Tuesday, March 17, 2009

Shoqata Bregdeti: Nuk duam kompensim, por kthim fizik

(Shqip on line)-17-03-2009
"Bregdeti"

Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe shoqata "Bregdeti", e cila ka deklaruar se ajo vazhdimisht e ka kritikuar dhe është shprehur kundër qëndrimit të PR-së dhe deputetëve të saj në Kuvend. Sipas kësaj shoqate, zgjidhja e çështjes së pronës është fare e thjeshtë, nëse në regjistrat e ZRPP do të shtohet edhe një kolonë ku shteti të pasqyrojë origjinën e pronës para vitit 1945, një kolonë tjetër të periudhës së diktaturës, ku të shënohet "pronë shtetërore" dhe në kolonën e regjistrimit të ri të pas vitit 1991 mënyrën dhe ligjin e zbatuar për përfitimin dhe transkriptimin e pronës te pronari aktual. Kështu, theksojnë ata, gjërat nuk fillojnë nga e para, por korrigjohen paudhësitë e kurdisura nga hajdutët e infiltruar në politikë dhe në pushtet në këto 18 vjet. Analiza e fakteve do të tregojë se prej të dyja krahëve është organizuar një vjedhje masive dhe prandaj të dyja palët e ruanin me fanatizëm njëra-tjetrën. Deri tani, kjo politikë ka ecur duke e mashtruar popullin dhe institucionet ndërkombëtare. Shoqata "Bregdeti" i kujton Kryeministrit se ajo nuk ka kërkuar kompensim, por ka kërkuar dhe insiston për kthim fizik në kufijtë e para grabitjes komuniste, ashtu siç është bërë në shumicën e territorit shqiptar, pa folur për Çekinë dhe vendet e tjera ish-komuniste që shpëtuan ose u prekën lehtë nga mafia postkomuniste.
Për pronarët, zgjidhja e problemit të pronës nëse do të ketë vullnet politik është e lehtë, po të merret në konsideratë rezoluta e "Kuvendit të 8 Mbarëbregdetar për Pronën" e mbajtur më 10 gusht 2008 që ata i kanë dërguar. Po ashtu, po të zbatohen edhe 12 kërkesat që ka paraqitur shoqata "Pronësi me Drejtësi" dhe që shoqata "Bregdeti" i mbështesin. Ata kanë përgatitur një projektligj për zgjidhjen përfundimtare, të drejtë dhe pa kosto të pronës në zonën turistike. Duke kritikuar heshtjen e qeverisë për gjithë kërkesat e tyre, shoqatat e pronarëve theksojnë se mazhoranca të mos kërkojë votat në 2009, nëse deri atëherë nuk zgjidh çështjen e pronës.
12 kërkesat e Pronarëve
1. Zgjidhja e problemit të pronës dhe reforma e pronës duhet të bëhet në përputhje me kërkesat e KE-së dhe detyrimet kushtetuese, duke respektuar titujt e pronësisë
2. Ky proces të ndahet në dy faza të veçanta: kthimi dhe pas përfundimit të kthimit të fillojë kompensimi
3. Qeveria, me instrumentet e saj, duhet të ndajë dhe dallojë se cilat janë prona ku shteti gëzon ligjërisht titujt e mirëfilltë të pronësisë
4. Ndër pronat që duhen kompensuar, qeveria duhet të përcaktojë vetëm ato prona që janë tjetërsuar për ndërtime banimi para vitit 1991 ose edhe sot vazhdojnë të shfrytëzohen për nevoja publike konform ligjit
5. Qeverisë t‘i përcaktohet një afat për kthimin fizik sipas dokumenteve të para vitit 1945. Kthimi t‘i bëhet trungut familjar të trashëgimlënësit, pronar i ligjshëm
6. Të shpallen të pavlefshme të gjitha aktet me të cilat drejtuesit e institucioneve shtetërore, pas vitit 1991, e kanë transferuar pronën e subjekteve të shpronësuar në persona të tretë
7. Pronarëve të ligjshëm t‘u kthehet plotësisht prona dhe e drejta e parablerjes së objekteve të ngritura mbi tokat e tyre dhe të privatizuara nga pushtetarët sipas interesave klanore
8. Zhdëmtim ose sipas rastit vlerësim dhe detyrim financiar, personave të tretë, që këto 18 vjet i kanë përfituar padrejtësisht dhe po i shfrytëzojnë pronat e pronarëve të ligjshëm.
9. Vetëm pas përfundimit të kthimit të fillojë faza e kompensimit. (kërkesat e derikëtushme shërojnë korrupsionin e pushtetarëve që ju nuk doni ta trajtoni)
10. Hartat e tokave të lira dhe hartat e çmimeve, fondi për kompensim etj., janë të nevojshme vetëm për fazën e kompensimit dhe duhet të fillojnë të zbatohen fill pas përfundimit të kthimit
11. Kompensimi të bëhet me prona të mirëfillta të shtetit, që përbëjnë mbi 52 për qind të pronës. Vetëm shteti i së drejtës me prokurorinë dhe gjykatat që presim të forcohen, duhet ta çlirojë Shqipërinë nga kthetrat e politikanëve.
12. Kompensimi të parashikohet vetëm për pronat që vazhdojnë të shfrytëzohen për nevoja publike, si dhe ato prona që nga viti 1944 deri 1991 janë tjetërsuar për godina banimi

No comments: