Saturday, January 10, 2009

Bie “kështjella” e Kakomesë, simboli i pronës së dhunuar

"Protesta në Nivicë u shua pa u marrë vesh. Pa u marrë vesh janë arrestuar edhe 15 banorë të saj pasi këta nuk janë as vrasës, as narkotrafikantë me të cilët mbushim edicionet e lajmeve dhe as përdhunues".-http://www.gazetalibertas.com

9 January 2009, 23:17


Post by Plator Nesturi, editor in chief of neswpaper Gazeta Libertas

EDITORIAL - Në mbrëmjen e së enjtes, policia e shtetit ka kryer dy aksione në të njëjtën kohë por në vendndodhje të largëta nga njëra tjetra. Ajo çfarë është bërë e njohur dhe që ka gjendur vend masivisht në media, ka qenë paraqitja e furgonëve të policisë përballë redaksisë së gazetës Tema për të liruar ambientet e ndërtesës që është në pronësi të shtetit shqiptar. Aksioni tjetër policor u zhvillua më në heshtje, por me më shumë agresivitet, madje nuk ka munguar dhe brutaliteti ndaj qytetarëve. Forca të shumta të uniformave blu nga Tirana, Vlora dhe Saranda kanë ndërhyrë në Nivicë për të “çliruar” gjirin e Kakomesë nga … vetë banorët e saj. Bilanci është: thyerja e e bllokadës njëmujore të banorëve që kishin bllokuar rrugën për në gjirin turistik pse kërkonin të mbronin pronën e tyre dhe 15 të arrestuar niviciotë me në krye kryeplakun e fshatit. Pas blindave të policisë që liruan rrugën u futën makineritë e firmës që ka fituar të drejtën për ndërtimin e fshatit turistik në Kakome.
Në të dyja rastet ndërhyrjet e policisë kanë ndodhur për të liruar objekte, por nëse në rastin e gazetës Tema, pavarësisht kontratës së rregullt nga ana e botuesit për shfrytëzimin e saj, godina është qartësisht pronë e shtetit dhe do të përdoret sërish për qëllime shtetërore, në rastin e Kakomesë çështja është ende në proçes gjyqësor ndërmjet shtetit shqiptar dhe pronarëve niviciotë, dhe shteti po vendos për pronësinë mbi gjirin, ku është dhënë leja e ndërtimit të një fshati turistik, në favor të një firme private!
Dallimi në motivet mbi të dy këto çështje nuk ka si qëllim për të ndarë faktin se kush ka të drejtë dhe kush jo në protestën e tyre, pra redaksia e gazetës Tema apo banorët e Nivicës. Porse mbrojtja e së drejtës së një kontrate shfrytëzimi në objekte shtetërore ka goxha ndryshim me mbrojtjen e tokës që ke në pronësi dhe që me një vendim qeverie bëhet pronë e një firme ndërtimi. Për më tepër, në rastin e Kakomesë, gjatë një muaji e gjysëm të protestës, niviciotët nuk kanë patur asnjë dritare mediatike për të bërë të njohur zërin e tyre të revoltës në mbrojtje të pronës që po u grabitet.
Ajo çfarë ra në sy gjatë 24 orëshit në vijim ishte se ndryshe nga mediatizimi normal dhe i kuptueshëm për bllokimin e gazetës Tema, mjetet e informimit masiv nuk dhanë as edhe një njoftim të vetëm për ndërhyrjen e policisë në Nivicë dhe arrestimin e 15 prej banorëve protestues. Pak të bën të besosh se kjo ka ndodhur pse Kakomeja është larg, pasi në emisionet tona informative njoftohemi me tepri edhe për aksidentet më banale në çdo cep të vendit. Megjithatë kjo ndodhi.
Protesta në Nivicë u shua pa u marrë vesh. Pa u marrë vesh janë arrestuar edhe 15 banorë të saj pasi këta nuk janë as vrasës, as narkotrafikantë me të cilët mbushim edicionet e lajmeve dhe as përdhunues. Ata thjesht kërkonin të mbronin pronën e tyre dhe kaq ish e mjaftueshme të kalonin në heshtje. Pasi në heshtje kish kaluar edhe vetë protesta e tyre njëmujore, ku netët e acarta të dimrit po kaloheshin nëpër çadra fushore.
Veçse në terrin e kësaj heshtjeje nuk mund të mos theksohet se nëse policia zbatoi urdhrat që i kishin ardhur (të drejta apo abuzivë qofshin), turpi na mbetet neve, njerëzve të medias, pasi heshtëm dhe bjerrim nga profesionalizmi ynë në pasqyrimin e asaj çfarë ndodh në Shqipëri.
Interesat ekonomikë dolën edhe kësaj rradhe fitimtarë mbi profesionalizmin tonë. Madje mund të thuhet se “kështjella” e Kakomesë ra edhe për fajin tonë. Tashmë, ky simbol i mbrojtjes së pronës së dhunuar, është nën kontroll të rreptë policor. Shtetit shqiptar i pëlqeu heshtja mediatike pasi gjithçka kaloi pa bujë. Ajo çfarë mund të thuhet është: mjerë pronat në Shqipëri. 15 niviciotët e arrestuar dhe të pa-gojë për fajin tonë si media, janë shembull i qartë se cili është fati i çdo qytetari që ndihet i rrezikuar në pronën e tij. Ne heshtëm, dhe shtetit që e akuzojmë çdo ditë për abuzime, i pëlqeu heshtja jonë. Sa turp.

No comments: