi ka hasur kundërshtim të rreptë. E ka marrë fjalën edhe shkrimtari më i njohur i Shqipërisë, Ismail Kadare, i cili e kritikoi librin si "sulm kundër lirisë" dhe si "turp për kombin shqiptar". Kështu, "shkrimtari kombëtar", i cili në Shqipëri zakonisht shprehet shumë më drejtpërdrejt se jashtë vendit, dha orientimin për një numër kritikuesish. Rrënjët për harlisjet e këtij debati, Oliver Jens Schmitt i sheh të hedhura nën shefin e Partisë Komuniste, Enver Hoxha: "Në epokën staliniste të Hoxhës u kultivua një mentalitet bunkeri, i cili çdo argument e klasifikon në skemën mik-armik", - thotë historiani. "Në këtë mënyrë, të menduari, argumentet objektive kthehen gjithmonë në pseudoargumente, njerëzit që mendojnë ndryshe quhen agjentë të serbëve ose të shitur te ndokush tjetër".
Një tjetër arsye e të gjithë këtij eksitimi është për Schmittin, vazhdimësia personale e elitave të kulturuara nën regjimin e Hoxhës: "Këto elita nuk pranojnë ta dorëzojnë supremacinë e tyre mbi opinionin publik." Në Shqipërinë e Enver Hoxhës, Skënderbeu u përdor si figurë kombëtare identifikimi. Mirëpo Gjergj Kastrioti i përshtatet këtij vendi plurifetar si asnjë figurë tjetër: ai u lind në një familje ortodokse, u konvertua në mysliman në oborrin e sulltanit dhe vdiq tek e fundit si katolik.
Marrë nga "Wiener Zeitung"
Një tjetër arsye e të gjithë këtij eksitimi është për Schmittin, vazhdimësia personale e elitave të kulturuara nën regjimin e Hoxhës: "Këto elita nuk pranojnë ta dorëzojnë supremacinë e tyre mbi opinionin publik." Në Shqipërinë e Enver Hoxhës, Skënderbeu u përdor si figurë kombëtare identifikimi. Mirëpo Gjergj Kastrioti i përshtatet këtij vendi plurifetar si asnjë figurë tjetër: ai u lind në një familje ortodokse, u konvertua në mysliman në oborrin e sulltanit dhe vdiq tek e fundit si katolik.
Marrë nga "Wiener Zeitung"
1 comment:
Skenderbeu (fragment nga libri i Oliver Schmid) qe solli shume polemika ne Shqiperi.
Për njerëzit në Ballkanin e mesjetës, besimi i për bashkët ortodoks për bënte bërthamën e identitetit. Kështu, midis grupeve gjuhësore që jetonin në botën fshatare dhe përdornin liturgjinë ortodokse, mungonin tensionet, ato nuk dallonin thuajse fare nga ndërtimi shoqëror. Për dibranët ishte i njëjtë edhe lloji i ekonomisë që ushtronin: mbjellja e drithit, frutikultura dhe bletaria në ultësirën e luginës, blegtoria në lartësitë më të mëdha. "Ultësira është e rrafshët dhe pjellore, rrethuar nga ara të pasura". Dibranët e hidhnin vështrimin drejt lindjes, për nga Ohri, selia e një kryepeshkopate të famshme në gjithë Ballkanin. Si kryeqendër kishtare e Ballkanit qendror ortodoks, Ohri rrezatonte deri thellë në krahinat përreth. Kishat e pallatet e tij dibranët i shihnin prej së largu, kur zbrisnin nga malet e tyre në fushën pjellore që rrethon Ohrin. Kush jetonte në Dibër i kishte rrënjët thellë në besimin ortodoks, ai ishte ballkanas i brendshëm, i karakterizuar nga kultura e tij e lartë sllave-bizantine. Fisnikët arbër admironin pasuritë e Ohrit, nga rrethinat e të cilit, sipas rrëfimeve nga shekulli 15, vinin të ardhura të përgjithshme në rreth 12 mijë dukate ari. Në pjesën e dytë të shekullit 14 ishin vendosur ndër zotërinjtë serbë në brigjet e liqeneve maqedone edhe fisnikë shqiptarë, në gropat rreth Ohrit, Komino Prespa pranë Prespës, aty ku car Samueli kishte prurë prej Thesalie eshtrat e Shën Akileut, në Arbëri e njihnin atë bazilikë të mrekullueshme që ishte ndërtuar për nder të shenjtorit në një ishull të Prespës së Vogël, rrënojat e së cilës edhe sot përvijohen mbi sfondin e bregut të mbuluar me kallamishte dhe maleve përreth.
***
Nga kjo botë vinte familja Kastrioti, me rrënjët e veta modeste që humbasin në errësirat e një rajoni, i cili për të huajt në shekullin 14 ishte po aq i panjohur sa edhe në shekullin 21. Emri i familjes tregon një trajtë greke, ai vjen pa dyshim prej greqishtes "kastron" (që edhe ajo vetë është huazuar nga latinishtja "castrum"), çka do të thotë "kështjellë", pas kësaj një "Kastriotes" është një banor, ndoshta komandant i ndonjë kështjelle. Meqë asnjë nga burimet e kohës nuk thotë gjë për prejardhjen e emrit, nuk do të ngremë këtu ndonjë hipotezë që është e zorshme për t'u vërtetuar. E sigurt është vetëm që ky emër shkon me botën kulturore bizantine. Rreth mesit të shekullit 14, dokumentohet një "Kastriot" si "kefalia" (kapiten) i kalasë së Kaninës pranë Vlorës. Nëse ka qenë ky ndonjë paraardhës i Kastriotëve të Dibrës e se si mund të ketë ardhur ajo familje prej jugut në lindje të hapësirës arbre, ky mund të jetë vetëm një objekt spekulimi. Lidhur me prejardhjen e Kastriotëve mbretëron një heshtje dyfishe: në fillim as që kishte rënë në sy ai fis zotërinjsh të vegjël fshati, por pastaj, kur papritur u arrit lavdia, biografët e pinjollit më të famshëm të familjes hodhën pëlhurën e harresës mbi fillimet modeste. Do të ishte një pjesëtar i fisnikërisë së vjetër arbre, Giovanni Musachi(Joan Muzaki), i cili në kundërshtim nga verifikuesit e Skënderbeut përshkroi me të gjitha hollësitë se ç'origjinë kishin Kastriotët. Ndoshta për këtë ishte një kënaqësi e vonë që të përshkruante prejardhjen e thjeshtë të asaj familje, e cila kishte shfuqizuar të vetën, shumë më të moçme e më të respektuar. "Gjyshi i zotit Skënderbe quhej zoti Paul Kastrioti dhe nuk zotëronte më shumë se dy katunde të quajtura Sinja dhe Gardiipostesi, nga ky zoti Paul lindi zoti Joan Kastriota, i cili u bë zoti i Matit, e nga ky lindi zoti Skënderbe, nënë e zotit Skënderbe dhe grua e të lartpërmendurit zotit Joan, ishte zonja Vojsava Tribalda që vinte nga një familje e mirë".
***
Kronika e Muzakit të çon në atdheun e Kastriotëve, një krahinë e vogël në bregun e majtë të Drinit të Zi, larg nga çdo kulture qytetare. Ishte kjo bota e vogël fshatare ortodokse e Ballkanit të brendshëm. Sinja dhe Gardi i poshtëm, siç quhen këto dy katunde në shqipen e sotme, ndodhen në zonën e Qidhnës. Shumë pak të huaj shtyheshin deri në këto anë të Ballkanit. Një vizitor katolik që kalonte këndej pari në fillim të shekullit 18, shkruante se Qidhna përbëhej nga një pjesë e poshtme dhe nga një e sipërme e ndodhej në një shpat jo fort të pjerrët të disa maleve jo shumë të larta, ndarë nga Dibra prej lumit Drin, një ishull i vogël në mes të "tmerrit të malësisë", një copëz vend i bukur, por i mbuluar me borë në pjesë të mëdha të vitit, aty-këtu gjeje të shpërndara kishëza të shumta, dëshmi të një jete të gjallë të krishterë. Kastriotët ishin gjithashtu malësorë që ishin vënë në krye të dy katundeve të vogla. Për prejardhjen e tyre etnike është diskutuar po aq shumë sa për vendin e origjinës: komuna të sotme shqiptare rivalizojnë për ta pasur këtë lavdi, sikurse dikur e kërkonin për njëri-tjetrin Homerin qytetet greke. Ndërsa falë Muzakit kjo grindje është e zgjidhur, mbetet pyetja me thepa lidhur me përkatësinë etnike të Kastriotëve, që edhe në ditët tona trazon ndjenjat kombëtare të popujve ballkanikë. Është kjo një pyetje që zor se i interesonte ndokujt në mesjetën e vonë, hiq ndonjë grindje dijetarësh të shekullit 17, por që u ngrit si çështje në shekullin 19, kur propagandistët e mendimit kombëtar neogrek dhe serb, atij shqiptar e në shekullin 20 edhe atij maqedon, filluan të kërkonin për panteonët e tyre popullorë figura të rëndësishme të së kaluarës, mirëpo kjo është jo vetëm anakronike, por nuk përfill fare karakterin e përzier etnik të fisnikërisë evropiane, i cili sapo që lë parëndësinë e hapësirave të vogla, bën martesa pa marrë parasysh kufijtë kombëtarë. Kjo vlen edhe për Ballkanin e brendshëm në mesjetën e vonë.
Vjen e shtohet këtu çështja që prejardhja etnike nuk të thotë asgjë për vetëkuptimin e një personi: Johan Huniadi, luftëtari i madh i shekullit 15 kundër turqve, vërtet që vinte nga një familje e vogël fisnike me prejardhje rumune, por si mëkëmbës perandorak hungarez, ai vepronte në kuadrin e perandorisë së kurorës së Stefan e jo i bie fjala në emër të ndonjë ndjenje shtetërore apo kombëtare rumune që aso kohe nuk ekzistonte. Po kjo gjë vlen edhe për Kastriotët.
***
Pinjolli i tyre më i famshëm Skënderbeu, arriti të bëhej zot i Arbërisë, se ç'gjak etnik rridhte në dejet e tij, kjo njerëzve që i shkonin pas nuk i interesonte. Në rast se do të shqetësoheshim për këtë gjë, Skënderbeu nuk do të ishte ngjitur dot në atë lavdi të madhe, duke qenë se vinte prej një rajoni të përzier etnikisht. Ajo çka dimë për prejardhjen etnike të Kastriotëve, mbështetet në disa pak burime. Kurse nëna e Skënderbeut ishte një sllave e jugut, bijë e zotit të fushës pjellore të Pologut. Kjo në fund të shekullit 14 ishte një degë e derës së madhe fisnike serbe të Brankoviqëve. Duhet supozuar se i ati i Vojsavës do të ketë qenë Grgur Brankoviqi, kjo do të thotë që djemtë e Vosjavës ishin kushërinj me familjen që do të ngjitej në 1427 në fronin (princëror) të despotëve serbë. Joan Muzaki e përshkruante Skënderbeun, më të famshin Kastriot, si burrë "me natyrë serbe". Muzaki e shkruante këtë gjë nga perspektiva e një fisniku të Arbërisë së mesme, familja e të cilit kishte lidhje të ngushta në Itali të jugut. Për të Kastriotët jetonin në skajin lindor të hapësirës arbërishtfolëse. Çka kishte ai parasysh me "natyrë serbe"- prejardhjen ose ndoshta më fort zakonet- mendësinë e Skënderbeut, mbetet e hapur për shkak të mungesës së burimeve të tjera. Duhet vënë re sidoqoftë se Muzaki ndjente ndaj Kastriotit të madh një përzierje admirimi dhe refuzimi, tek e fundit ky Muzakët i kishte dëmtuar rëndshëm politikisht. Sesa të vështirë e kishin klasifikimin etnik të Kastriotëve edhe vetë bashkëkohësit, këtë e dëshmon edhe një element tjetër, fisniku Arbër Muzaki te Gjergj Kastrioti shihte një serb, kurse murgjit serbë në manastirin Hilandar në malin Atos, e quanin atë kullë që kishte blatuar i ati i Skënderbeut, Ivani, "kulla e Arbrit". Kështu, Kastriotët për një fisnik arbër ishin serbë, ndërsa për murgjër serb, arbër. Asgjë nuk e dëshmon më mirë pozicionin e tyre në një hapësirë kalimtare midis dy trevave gjuhësore. E sigurt është që prejardhja etnike nuk qe vendimtare në ngjitjen e familjes Kastrioti.
***
Kastriotët ishin parvëny, gjyshi i Skënderbeut kishte pasur dy katunde në një krahinë të humbur malore, kurse babai i tij, Ivani arriti brenda një kohe të shkurtër të vinte nën kontroll rrugën më të rëndësishme të karvaneve prej Adriatikut në Kosovë, e kështu t'u siguronte mbrojtje tregtarëve nga Dubrovniku prej bregut deri në qytetin e Prizrenit. Ivan Kastrioti nuk do ta kishte arritur kurrë këtë pozicion, po të mos ishte në shpërbërje bota e vjetër përreth tij. Për këtë dhe ishte i vetëdijshëm, kur rrëfente duke vështruar praptas, se si kishte filluar karriera e tij "kur goditën njëri-tjetrin perandori Bajazit dhe Timurlengu". Me këtë ai kishte parasysh betejën e Ankarasë në vitin 1402, kur sulltani osman ishte mposhtur nga sundimtari i mongolëve, ndër trupat e mundura osmane gjendeshin vasalë serbë e arbër, kështu lajmi për përmbysjen e pushtetit osman mbërriti edhe në luginat më të thella të Ballkanit. Ndërkohë që sulltani i zënë rob hiqej zvarrë nga ngadhënjimtari përmes Azisë, në Perandorinë Osmane plasën rrëmujëra që do të zgjasnin një dhjetëvjeçar(deri më 1413). Për njerëz guximtarë ky ishte rasti për të ngritur me të shpejtë mbi gërmadhat e shtetit osman dhe mbi sundimet e tyre vasale të krishtera pushtete vetjake. Edhe Ivan Kastrioti nuk e la rastin t'i iki duarsh. U shty kështu drejt perëndimit. Në lindje të atdheut të vet të ngushtë pranë Drinit të Zi ndodheshin principata të vogla serbe, por sidomos Ivani bënte llogarinë se po shtyhej drejt pellgut të Vardarit nuk do të kishte shumë sukses, kjo pasi në Shkup vazhdonte të ndodhej një sundimtar osman me trupa të forta. Kurse në perëndim, në Mat dhe në ultësirën anë Adriatikut, pushteti osman ishte zhdukur në një masë të madhe, aty gjallonin fise të dobët fisnikësh, Jonimat dhe Zahariat, por që quanin të tyre toka të pasura në drithë dhe kullota...
...Ivani zotëronte rrugën e karvanëve prej bregdetit në mes të malësisë në Kosovë, ai ishte në gjendje të ndalonte jo vetëm tregtinë, por edhe njësitë osmane që i drejtoheshin Adriatikut. Këtë gjë e shfrytëzoi ai ndaj Venedikut: u paraqit si mbrojtës i qafave për të siguruar ndihmë prej Republikës së Shën Markut. U afrua edhe si ndërmjetës në luftën e vogël e të përgjakshme që bënte Signoria kundër zotit të fuqishëm të veriut shqiptar, Balshës III Balshiq (1408). Mirëpo gjendja tejet e paqëndrueshme e detyroi të bënte disa kompromise. Kur arritën të fuqizohen përkohësisht më 1410 osmanët, Ivanit iu desh t'i nënshtrohej sulltanit. Por ai nxori së andejmi dobi, duke marrë 300 vetë si trupë ndihmëse osmanë, të cilët ia ofroi si mercenarë, së bashku me 2000 luftëtarët e vet, Republikës së Venedikut më 1411 në luftën e tyre kundër Balshës III. Njëkohësisht, ai pengoi marshimin e njësive më të mëdha osmane përmes maleve, sikurse thoshte: "pas urdhëresës hyjnor … për mbrojtjen e besimit të krishterë". Për këtë ai arriti të merrte lirshëm armë prej Venedikut dhe të kishte një magazinë armësh në portin venedik të Ulqinit. Kësisoj, Ivani me njërën anë ishte vasal osman, më anën tjetër ishte siguruar në Itali dhe ne Dalmaci…
***
Megjithatë, Ivani nuk u sigurua vetëm ndaj fuqive të mëdha. Sundimin e tij që e rriti me zaptime të shpejta, e përforcoi me lidhje të shumta martesore. E ndihmoi fati që martesa me Vojsavën i dhuroi plot fëmijë; katër djem dhe pesë vajza: Reposhi, Stanisha, Kostantini dhe Gjergji si dhe Maria, Jela, Angjelina, Vlaica dhe Mamica. Emrat dëshmojnë sfondin ballkanas- ortodoks të familjes, lidhjet e ngushta me botën bullgare-serbe.
Dhëndurët, Ivani i kërkoi me shumë kujdes: Marien ia dha Stefan Crnojeviqit, zotit të Maleve të Zeza, Angjelinën, Vladino Aranit Kominos, vëllait të Komino Aranitit të fuqishëm, nga dera më e rëndësishme e Arbërisë së mesme, Jelën, Pal Srez Balshës, Vlaicën, Gjin Muzakës. Në këtë mënyrë Ivani mbronte daljet e tij në det për nga veriu dhe jugu. Nuk ishin përfshirë në këtë sistem fqinjët e tij të drejtpërdrejtë në veri të Matit, Dukagjinët, ndoshta një shenjë kjo e armiqësisë që do të përshkonte krejt shekullin 15. Së brendshmi ai e mbështeste sundimin e vet mbi një shpurë besnike prej rreth 2000 luftëtarësh. Oborri i tij, nëse do të mund të përdorej ky emërtim, kufizohej vetëm në disa pak vetë, së shumti nga Ballkani ortodoks, nga Petër Dhimitri, abati Petër, çelniku (sekretari) Petër. Pasuesit shpërbleheshin pjesërisht me plaçkitjet, pjesërisht me të ardhurat nga tregtia e Adriatikut me Raguzën dhe Venedikun, por edhe me tregtarë vendas si p.sh nga Lezha dhe Kotori. Ivani kishte kripore, shiste drithë, nxirrte të holla nga dogana e skelës së afërt me Lezhën, në Shufadë, buzë Adriatikut. Kështjella kishte vetëm katër, shumicën e tyre në Mat; nuk quante ndonjë qytet për të vetin. Në tërësi sundimi i tij nuk shtrihej mbi vende të ngulitura, por mbi njerëz. Për sa kohë e ndiqnin pas luftëtarë, shumica e tyre pa dyshim barinj, Ivani mund të mbahej fort, madje edhe atëherë kur osmanët pushtonin kalatë e tij.
Post a Comment