Friday, February 27, 2009

Deputeti i zones se Himares Spiro Peçi: Projektet për pronat, farsë

Peçi: Projektet për pronat, farsë

27 February 2009 (LIBERTAS)


Intervistë me deputetin e pavarur, i zgjedhur në zonën Bregdetit, Spiro Peçi. Abuzimet e qeverisë dhe kthimi i tokave. Peçi: Nuk besoj se banorët e shtëpive të shkatërruara në bregdet do dëmshpërblehen. Dy partitë kryesore kërkojnë dhe një herë votën e qytetarëve, duke premtuar zgjidhjen e problemit të pronave. Por, edhe pse bëhet fjalë për programe që pretendojnë të jenë të ndryshëm, për deputetin Spiro Peçi, bëhet fjalë për të njëjtën gjë. Në një intervistë për gazetën “Libertas”, Peçi deklaron se qëndrimit e PD dhe PS nuk bien ndesh me njëra- tjetrën. Por çështja më e nxehtë e momentit me pronat ka të bëjë me prishjen e shtëpive në Jal. Peçi argumenton se cilat janë ligjet nga qeveria dhe pse beson se qeveria nuk do t’i dëmshpërblejë, pavarësisht deklaratave.

Zoti Peçi prishja e ndërtimeve në Jal, pas raportit të Bankës Botërore dhe replikave të qeverisë është kthyer në një çështje delikate, jo vetëm ekonomike, por dhe politike. Nga ana ligjore, deri ku arrijnë përmasat e abuzimeve?

Tashmë tema e prishjeve të ndërtimeve në Jal është bërë një çështje e ditës si për politikën, por edhe për mediat. Në diskutimet qoftë në parlament, apo në shtyp, të gjithë pranojnë se prishjet e ndërtimeve nuk duhet të kishin ndodhur, por sipas interesave fokusohen dhe interpretohen nëse këto prishje janë kryer nga BB apo nga qeveria. Unë nuk dua të ndalem në këtë lloj analize, sepse kjo pak rëndësi ka para faktit se banorët e Jalit janë dëmtuar rëndë. Për mendimin tim, në çfarëdo rrethane, qeveria nuk mund t’i shmanget nga përgjegjësisë direkt, nëse këto prishje janë bërë në kundërshtim me ligjin.

Çfarë do të bëhet për kompensimin e banorëve që u prekën nga “projekti”? Ju si deputet, a kini ndërmarrë ndonjë nisëm?

Pikërisht, unë si deputet i zonës, por edhe si jurist, e kam ngritur këtë çështje me forcë në seancën plenare të datës 23 prill 2007, prishjet u bënë më datën 17-18 prill, ku kam argumentuar se organet shtetërore në vartësi dhe në përkrahje të qeverisë kryen një masakër të vërtetë me një vandalizëm të paparë. Në këtë konkluzion arrita pasi kisha shkuar në Jal, kisha takuar të gjithë banorët e dëmtuar, pash dokumentacionin që ata kishin dhe të gjitha këto i ballafaqova me legjislacionin në fuqi, që rregullon këto lloj marrëdhëniesh. Për të mos ta zgjatur shumë, siç thashë pak më lartë, qeveria është tërësisht përgjegjëse për atë ç’ka ndodhur në Jal, jo vetëm se prishjet u bënë nga policia ndërtimore e Vlorës, por edhe ajo sikur të mos jetë urdhëruesja direkt, nuk mund të zbatonte urdhrin apo porosinë e kujtdo, për aq kohë sa ligji nuk të lejonte që këto godina të prisheshin. Por, ka dhe diçka tjetër që të bën të dyshosh në tendencën e shkatërrimeve. Prishjet u bënë në muajin prill, vetëm pak kohë para nisjes së sezonit turistik veror, kur dihej që një pjesë e mirë e kësaj zone të ardhurat i siguron me anë të turizmit.

Në rastin konkret ku qëndron shkelja e ligjit nga ata që urdhëruan dhe realizuan prishjen?

Në vitin 2006, parlamenti miratoi ligjin për legalizimet e ndërtimeve pa leje, i cili në momentin që ka ndodhur prishjet e ndërtimeve që flasim, ishte në fuqi. Në nenin 2 të këtij ligji thuhet se për zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, ngarkohet Këshilli i Ministrave që brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji të përcaktoj zonat (pra ato turistike), në të cilat do të lejohej legalizimi ose jo. Këshilli i Ministrave, jo vetëm në atë kohë, por kam përshtypjen se dhe sot ka mundësi të mos e ketë nxjerrë një vendim të tillë. Pra, vet ligji konservonte gjendjen që ishte edhe në Jal derisa qeveria të shprehej me vendim nëse atje do prisheshin ose do legalizoheshin ndërtimet. Veç kësaj, në Jal janë prishur ndërtime, por nga zelli i madh janë shkulur edhe pemë dhjetëvjeçare, të cilat ishin brenda kufijve të pronarëve të ligjshëm. Ligji për këto raste dhe konkretisht ai me numër 8405, në nenin 77, thotë në mënyrë shumë të qartë se për ndërtimet pa leje brenda pronës së vetë, kur këto nuk bien ndesh me kushtet urbanistike të vendit konkret, atëherë këto nuk prishen, por pronari tyre gjobitet nga organet në vartësi të pushtetit vendor me gjobë nga 4% deri në 10% të vlerës sipas destinacionit të ndërtimit pa leje. Për këtë zonë nuk ka pasur dhe nuk ka studim urbanistik që të gjykohej nëse janë brenda kushteve urbanistike ndërtimet që u prishën. Do mjaftonin vetëm argumentet e shpjeguara më lartë për të kuptuar se prishjet ishin të paligjshme dhe se qeveria nuk mund të shmanget nga përgjegjësia. Për mendimin tim, pa dyshim që banorët duhen dëmshpërblyer, por me gjithë deklaratat që kemi dëgjuar, nuk jam shumë optimist se mund të ndodhi.

Ditët e fundit kemi dy nisma: një të qeverisë për kompensimin e ish-pronarëve me troje në bregdet dhe një të PS-së për njohjen e pronësisë së tokës në bazë të Ligjit 7501. Në cilësinë e juristit, duke parë thelbin e dy nismave, a zgjidhet problemi i pronave?

Lidhur me deklaratat e fundit të Kryeministrit për të kompensuar ish-pronarët me troje në bregdet dhe deklaratat e opozitës, se duhet të mos cenohet zbatimi i Ligjit 7501, nuk shoh që këto qëndrime të bien ndesh me njëra-tjetrën, jo vetëm se të dyja palët janë për kompensimin e ish-pronarëve, por edhe për faktin se pronat e fituara rregullisht nga Ligji 7501, për sa kohë që ky është në fuqi, nuk mund të përfshihen në sipërfaqe për kompensim.

No comments: