Saturday, April 11, 2009

Libertas interviston Bollanon

Intervistë me kryetarin e Bashkisë së Himarës dhe njëkohësisht drejtues i OMONIA-s. Bollano: Do apeloj në Strasburg, gjyqi ndaj meje dëmton integrimin. "Për pronësinë disponojmë edhe ne dokumentacionin e kishës". Një gjyq për tabelat e sinjalistikës mund të vendosë Shqipërinë si palë të akuzuar në Gjykatën e Strasburgut. Padia ndaj kreut të Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, po krijon një proces penal me drejtësi të diskutueshme.Pikërisht ky status të themi ballkanik i këtij nocioni, krijon qasjet politike dhe më së fundi çështjet politike që vijojnë të mbeten pezull mes një komuniteti dhe shtetit që nuk po zgjidh problemet e tij. Pronësia, të drejtat e njeriut, por edhe aspirata evidente për një identitet të legalizuar gjuhësor e historik janë thelbi i shqetësimit, por edhe angazhimit të kreut të Bashkisë së Himarës, i cili drejton edhe organizatën OMONIA.


Fillimisht një pyetje që lidhet me interesat tuaja direkt si kryetar i Bashkisë së Himarës. Gjykata e Vlorës po shqyrton aktualisht një pretencë të Prokurorisë së këtij rrethi, ku kërkohet dënimi juaj për çështjen e tabelave në gjuhën shqipe. Një koment rreth këtij problemi dhe cili do të jetë reagimi juaj nëse Gjykata vendos shpalljen tuaj fajtor, pavarësisht masës konkrete që mund të parashikojë?


Ne jemi duke ndjekur zhvillimet e tij, në lidhje me akuzën për të cilën s'jemi dakord. Ne kemi zbatuar vetëm ligjin që është kompetencë e njësisë vendore, ku aktet nënligjore për ekzekutimin e tyre i nxjerr vetëm titullari i institucionit. Mbasi të dalë vendimi ne do të reagojmë në varësi të tij. Theksojmë se shumë çështje të drejtësisë së vendit kanë mbërritur në Strasburg dhe kjo nuk e nderon gjykatën dhe përpjekjet që bëhen për integrimin e vendit.


Ndërkohë ka nisur vendosja e tabelave në zonën e Himarës dhe ato tashmë janë vetëm në një gjuhë, atë shqipe. Si e komentoni dhe me autoritetin e kujt institucioni po vendosen ato?


Keni të drejtë, por:


E para, këto janë tabela të sinjalistikës rrugore që shprehin strukturën dhe gjeometrinë e rrugës. Këto tabela që u rifreskuan nuk ishin çmontuar, pra s'po vendosen tani.


E dyta; ne kemi çmontuar tabelat e sinjalistikës rrugore për trashëgiminë kulturore, të cilat, sipas ligjit, janë në ngjyrë kafe. Ato u çmontuan për këto arsye:


a. Ishin shkruar me shumë gabime ortografike


b. Ishin shkruar me shume gabime emërtimi


c. Emrat e shenjtorëve ishin të përkthyer, pra jo sipas emërtimit fetar të kishës


ortodokse


d. Nuk u pajisën me leje ndërtimi nga KRRT e njësisë përfituese të investimit


e. Nuk u konsultuan gjatë azhornimit për fillimin e investimit me njësinë vendore


kushte këto dhe të kontratës së lidhur me Bankën Botërore


f. Këto tabela bazuar në Kodin e Qarkullimit Rrugor, neni 37, janë kompetencë e


njësisë vendore


Për sa i përket shkrimit në gjuhën greke, kjo lidhet me kompetencat e Këshillit Bashkiak, bazuar në ligjin nr. 8652. Duke respektuar sa thamë më lart, është më se e nevojshme vendosja dhe e këtyre tabelave orientuese.


Vitin që shkoi, skandali i Jalit dhe konflikti i Kakomesë rikthyen në vëmendje problemin e pronave në zonën e Bregdetit. Është bërë e ditur edhe një nismë e qeverisë për të kompensuar ish-pronarët në bregdet, e shoqëruar me pretendimin se kjo gjë bëhet në kuadër të zgjidhjes së çështjes së pronës. Cila është situata reale dhe cilat kanë qenë përpjekjet tuaja për zgjidhjen e saj duke konsideruar se edhe nga faktori ndërkombëtar ka një presion ndaj qeverisë shqiptare?


Problemi i Kakomesë dhe Jalit mendoj se s'ka lidhje me shpronësimet në zonën e bregdetit. Por, ai krijon probleme sociale dhe probleme pronësie, për të cilat ne ishim kundër praktikës së ndjekur dhe kemi shprehur zyrtarisht mendimin tonë. Në njësinë tonë vendore zbatimi shumë i keq i ligjit nr. 7501, ose me saktë moszbatimi i asnjë ligji ka krijuar shumë probleme. Ne kemi informuar institucionet përkatëse, njëkohësisht dhe të gjithë organizmat ndërkombëtare që janë marrë me problemin e tokës në Shqipëri dhe kemi propozuar se zgjidhja më e mundshme është që të respektohet pronësia para vitit 1946, si bashkëthemelues të ish-kooperativave bujqësore. Nënvizoj këtu se edhe praktika e ndjekur, në pjesën më të madhe, këtë është përpjekur të realizojë.


Për të njëjtin problem, gazeta "Libertas" ka publikuar artikuj me informacione zyrtare, sipas të cilave pjesëtare në të drejtën e pronësisë në Bregdet është edhe Kisha Ortodokse. A keni dijeni ju rreth këtij informacioni dhe nëse po, ka pasur një koordinim apo shihni ju mundësi për bashkëpunim mes njësive të pushtetit vendor dhe këtij institucioni për një zgjidhje të problemit të pronësisë?


Po me të gjitha relacionet, ne, si komunitet, kemi insistuar që dhe institucioneve fetare duhet t'u kthehen pronat. Kisha disponon dokumentacion, të cilin administrojmë edhe ne.


Aktualisht ju mbani edhe pozicionin e kryetarit të "Omonia", një organizatë që përfaqëson dhe mbron interesat e minoritetit grek në Shqipëri. Si e shihni situatën parazgjedhore në vend dhe cili do të jetë angazhimi i strukturave të saj në Qarkun Vlorës dhe të Gjirokastrës?


Patjetër që, si kryetar i Organizatës OMONIA, jam i predispozuar që të gjitha vendimet, por dhe filozofia që udhëheqin këshillin e saj drejtues, të materializohen dhe realizohen në praktikë. Po kështu, përpjekja jonë konsiston në përmirësimin e vazhdueshëm të të drejtave dhe jetës politike në vend. Kjo ecuri do të jetë pozitive dhe për integrimin e vendit. Peshën kryesore strukturat tona patjetër që do ta hedhin në dy qarqe, por pa minimizuar interesimin dhe në qarqe të tjera si në Korçë, Fier, Tiranë etj.


Për interesat e minoritetit grek ka pasur deklarime të qarta edhe nga Athina zyrtare (Varvitsiotis), e cila ka nënvizuar së fundmi se mbrojtja e tyre është interes kombëtar për Greqinë. Në këtë kuadër, ka një angazhim konkret diplomatik pranë palës shqiptare edhe për pronat e minoritetit dhe problemin e Himarës. I sheh OMONIA këto si çështje që mund të përfshihen në një dosje të vetme problemore apo mund të thuhet se kemi të bëjmë me një gamë problemesh që kërkojnë qasje të ndryshme?


Po në pamje të parë, ose nga shtypi më mirë të them ka një sensibilizim në këtë drejtim. Ku dëgjohet emri Himarë shihet dhe kërkohet për organizatën OMONIA. Të gjitha zhvillimet në komunitetin e minoritetit grek kanë rëndësi dhe ndiqen në mënyrë permanente nga strukturat, por dhe nga shteti amë. Theksoj se këto zhvillime janë ndjekur në një frymë bashkëpunimi dhe në mënyrë konstruktive nga ana jonë. Asnjëherë ne nuk i shohim si të veçanta këto probleme, apo të krijojmë dosje të veçuara për njërën apo tjetrën krahinë; për ne nuk ka rëndësi krahina, rëndësi ka problemi nëse ekziston dhe në qofte se po bëjmë të gjitha përpjekjet për përmirësimin dhe ecurinë pozitive të minoritetit grek në interes dhe të zhvillimit të vendit e të integrimit e të tij.



Intervistoi: Skerdilajd Zaimi


No comments: