Monday, February 23, 2009

Korrupsioni tokëvjedhës

Aleksandër Çipa

gazeta shqip-online

Fushatat elektorale janë ekage-ja e mashtrimit apo sinqeritetit të një mandati qeverisës. Gjatë këtyre ditëve, udhëheqësit partiakë kanë nisur të rendin nëpër takime fshatrash dhe qytezash të lëna në gjendje mjeruese rurale. Palët e rinisin premtimin sikur nuk kanë pasur të bëjnë me këto çështje në fushatën paraardhëse. Artikulimet e udhëheqësve rinisin për çështjen kruciale të tokave dhe të pronave. Kryetari i opozitës, i cili natyrshëm është i prirur të jetë më premtues, për shkak se ka pasur kohë dhe mundësi të formatimit të programit dhe projektit të ri qeverisës, në takimet e ditëve të fundit i është referuar problemit të tokave dhe të pronave të pakthyera. Zoti Rama i është adresuar ligjit famëkeq dhe të satanizuar prej kategorive apo grupeve të interesit, pra Ligjit 7501. Madje, kryesocialisti Edi Rama e ka shpalosur këtë si premtim kryesor. Befasues ky premtim! "Ne do të përfundojmë regjistrimin e tokës bujqësore dhe do t‘u japim në dorë certifikatën e pronësisë bujqve e fermerëve, duke hedhur bazën e tregut të tokës. Nuk mund të ketë një Shqipëri të mirëushqyer me një fshat të kthyer në epokën e mesjetës dhe s‘mund të ketë një Shqipëri evropiane të zhvilluar ekonomikisht, pa hapur epokën e kapitalizmit në fshat…"

Mirëpo kjo nuk është e re. Këtë gjë e ka thënë Sali Berisha katër vjet më parë. Madje, Kryeministri në detyrë, ngriti një administratë të posaçme, tjetërsoi ish-Komitetin e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, duke e shndërruar në agjenci. Nga ana tjetër, qeveria Berisha ristrukturoi dhe kreu një volum gjigant pune me ALUIZNI-n, të cilin Edi Rama e konsideron si institucionin që kryen aktin e "Shaban tapisë".

Premtohet e pabëra dhe e ripremtuara. Kështu nis fushata në këtë vend. Me premtimin se do bëhet ajo që për 18 vjet nuk është bërë dhe që për një mijë e një arsye është shtyrë nëpër kalenda.

Ç‘duhet bërë atëherë? Si mund të shmanget ky premtim me fund mashtrimin? Pse viktimizon premtimin opozita?

Ndoshta për këtë çështje tipike të krejt tranzicionit ka ardhur koha të sigurohet një pakt gjithëbashkues, por jo kolektivist. Me ligjin dhe pronat nuk mund të luhet si me fjalët e konferencave apo seancave parlamentare. Në themel të këtij ligji dhe të miradministrimit të pronave dhe trashëgimisë është themeltësia e shtetit dhe garancia e qëndrimit dhe trashëgimit të tij. Këtë maturi dhe pjekuri të munguar politike dhe kombëtare, ndoshta në këtë fushatë elektorale, duhet ta fitojë klasa dhe krejt administrata partiake e vendit.

Koalicioni politik për këtë çështje, nëse krijohet, mund të gjejë kazusin real dhe dimensional për një sukses shumëmbështetës. Në të kundërt, nëse vijohet më tej premtimi mashtrues elektoral, atëherë sëmundshmëria sociale dhe jo vetëm ajo, mund të shtojë mavijosjen dhe disharmoninë e brendshme kombëtare.

Ligji i paqëndrueshëm dhe nenet e kontestuara për pronësinë, janë thelbi i tejzgjatjes së tranzicionit tonë postkomunist, janë arsyeja madhore e zhgënjimit dhe e depresionit për kategori dhe komunitete masive. Në këtë mbartje të skandalit, është cenuar e drejta natyrale e trashëgimisë, janë përdhosur konventat dhe parimet universale për të drejtën e pronës, posedimit dhe trashëgimisë së saj, sikundër janë shtuar plagët kriminale, për shkak dhe si pasojë e tokës së pamarrë apo të grabitur.

Korrupsioni i sotëm shqiptar më i madh se kudo, gjendet te "dosjet e pronave". Makutëria, grabitja skandaloze dhe sidomos vjedhja dhe falsifikimi gjenden në masën më tronditëse, pikërisht në administratat e kthimit të tokave në krejt 18 vjetët e fundit. Dosja e mëkateve të kryera nga skota e nëpunësisë së këtij sektori, nuk mund të hetohet në një apo dy mandate, por kërkon, për mendimin tim, një angazhim më të madh se aplikimi i ligjit të lustracionit, nëse ai riformulohet prej palëve politike në rrethana jo si të tanishmet. Por që të fitohet një proces i tillë, duhet të mendosh naivisht se palët politike dhe administratat e nëpunësisë së paskrupullt, nuk kanë dëshira dhe etje pronësore, si ato të dëshmuara në kaq akte rotacioni apo mandate qeverisjeje.

Sidoqoftë, rikthimi i politikës te çështja e pronës, duhet lexuar si gjesti i parë flagrant i demagogjisë. Në këtë premtim, politikanët nuk ndihen në hall, në shpresë gjenden vetëm qytetarët. Se jeton ky absurd, prandaj fushatat te ne udhëtojnë drejt akteve dhe kapitujve qesharakë të tyre. Këto fushata, cikël më cikël, nuk fitojnë vlera realpolitike, por riformësojnë komeditë e demagogjisë premtuese politike. Ky është sistemi i fushatëbërjes që mbartim cikël më cikël dhe riinstalojmë sa bie gongu kohor i fushatës së radhës.

Politika jonë nuk po e fiton dot fisnikërinë për këtë çështje dhe këtë problem madhor kombëtar. Kjo fisnikëri, mund të thotë dikush, nuk mund të fitohet, sepse nuk ekziston. Mirëpo, kur një ndërgjegje krijohet si produkt i përjetimit të hallit dhe dhimbjes njerëzore, atëherë, ajo pashmangshmërisht në mos e fitoftë, arrin të shohë rrugën që fisnikëron. Halli i tokës në Shqipëri, është një hall i madh. Kush e zgjidh atë, ai politikan "shenjtërohet". Sepse toka është vërtet "at dhe nënë", por edhe "fëmijë", kur je në betejë për ta fituar atë si trashëgues natyral.

Mëkatësia e madhe politike e kësaj epoke, ndër shqiptarë, mbart absurdin e batutës impresionuese, madje sentenciale të "Filomena Marturano" së Eduardo De Filipos, të vënë me sukses në skenë prej regjisorit Albert Minga, këtë fundjavë në Teatrin Kombëtar, e cila thotë: "Fëmijët nuk blihen me para".

Aktvjedhja e tokës së mbrojtur ndër breza dhe pasardhës shekullorë, ka ndotur seriozisht ndërgjegjen e shtetit dhe të administratave të këtij vendi. Fatkeqësisht, kjo ndotje në vitet e fundit është dimensionuar edhe më tepër, jo vetëm si proces korrupsioni, por edhe si një realitet me shumë pasoja. Vjedhja e tokës, mori vlerën e një realiteti të gjithëpranuar dhe nënshtrues. Kjo vjedhje shëmtoi imazhin e ri urban të vendit, sikundër deformoi strukturat e trashëgimisë sonë etnodemografike. Këto pasoja ne kemi për t‘i shijuar në dekadat e ardhme, sikundër edhe kemi për t‘i mbartur si shqetësime afatgjata në kohën e ardhme.

Korrupsioni tokëvjedhës në këtë periudhë tranzicioni, shembi mitin e trashëgimisë natyrale pronësore. Pronari po blen tokën dhe po e mbron me pagesa të shumëfishta tokën. Qindra pronarë legalë të këtij vatani po heqin të zezat e ullirit për të mbrojtur, ruajtur dhe fituar dokumentacionin legal të pronësisë. Ky kalvar është shembësi real i kapitalizmit të ëndërruar, sikundër është edhe imazhi i ri i keq, i Shqipërisë postkomuniste, të cilin autorët e njohur dhe të panjohur e mbajnë në këmbë përmes recidivizmit pronësor.

1 comment:

Anonymous said...

Krimi i Edisonit si kontribut

Aleksander Çipa

Ka kaq kohë që në mediumet tona dhe në shtypin e përditshëm, herë pas here riciklohet debati, apo mendimdhënia për situatën kritike dhe problemet e thella deontologjike që shfaqen në tregun mediatik dhe në përditshmërinë e këtij profesioni. Rastet enumerohen, ndonëse ata janë gjithnjë e më të ndryshëm nga koha në kohë. Më i fundit rast, ai i shkrimeve të Edison Ypit ndaj kolegut Mero Baze, ka për të qenë pa mëdyshje një kazus, të cilin breza studentësh të Gazetarisë dhe pedagogë të fakulteteve të Shkencave të Komunikimit kanë për ta pasur si një model flagrant, si një shembull që mungon edhe për shtypin propagandistik të luftës apo luftërave në shumëformësinë dhe polipërmbajtjen e tyre në vitet 1870, apo në vitet 1940.

Ky kazus mbart një datë të vitit 2009 dhe për këtë shkak, fatkeqësia që konstatojmë dhe shijojmë është edhe më e madhe nga sa e trajtojmë.

Në fakt, në mediat tona fatkeqësitë e mëdha (profesionale) janë bërë objekt i bashkëdiskutimit dhe debatimit të sojshëm më pak nga sa duhej. Reagimi dhe forca ndërhyrëse për bllokimin, apo ndaljen e tyre ka qenë gjithmonë liliput. Kjo gjë vazhdon të ndodhë ende dhe do të thotë se ne ende jemi rob të fatkeqësisë që dominon mbi ne.

Pa rënë në teoritë lodhëse të interpretimit, apo të përcaktimit të asaj që ndodh, do të doja të ngrija më shumë shqetësimin si punëtor i zellshëm i gazetarisë së sotme në këtë vend, si një ndër ata që aspiroj se revolucioni etik në profesionin tonë do të shënojë pashmangshmërisht një stad të ri të etikës shoqërore në përgjithësi dhe do të bëjë të mundur që agresiviteti komunikues i mediave tona të shndërrohet realisht në një metamorfozë të informimbërjes cilësore e virtuoze.

Patologjia e shkrimeve të Edison Ypit nuk është thjesht një fenomen individual. Kjo është një tipologji e mbartur në shtypin tonë përgjatë 18 vjetëve të fundit. Në një sentencë të vjetër gazetarie thuhet se: "Kurrë kolegu nuk mund të jetë personazh negativist për kolegun". Ky është edhe një nen etik, i një kodi universal etike në gazetari. Mirëpo vetëm si i tillë ky nuk është respektuar në traditën 18-vjeçare të këtij shtypi të shkruar shqiptar. Ka ndodhur e kundërta. Një shkarrashkruajtje vrasëse kohë më kohë e vit pas viti. Mëkati është shlyer me mëkat, krimi është shpërblyer me krim, linçimi publicistik është sulmuar prej linçimit të dyfishuar dhe mes gazetarëve ka triumfuar fatalizmi se gazetar të bën ai që të lë në dispozicion sipërfaqen e botimit dhe jo shkolla, apo kryeredaktori që ndjek karrierën dhe investimin tënd kualifikues. Mënyra se si rekrutohen sot komentonjës apo "editorialistë", "opinionistë", apo edhe "analistë" në shtypin shqiptar është e krahasueshme me vendet pa stabilitet dhe standard shoqëror, e krahasueshme me vendet që janë, ose në luftë, ose në destabilitet shoqëror dhe politik. Sot po shfaqemi në një gjendje të krahasueshme me atë të fillimviteve ‘90. Madje më keq, pasi në fillim të viteve ‘90, në vend kishte pak gazeta dhe ambicia intelektuale për t‘u shprehur dhe për të analizuar atë revolucion shoqëror e politik që po përjetonte vendi, ishte natyrshëm e lartë dhe me më tepër legjitimitet. Ndërsa sot, gjendja po ecën në një hulli përkeqësimi. Një sjellje dhe promovim vrastar, i cili po zhvleftëson realisht misionin dhe aspiratën për media profesionale, prish konkurrencën dhe shkatërron ambiciet implementuese të vlerave që sjellin të kualifikuarit. Është kjo një ndër arsyet që shumë prej ish-studentëve të diplomuar për Gazetari në universitete evropiane dhe perëndimore në përgjithësi, e kanë të pamundur të gjejnë sot një vend si editorë, apo drejtues informacioni në mediat kombëtare të Shqipërisë. Përgatitja e tyre dhe ideali profesional me të cilin janë formuar, nuk ka qasje fare me këtë realitet dhe këtë gjendje që ofron Shqipëria e egërsisë informale.

Por kjo e keqe bëhet edhe më e frikshme, kur përdoret prej palëve që kanë detyrim ndalimin dhe përjashtimin e kësaj patologjie, apo këtij barbarizmi profesional mediatik, siç është ai që manifeston Edison Ypi. Riaktualizimi i këtij rasti të shton brengën se do të jetë ende e largët koha që kjo tipologji të mërgohet njëherë e përgjithmonë nga jeta dhe praktika mediatike e vendit. Kjo përgjegjësi morale dhe etike për moslejimin e saj, nis qysh prej botuesit, editorit, prej redaksisë dhe pas këtyre, kjo përgjegjësi mbërrin e ashpër deri te shoqatat dhe organizmat vetërregulluese.

Rasti i zotit Ypi është një kazus, të cilin nuk do ta kishte toleruar asnjë Kod Etike, nuk do ta kishte kaluar në neglizhencë dhe harrim asnjë Urdhër Gazetari dhe natyrisht nuk do ta kishte kaluar në heshtje asnjë organizëm ligjor, që merret me çështjet dhe parimet morale të së drejtës dhe të përgjegjësisë në komunikimin e artikulimin publik.

Kjo heshtje dhe ky pranim fatalist na ndëshkon të gjithëve, të gjithëve ne që kemi ardhur në këtë profesion nga puna e mundimshme dhe sakrifikante e reporterit në terren, nga ngjitja me mundim në pozicionin e ish-kryeredaktorëve dhe editorëve të shtypit kombëtar dhe që aktualisht merremi me angazhim konkret për ndryshim të diçkaje në këtë kënetë aprofesionalizmi dhe këtë mjedis ku ndotja është arti që dominon më së shumti.

Kjo e keqe vepruese në tregun tonë mediatik po zvogëlon mediat. Ky është një zvogëlim i frikshëm, të cilin si humbje të rëndë po e shijon aktualisht vetë shoqëria. Në shtypin dhe mediat e këtij vendi, sot ka shumë hapësirë për t‘u shprehur e për të shkruar. Por kjo liri tinëzare është vrasja vetë. Pak kohë më parë, unë e kam etiketuar atë si liri të pacilësishme. Ajo ka prishur prej vitesh hierarkinë e vlerës së fjalës dhe ka bërë të mundur që përmes politikës inflacioniste të fjalës dhe sipërfaqes së paadministruar, të prishet miti i fjalës së vlershme.

Ky është një projekt që po implementohet rrezikshëm në realitetin mediatik të vendit. Askush nuk bëhet solidar me të përkundërtën e duhur, pra me atë që e shohim si realitet në vendet e BE-së, në SHBA, apo në vende të tjera modeli. Shumëkush injoron prononcime, apo deklarata të ndryshme denoncuese, kur ka raste të kësaj dhune, pasi menjëherë mbi aktin e dhunës vendoset analiza se kush është ai që është dhunuar dhe cilat janë krimet profesionale të tij në të shkuarën e afërt. Me një fjalë, nuk na hyn në sy dhimbja, por na vlen vetëm gjykimi si hakmarrje, apo si shpagim. Kështu po ngjet edhe me rastin e Edison Ypit.

Pa humbur kohë, do të doja të kishim solidaritetin e komunitetit tonë profesional në raport me këtë rast-kazus. Do të duhej të formulonim një reagim ndryshe nga të deritanishmit të gjithë gazetarët. Jo të formulonim një deklaratë në mbrojtje të Meros, por të kërkonim vetëm të respektonim, qoftë edhe në formë imituese, një masë reagimi nën moton dhe respektin e patjetërsueshëm të Kodit të Etikës dhe të Urdhrit të Gazetarit. Natyrisht këto na mungojnë ne si institucione, por le të shërbejë ky rast si shtysë për promovimin e vetë institucioneve të paqena të vetërregullimit. Kjo do të ishte më e vlefshme se çdo gjë tjetër. Në këtë rast Edison Ypi do të kujtohej si kontributor përmes mëkatit të tij, për nisjen e revolucionit të vetërregullimit në shtypin dhe në mediat shqiptare të shekullit XXI. Në të kundërt, evolucioni zvogëlues i vlerës dhe misionit të mediave të sotme shqiptare, paskan pasur shkrimet e Edisonit si ogurin e patjetërsueshëm të zvogëlimit dhe vrasjes së mëtejshme të vetë mediave dhe shtypit.