Tuesday, March 10, 2009

Bregdet, banorët “mirëpresin Kishën"

10 March 2009 (LIBERTAS)

Nga Skerdilajd Zaimi - Kumi: “Vetëm shteti nuk ka pronësi në bregdet”. “Ne i kemi të gjitha dokumentacionet që tregojnë çfarë është e kishës dhe çfarë është e jona”. Pretendimi i Kishës Ortodokse për pronësinë e territoreve në fshatin turistik të Kakomesë kanë “fituar” konsensusin e banorëve të zonës. Përmes një prononcimi për gazetën “Libertas”, përfaqësuesi i tyre, kryetari i Komunës Nivicë, Vladimir Kumi, ka pranuar të drejtën e KOSH-it mbi pronat që rrethojnë manastirin, duke bërë edhe një prezantim të situatës dokumentare në këtë zonë. “Lidhur me kishën, në çështjen tonë, ne nuk e kemi përjashtuar asnjëherë atë nga e drejta e pronësisë. Ne i kemi të gjitha dokumentacionet e nevojshme që tregojnë qartë se çfarë është e kishës dhe çfarë është e jona”, tha ai. Një dalje e tillë publike e ridimensionon konfliktin e pronësisë në këtë zonë të jugut të vendit. Ajo implikon padashur një faktor me shumë peshë në gamën e problemeve që shteti ka krijuar në bregdet; kishën, rreth së cilës ka shumë ndjeshmëri. Paqartësia që krijohet në këtë rast, lidhet me faktin se për cilën arsye banorët e braktisur të Nivicës nuk kanë tentuar që të integrojnë në konflikt edhe kishën, prania e së cilës minimalisht do të kufizonte ndërhyrjet brutale të shtetit. Marrëveshjet e fundit mes qeverisë dhe komuniteteve fetare, në fakt kanë krijuar një dritare për kompensimin e këtyre të fundit. Por, edhe këto nuk mjaftojnë, për sa kohë që kthimi do të kufizohet me objektet e kultit dhe jo me territoret rrethuese, të cilat mund të fitohen në rast se nuk ka pretendentë të tjerë. Për sa i përket Kakomesë, duket se banorët njohin një realitet që e ndan të drejtën e pronësisë mes tyre dhe KOSH, çka në vetvete e bën edhe më të paqartë qëndrimin e kishës në vetvete. Kumi, nga ana tjetër, ka zbuluar për publikun edhe një të dhënë të re, që e bën edhe më të dukshëm realitetin e bregdetit; në problemin e pronësisë, ai duket se tradicionalisht ka qenë një pasuri e ndarë mes banorëve dhe institucioneve të kultit. “Vetëm shteti që nuk ka pronësi në Kakome. E gjithë pasuria jonë është e rrethuar nga tre manastire: ai i Kakomesë në veri, i “40 Shenjtorëve” në jug, i Shën Gjergjit në lindje, por edhe nga deti”, shton Kumi.

KOSH: “Toka është e jona”: “Toka është e kishës. Nuk është as e banorëve dhe as e shtetit, që sot zihen për to”. Kështu janë shprehur disa ditë më parë, për gazetën “Libertas”, burime nga KOSH në Tiranë lidhur me situatën e pronësisë në fshatin turistik të Kakomesë. Duke ofruar disa argumente që lidhen me traditat e zonës dhe realitetin historik të saj, burimet kanë saktësuar se konflikti aktual po zhvillohet në një terren absurd, për sa kohë që ai shpërfill pronarin e vërtetë dhe të madh të territorit, kishën.

Komunitetet fetare, një tranzicion konflikti me shtetin: Precedenti i Kakomesë, lidhur me të drejtën e pronësisë duket se nuk është i pari. Lufta e komuniteteve fetare për pronat e tyre të dikurshme është aktualisht një çështje që sa vjen e ndërkombëtarizohet në diplomacinë mes Tiranës dhe Bashkimit Evropian. Duke lënë mënjanë rastet, që kanë të bëjnë me të drejta mbi territore të mëdha, konflikti i heshtur mes institucioneve të besimit dhe shtetit është i pranishëm edhe për godina të ndryshme që kanë ndryshuar destinacion. Për të mbetur te KOSH, rastit të Kakomesë i shtihet ai i Shtëpisë së Kulturës në Përmet, e cila prej vitesh qëndron pezull si një mollë sherri mes kishës dhe shtetit. Aq i fortë ka qenë kjo përplasje sa ndryshimi i destinacionit të Shtëpisë së Kulturës (dikur kisha e Shën Mërisë së Pazarit) në ambient për qëllime fetare është bërë pa një vendim paraprak të gjykatës. Ka qenë ky veprim që ka sjellë reagimin e një pjese të qytetarëve që kanë ankimuar në gjykatë. Ajo që e bën më të ndjeshëm këtë problem është fakti se prej më shumë se 18 vjetësh, shteti shqiptar nuk ka arritur që të zgjidhë konfliktet e pronësisë në vend. Pezullimi thuajse i plotë i kompensimit për komunitetet fetare është një tregues për mungesën e vullnetit dhe pse jo të lojës politike që zhvillohet me pronat.

Precedenti juridik: Tokat e osmanëve nuk njihen në Shqipëri. Edhe pse një shtet i vogël duket se diapazoni i kreativitetit është i madh. Kur vjen puna te e drejta e pronës, gjyqësori ynë ka ofruar, përveç korrupsionit, edhe disa momente interesante, që mund të klasifikohen si shpikje juridike, që shkojnë deri në kufijtë e groteskes. “Prona ishte përfituar si blerje nga qeveria otomane dhe, meqenëse qeveria otomane qenkësh pushtuese, ky vendim është pa vlerë juridike dhe si rezultat i kësaj, ne nuk mund të na kthehej një pronë që është përfituar në këtë mënyrë”. Kjo është një sekuencë nga prononcimi i kryetarit të Komunës Lukovë, Vladimir Kumi, gjatë një interviste me “Libertas”, i cili evidenton më së miri se cilat janë institucionet që qëndrojnë përballë nesh. Pra, nëse i referohesh kësaj logjike, dikush që ka një pronë të trashëguar nga gjyshi, apo dikush tjetër që bazohet mbi defterët e Turqisë, shumë mirë mund të humbasë të drejtën e përfitimit. Qesharakja e këtij argumenti qëndron në faktin se edhe krijimi i shtetit tonë fillon me akte ndërkombëtare, duke kujtuar se në realitet deklarata e 29 korrikut 1913 është tapia jonë shtetërore. 28 Nëntori është festa, por jo realiteti i pavarësisë.

1 comment:

Anonymous said...

Këshilli i komunës kundërshton propozimin e kryekomunarit Vladimir Kumi: Nuk pyeti njerëzit Ajo e djeshmja ka qenë ndoshta më e tensionuara nga mbledhjet e Këshillit të Komunës së Lukovës. Arsyeja ishte se në rendin e ditës, vend kryesor kishte miratimi i një resorti turistik në territorin e fshatit Lukovë dhe Shënvasil. Me ndjeshmërinë për të mos lejuar të ndodhte kjo, godina e Komunës së Lukovës mesditën e djeshme ishte rrethuar nga njerëz të shumtë, me gjithë shiun që binte litar. Por krahas turmave të të interesuarve, situata kontrollohej nga njerëz të grupimit që ishin pro projektit dhe personit që qëndron pas tij. Ata bënin edhe truprojën dhe ndalonin hyrjet e "padëshiruara" në shkallët e komunës, ndërkohë që zhvillohej mbledhja. Madje edhe gazetarët janë ndaluar të kapërcejnë pragun e godinës së komunës, pasi janë identifikuar si "duhanpirës". Ndërkaq, brenda ishte ndezur debati. Pas disa orësh përplasje të argumenteve dhe kundërargumenteve mes këshilltarëve, mbledhja ka mbërritur në fundin e vet. Ajo që është mësuar pas saj ka qenë se projekti i pretenduar nga një kompani private, emri i së cilës nuk u bë i ditur, është përplasur në votimin negativ të shumicës së këshilltarëve. Ata shprehën saktë dhe qartë verdiktin e banorëve të fshatit për ta shtyrë këtë projekt. Argumentet më të forta që u bënë pengesë për të miratuar një projekt që nga disa është konsideruar si aferë e kryekomunarit Kumi ishin: mospërfillja dhe injorimi i faktorit komunitet dhe fakti që tokat që përfshin projekti i resortit gjenden brenda territoreve kadastralë të fshatrave Lukovë e Shënvasil, të cilat janë në procedurën e kthimit dhe kompensimit të pronave. Vasil Nasi, kryeplak i fshatit Lukovë dhe një nga anëtarët e këshillit komunar që nuk e dha votën e tij pro fshatit turistik, u shpreh se "faktori komunitet i Lukovës, të cilin unë e përfaqësoj, pas konsultimeve të gjera shprehu mendimin e tij kundër procedurave të ndjekura. Ne jemi për investime, por duhen respektuar të gjitha procedurat e vendosura dhe kriteret në këtë masterplan". Sipas tij, problemi konkret që ishte anashkaluar qe konsultimi paraprak me komunitetin e fshatit.

(Sipas Kumiut vetem kakomeja eshte toke e nivices ndersa plakotoi eshte i shtetit.Ne kemi tradhetaret brenda ne gjirin tone perfundimisht)