Saturday, May 16, 2009

PBDNJ dhe rezultati i PD-së

Eduard Zaloshnja | 16/05/2009 Shekulli on line

PBDNJ-ja kishte opsionin e futjes në zgjedhje pa bërë koalicion paraelektoral - siç ka bërë zakonisht në zgjedhjet e mëparshme - por, për faktin e thjeshtë se e vetme s'mund të fitonte më shumë se dy vende në Kuvend, ajo zgjodhi të kundërtën.


Dhe tani që është bërë pjesë e një koalicioni paraelektoral, PBDNJ-ja do të ketë shansin të fitojë 4-5 vende në Kuvend. Kjo falë formulës Sainte-Laguë, e cila zbatohet për shpërndarjen e deputetëve brenda koalicioneve në çdo qark.

Ndërkohë që interesi i PBDNJ-së për t'u bërë pjesë e një koalicioni paraelektoral është i qartë në kushtet e sistemit të ri zgjedhor, më pak e qartë është se çfarë efekti do të ketë në rezultatin e 28 qershorit kalimi i kësaj partie, nga koalicioni qeveritar, në atë opozitar. Dhe, sondazhet, fatkeqësisht, nuk mund të na ndihmojnë t'i japim përgjigje kësaj pyetjeje.


Po të huajmë një metaforë nga meteorologjia, mund të themi se sondazhet përcaktojnë relativisht saktë drejtimin nga fryn era, por nuk mund të matin me saktësi forcën e saj - sidomos kur era është e lehtë, siç është rasti i PBDNJ-së.


Dhe meqenëse sondazhet nuk na ndihmojnë dot për të vlerësuar se çfarë efekti do të ketë në rezultatin e 28 qershorit kalimi i PBDNJ-së nga koalicioni qeveritar në atë opozitar, të vetmit numra që mund të na vijnë në ndihmë, janë ata të zgjedhjeve të mëparshme.


Dhe analiza e rezultateve të zgjedhjeve në vitin 2005 dhe 2007, na tregon se dalja e PBDNJ-së nga koalicioni qeveritar mund t'i kushtojë atij shumë më tepër se sa 3 vendet në Kuvend, që ka aktualisht partia e minoriteteve. Kjo, falë formulës D'Hondt, e cila zbatohet për shpërndarjen e deputetëve mes koalicioneve në çdo qark.


Le ta verifikojmë hamendjen e mësipërme në Qarkun e Beratit, në të cilin PBDNJ-ja nuk ka nxjerrë ndonjëherë deputet, siç ka bërë zakonisht në Qarkun e Gjirokastrës apo të Vlorës.


Në dy zgjedhjet e fundit (2005 dhe 2007), PBDNJ-ja mori 3543 dhe 3678 vota në Qarkun e Beratit - pra, mesatarisht, 3611 vota. Ndërkohë, mesatarja e dy zgjedhjeve të fundit për koalicionin qeveritar ka qenë 20.185 vota.


Po të presupozohet se rezultatet e 28 qershorit do të jenë të afërta me mesataret e dy zgjedhjeve të fundit, koalicioni qeveritar do të merrte rreth 23.800 vota së bashku me PBDNJ-në.


Dhe, për pasojë, duke zbatuar formulën D'Hondt, do të rezultonte me tre deputetë në Qarkun e Beratit. Por, meqenëse votat e PBDNJ-së do të transferohen tani nga e djathta tek e majta, koalicioni qeveritar, me gjasë, mund të fitojë vetëm dy deputetë e jo tre.


Shembulli i Beratit tregon se, edhe pse PBDNJ-ja mund të mos fitojë deputetë në shumë qarqe, mund të ndikojë në garën mes koalicioneve nëpërmjet transferimit të votave të saj nga koalicioni qeveritar në atë opozitar.


Duke bërë llogaritje të ngjashme me të mësipërmet për çdo qark, rezulton se koalicioni i PD-së humbet plot 11 deputetë nga largimi i PBDNJ-së drejt koalicionit të udhëhequr prej Ramës.


Kështu, përveç Qarkut të Durrësit dhe Elbasanit, koalicioni i udhëhequr nga Berisha humbet nga një deputet në të gjitha qarqet e tjera prej këtij largimi. Madje, në Qarkun e Vlorës, humbet dy deputetë.



Para se të bëja analizën e mësipërme, s'më kishte shkuar ndërmend se PBDNJ-ja mund të kishte ndonjë farë peshe në qarqe veriore, si i Dibrës, Kukësit apo Shkodrës, për shembull.


Dhe kur analizova rezultatet e dy zgjedhjeve të fundit, nuk mund të them se s'u habita nga numrat që pashë. Kështu, në Dibër, PBDNJ-ja kishte marrë mesatarisht 4360 vota, ndërsa në Kukës dhe në Shkodër, përkatësisht 4530 dhe 5390 vota. Kjo, ndoshta si rezultat i minoriteteve sllave që jetojnë në këto qarqe.


Ndërkohë që unë, si vëzhgues i thjeshtë i zhvillimeve politike shqiptare, u habita nga efekti i madh i transferimit të votave të PBDNJ-së nga koalicioni qeveritar në atë opozitar, specialistët e PD-së që merren me numrat, nuk duhet të jenë habitur dhe aq.


Mendja ta do se ata do të kenë qenë me kohë të vetëdijshëm për magjinë e formulës D'Hondt. Gjithashtu, mendja ta do se këtë duhet t'ia kenë bërë të ditur edhe udhëheqësit të tyre.


Në këto kushte, duket e habitshme që Berisha nuk bëri të pamundurën për ta mbajtur PBDNJ-në në vathën qeveritare. Sepse, duke e lënë atë të ikë drejt PS-së, ai duket se ka vulosur fundin e mandatit të tij në 28 qershor...

No comments: