Tuesday, March 17, 2009

Bollano ftohet në SHBA nga lobi grek

(Libertas)
16 March 2009

Pas ankesave të Varvitsiotis, angazhohet edhe komuniteti i Bregdetit. Problemet e qeverisë shqiptare me zonën e Himarës dhe Kakomesë, kanë vënë në lëvizje lobin grek në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një ftesë për Vasil Bollanon në Uashington është lajmi më i fundit që vjen nga Athina, ku aktualisht ndodhet kryetari i Bashkisë së Himarës. Burime mediatike greke bënë të ditur se ftesa ndaj Bollanos është e sigurt dhe mund të lidhet me ndonjë audiencë të tij në Departamentin e Shtetit. Në këtë kuadër, shqetësimet për kryebashkiakun e Himarës kanë qenë pjesë edhe të raportit vjetor të DASH, çka i jep situatës së krijuar një dimension që mund të vijë e të zgjerohet. Më thjeshtë, kriza e pronave në Jug të vendit, e prekur edhe nga zëvendësministri Varvitsiotis gjatë vizitës në Tiranë mund të integrohet edhe në axhendat diplomatike të zyrtarëve amerikanë. Ajo që ka rëndësi është fakti se komuniteti i Bregdetit dhe përfaqësia politike e tij po i luan të gjitha kartat në këtë prag fushate elektorale. Aktivizimi i lobit grek në SHBA flet edhe për faktin se kohës së buzëqeshjeve dhe shtrëngimeve të duarve mes Berishës dhe Nikolas Geixh (Gaxojanis) ndoshta u ka ikur koha. Ftohja mes dy palëve tashmë është e dukshme, për sa kohë që skandalet e Jugut kanë vendosur hijen e ndërhyrjes së qeverisë në të drejtën e pronës së qytetarëve, e drejtë që është konsideruar edhe nga Athina (Varvitsiotis) si “interes kombëtar i Greqisë”.

No comments: