Tuesday, April 14, 2009

PRESS RELEASE-DEKLARATË PËR SHTYP


Shoqata “Bregdeti”, Tiranë
Shoqata “ Bashkimi Himariot”, Tiranë
Shoqata “Intelektualët e Himarës”, Tiranë




Tiranë, më 11 Prill, 2009
DEKLARATË PËR SHTYP

Shoqatat “Bregdeti”, “ Bashkimi Himariot” dhe “Intelektualët e Himarës” me degët e tyre ne Tiranë, Himarë, Athinë dhe Washington D.C. shprehin edhe një herë shqetësimin e tyre lidhur me dhunimet e bëra mbi pronën e banorëve të Bregdetit .

Shoqatat kanë treguar shpesh herë me fakte se institucione shtetërore dhe sidomos Komisionet vëndore të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (KKKP) kanë “lejuar” që individë të ndryshëm të akaparojnë tokën e trashëguara të banorëve legjitimë të Bregdetit. Është e çuditshme, që brënda një dite (29 Maj 2006) me tre vendime të njëpasnjëshme te KKKP Vlorë përkatësisht nr.133, nr. 134 dhe nr. 135 të kthehen përkatësisht 15,3; 2 dhe 2 hektarë një personi të vetëm. Përsëri me vendimin nr.175 të KKKP të Vlorës, datës 21 qershor 2006 i kthehen 33, 3 hektare të njëjtit person. Me një vendim tjetër (i marrë më datë 20 prill 2006), KKKP i kthen një personi tjetër 4 hektarë në fshatin Dhërmi, përmes një gjyqi fakti, që meriton të hetohet.

Këto janë vetëm maja e ajsbergut të këtij korrupsioni galopant me pronat e Bregdetit. Të dhënat e fundit të Forumit Ekonomik Botëror (WEF) për Indeksin e Konkurrueshmërisë mbi Turizmin dhe Udhëtimin për 2008, tregojnë qartë dhe në mënyrë tepër dramatike se Shqipëria renditet në vëndin e 126 ndër 136 vënde të botës lidhur me respektimin e të drejtave të pronësisë. Shoqatat janë teper të shqetësuara se kjo situatë po bëhet shqetësuese për të ardhmen e zonës.

Ende qeveria shqiptare nuk po gjen forcën të shkëputet nga shabllonet e vjetra dhe hijet e ligjit 7501, i cili ende si hija e Makdafit, po e ndjek nga pas zgjidhjen përfundimtare të kësaj çështje thelbësore për begatimin e zonës. Shoqatat tona përshëndesin vendimin e qeverisë lidhur me anullimin e vendimin nr. 111 të KM, e cila tjetërsonte një sipërfaqe mbi 10 hektarë të pronarëve të ligjshëm të zonës së Himarës. Por ne do dëshironim që qeveria dhe tërë forcat politike të vëndit, të shohin në sy realitetin dhe të ndërmarrin hapat e nevojshme për ti kthyer pronat të zotërve legjitimë duke kontribuar kështu pozitivisht në zhvillimin afat-gjatë dhe të qëndrueshëm të vëndit dhe sidomos të zonës së Bregdetit.

Ajo që preokupon shoqatat është edhe qëndrimi i çuditshëm i OSBE-së, e cila ende “nuk gjen kohë” të mos takojë perfaqësuesit tanë. Sikurse çuditërisht këmbëngul ende për regjistrimin e pronave ne zonën e Bregdetit me ligjin 7501!!! Ndërkohë që popullsia e këtij rajoni për 18 vjet me rradhë, është shprehur qartë dhe prerë dhe me shumicë për zgjidhjen e problemit të pronës përmes kthimit tek prona e të parëve.

Ndërkaq ngelet shqetësues fakti se ende nuk po bëhen pagesat për shpronësimet në zonën e Bregdetit, ndërkaq që firmat e ndërtimit të rrugëve po vazhdojnë punimet. Kjo do të sjellë fërkime me pasoja negative, sikurse ka ndodhur edhe në zona të tjera të Shqipërisë.
Shoqatat tona, po bashkëpunojnë me tërë komunitetin dhe pushtetin vendor dhe kanë përfunduar tanimë listat e pronarëve të ligjshëm të krahinës, për tua kthyer pronarëve të ligjshëm. këtë çështje madhore. Për këtë, tërë komuniteti i Himarës angazhohet deri në sakrificën e fundit.

No comments: