Friday, May 29, 2009

Athina: Koalicioni me PS, e drejtë e PBDNJ-së

http://www.korrieri.com/Politike/1419.html

Thodhoros Kasimis tha se zgjedhja e koalicionit nga partia që drejton Vangjel Dule është e drejtë e saj. Kasimis shtoi se “minoriteti grek është promotor për integrimin e Shqipërisë në Evropë”. Diplomati grek përuron disa projekte zhvillimi të realizuara me financimin prej 600 mijë eurosh të dhëna nga Ministria e Jashtme greke

Bledar Shehu

GJIROKASTËR - Greqia zyrtare mbështet zgjedhjet e bëra nga lidershipi i PBDNJ-së, për koalicionet parazgjedhore në vend. Në mënyrë tejet diplomatike, zëvendësministri i Jashtëm i qeverisë së Greqisë, Thodhoros Kasimis, është shprehur se vendimi i partisë që përfaqëson minoritetin grek në Shqipëri për të hyrë në koalicion parazgjedhor me Partinë Socialiste, është një e drejtë që u takon drejtuesve të kësaj force politike.

“PBDNJ-ja është një parti politike, ndërkohë që minoriteti grek në Shqipëri për ne është diçka më shumë dhe në qoftë se këto zhvillime të PBDNJ-së bëhen për të pasur një gjendje të mirë të këtij minoriteti, atëherë do të ishte diçka e mirë”, është shprehur zëvendësministri i Jashtëm i Greqisë, në rrethin e Gjirokastrës. Deklaratat e diplomatit grek janë bërë pas interesimit të medias gjatë një turi takimesh dhe aktivitetesh që ai ka zhvilluar në jug të Shqipërisë. I pranishëm ditën e hënë në një tur takimesh në rrethin e Gjirokastrës, zëvendësministri i Jashtëm i qeverisë së Greqisë, Thodhoros Kasimis, e ka cilësuar minoritetin grek në Shqipëri si promotor për integrimin e Shqipërisë në Evropë.


Gjatë vizitës së tij, diplomati grek ishte i shoqëruar nga ambasadori shqiptar në Athinë, Vili Minarolli, si dhe nga drejtues të pushtetit vendor. Në aktivitetet e zhvilluara ka qenë i pranishëm edhe prefekti i Gjirokastrës, Spiro Ksera, ish-drejtues i PBDNJ-së në Gjirokastër, i shkarkuar vetëm pak ditë më parë, pikërisht atëherë kur emri i tij u përfshi në listat e deputetëve të Partisë Demokratike. Programi i vizitës së zëvendësministrit Kasimis përfshinte përurimin e disa projekteve të zhvillimit, të realizuara me fondet e Ministrisë së Jashtme greke në komunat e Dropullit të Sipërm, Dropullit të Poshtëm dhe komunën e Lunxhërisë në rrethin e Gjirokastrës. Këto projekte janë pjesë e financimit me vlera 600 mijë euro që Ministria e Jashtme e Greqisë ka bërë për ndërtimin e 36 rrugëve, urave, ujësjellësve etj., në rrethet e Sarandës dhe Gjirokastrës.


Gjatë takimeve me përfaqësues të pushtetit vendor dhe banorë të këtyre zonave, Kasimis ka pohuar se aktualisht marrëdhëniet shqiptaro-greke janë në fazën më të mirë të tyre, duke i vlerësuar këto marrëdhënie më tepër si vëllazërore, sesa institucionale. “Besoj se nuk kanë qenë asnjëherë kaq të mira marrëdhëniet shqiptaro-greke, që nuk janë vetëm institucionale, por janë vëllazërore”, ka pohuar zëvendësministri i Jashtëm i Greqisë, Kasimis. “Ne, - ka vijuar ai, - mbështetëm integrimin e Shqipërisë në NATO, mbështesim integrimin e Shqipërisë në Evropën e Bashkuar, forcojmë dhe mbështesim përpjekjet për zhvillimin e Shqipërisë në përgjithësi. Dua të theksoj se në 10-vjeçarin e fundit shoh një zhvillim shumë të madh në Shqipëri, shoh zhvillim dhe përparim”, ka pohuar ai.

No comments: