Thursday, February 26, 2009

Banga boterore nuk ka autorizuar prishjen e objekteve në Jal

BB:Gabuam me dhëndrin e Berishës

Eltion Hoxha | 26/02/2009 (Shekulli)

"Grupi i Menaxherëve duhej ta trajtonte seriozisht çështjen, për të shmangur perceptimin e konfliktit të interesit"

Banka Botërore: Emërimi i Malltezit, një gjykim i dobët

Në deklaratën e saj, BB-ja dhe Paneli i Inspektimit, pranojnë se moskundërshtimi i kandidaturës së Malltezit, rrezikonte reputacionin e saj

Banka Botërore ka bërë dje publik versionin e saj zyrtar rreth projektit të bregdetit dhe prishjeve të banesave në Jalë. Menaxherja për Shqipërinë, e BB-së, Camille Nuamah, tha dje pasdite se prishja e objekteve në Jalë nuk ka qenë e autorizuar nga Banka Botërore.

Në një konferencë për shtyp, përfaqësuesja e institucionit ndërkombëtar financiar tha se, Banka pranon që ka pasur gabime gjatë përgatitjes së projektit që në vitin 2005 dhe prezantimit të tij para bordit të drejtorëve.


Një nga gabimet e pranuara në deklaratën e përbashkët për shtyp të Bankës Botërore dhe Panelit të Inspektimit, është moskundërshtimi i kandidaturës së dhëndrit të Kryeministrit, si koordinator i projektit.

"Gjatë zbatimit, dhënia e moskundërshtimit (no objection) nga ana e Grupit të Menaxherëve për emërimin e dhëndrit të Kryeministrit si koordinator i projektit, ishte një gjykim i dobët, po të konsiderohet se një emërim i tillë, dhe do të krijonte, të paktën, perceptimin e konfliktit të interesit dhe, rrjedhimisht, një rrezik për reputacionin e Bankës Botërore",- citohet në deklaratën e përbashkët të BB-së dhe PI-së, ku pranohen gabimet.

Emërimit të zotit Jamarbër Malltezi si koordinator i projektit, i kushtohet një paragraf i tërë në raportin e kryer nga Grupi i Menaxherëve të Bankës Botërore, grup i cili pranon gabimet e tij të konstatuara nga Paneli i Inspektimit.

Në dokumentin e hartuar nga ky grup, në përgjigje të raportit të hetimit, të kryer nga paneli, përzgjedhjes në krye të projektit të dhëndrit të Kryeministrit Berisha, i kushtohet një paragraf. Vetë Grupi i Menaxherëve pranon se gjykimi i dobët nga ana e tyre ka çuar në një perceptim të konfliktit të interesit.


"Në fillim të vitit 2006, Qeveria e Shqipërisë ndërmori një proces konkurrimi për të përzgjedhur koordinatorin e projektit. Kandidati më i përzgjedhur si personi më i kualifikuar teknikisht, ishte dhëndri i Kryeministrit.


Në përpjekje të udhëzimeve të këshilltarit rajonal për prokurimet, Grupi i Menaxherëve mori garanci se procesi i përzgjedhjes nuk ishte ndikuar nga marrëdhënia e lartpërmendur dhe se do të mbahej një distancë raportimi midis koordinatorit të projektit dhe Kryeministrit",- shkruhet në raportin e Grupit të Menaxherëve.

Ai vijon më tej se, ky grup, nuk dha moskundërshtimin për zgjedhjen e tij. "Në vend që ta trajtonte këtë emërim si çështje rutinë, Grupi i Menaxherëve duhet ta kishte gjykuar më mirë këtë çështje, duke pasur parasysh se, një emërim i tillë, do të krijonte, të paktën, perceptimin e një konflikti interesi dhe, rrjedhimisht, do të lindte një rrezik reputacioni për Bankën Botërore",- thuhet në dokumentin që përmban raportin dhe rekomandimet e Grupit të Menaxherëve.

Sipas këtij dokumenti, kur Paneli i Inspektimit e ngriti si çështje perceptimin e konfliktit të interesit, Grupi e konsideroi atë të pambështetur juridikisht. Megjithatë, në raport thuhet se pretendimet e ngritura në Kuvendin e Shqipërisë dhe në media, në verën e vitit 2008 në lidhje me zotin Malltezi dhe bashkëshorten e tij, janë diskutuar me qeverinë dhe i kanë kaluar për shqyrtim Departamentit të Integritetit Institucional të Bankës Botërore.

No comments: