Tuesday, June 02, 2009

In memoriam, Spiro Rusha

Shaban Sinani | 02/06/2009 Shekulli on line

Spiro Rushën e kam njohur së largu në mesin e viteve 1980, kur, në përfundim të një karriere të gjatë në shërbime e funksione të larta administrative, megjithëse prej vitesh në pension, për arsye që në atë kohë nuk arrita t'i mësoj kurrë, ishte internuar familjarisht në Kurbnesh, ku kaloja së paku dy-tri herë në vit për të shkuar në vendlindje.


E shihja thuajse gjithnjë të vetmuar, të heshtur, mënjanë klubeve dhe mjediseve publike. Më kujtonte Petro Markon në Tiranë, edhe Petro nga të njëjtat anë, bregdeti: gjithnjë i heshtur, i vetmuar, me një filxhan kafeje në verandën e hotel Arbërisë, ku gazetarët, të paktën në ditët e para pas marrjes së rrogës (15-ditëshit), mund të kalonin disa orë të këndshme në shoqërinë e njëri-tjetrit.


Shumë vonë do të mësoja se Spiro Rusha ishte internuar jo për ndonjë shkarje ideologjike apo politike, por për një shkak krejt tjetër: nipi i tij, ndërsa specializohej në Francë, vendosi të mos kthehej më në atdhe dhe të qëndronte atje si azilant politik.


Dukej sikur Spiro Rusha ishte pajtuar me fatin që i kishte rezervuar moti në atë moshë dhe nuk e vuante me traumë jetën e mbyllur në Kurbnesh, ku kishte edhe të tjerë të ardhur, sidomos bregdetas, po edhe kosovarë, pa numëruar të dënuarit politikë.


Një dekadë e gjysmë më vonë do të rinjihesha me Spiro Rushën, kësaj radhe duke qenë në drejtim të rrjetit arkivor kombëtar. Spiro Rusha e kishte ushtruar këtë detyrë në një kohë të vështirë, në vitet 1970, dhe e kishte mbyllur jetën aktive pikërisht në këtë funksion.


Paraardhësi im në detyrë, historiani Z. Shtylla, e kishte gjetur me vend të krijonte "këshillin e drejtorëve", ku ftoheshin herë pas here për të marrë pjesë e për të dhënë mendime të gjithë ish-titullarët, të cilët fatmirësisht ishin jo pak; dhe unë e gjeta me vend që kjo traditë të vijohej - ashtu u bë - derisa më vonë u shua.


Spiro Rusha, megjithëse në një moshë të shtyrë, rreth të 75-tave, merrte pjesë jo vetëm në mbledhjet e "këshillit të drejtorëve", por, kur ia lejonte shëndeti, edhe në veprimtaritë që zhvillonte arkivi: hapje ekspozitash, paraqitje botimesh, pritje delegacionesh të huaja. Më bënte përshtypje një "hije zotnillëku", që shihja në portretin e tij.


Më dukej sikur nuk donte ta kujtonte fare të kaluarën, as të afërmen, as atë të largëtën, ku kishte lënë gjurmë të denja nga njëra fushë veprimtarie në tjetrën, siç ishte në stilin e kohës: me shumë "lëvizje kuadri", qarkullime.


Për hir të së vërtetës, shpeshherë dhe nuk e prisja praninë e tij, qoftë edhe për shkak të një ftohtësie të kuptueshme që unë e imagjinoja brenda tij: ftohtësi ndaj të vjetërve, sepse e ndëshkuan për një faj të trashëguar në prapavajtje (që të dënoheshe për "gjyshin reaksionar" ishte një gjë krejt e pritshme, por që të dënohej gjyshi për nipin e pabindur nuk kishte ndodhur dhe aq shpesh); ftohtësi edhe ndaj të rinjve, sepse kujtoheshin për të privuarit nga liritë vetëm kur vinte koha e rreshtimit në votime.


Por ai vinte. Ndihesha i nderuar nga prania e tij. E kisha parë nënshkrimin e tij në mjaft korrespondenca zyrtare dhe prej atij nënshkrimi mund të gjykoja edhe për virtytin e marrjes së përgjegjësisë.


Por ja ku e shihja edhe midis paraardhësish të tjerë, me një formim më të shëndetshëm në fushë të historisë dhe të arkivistikës, që përballej në dialog me ta me terma të fushës, me instrumente të fushës dhe me këshilla të dobishme.


Kjo më bënte që të ndihesha me ndjenjë detyrimi të veçantë ndaj Spiro Rushës, t'i çoja ftesë për çdo rast që mund të paraqitej, dhe ai nuk mungonte që në sezon festiv të ndërrimit të viteve të dërgonte urime me kartolina tradicionale jo vetëm për pasuesin e tij të ri, por edhe për "kolektivin e arkivit".


E kisha kënaqësi ta vendosja kartolinën e tij në portën hyrëse të institucionit, me qëllim që ta lexonin ata që e njihnin dhe ata që nuk e njihnin personalisht, për ngrohtësi apo qoftë edhe për shprehje të kulturës zyrtare.


Për herë të tretë "u takova" me Spiro Rushën në mesin e dekadës së fundme, kur Akademia e Shkencave më ftoi të paraqisja një studim në përmbledhësin "Himara në shekuj". Ishte një argument që më kishte tërhequr edhe më parë.


Kisha gjetur disa letra të bregdetasve drejtuar Selisë së Shenjtë shekull pas shekulli për t'u trajtuar si unitë, ashtu si arbëreshët e Italisë; mjaft burime që të çonin drejt përfundimit se himariotët nuk ishin dhe aq "ortodoksë" sa janë përshkruar.


Por më duhej të njihja dhe të çmoja gjithçka që ishte shkruar deri atëherë për këtë temë. Librat e Spiro Rushës, të shkruar e të botuar në ato vite, një rikthim tek fëmijëria dhe vendlindja, si:


"Shqipëria në vorbullat e historisë", "Himara në stuhitë e shekujve", "Qeparoi - historia dhe kultura popullore", etj., më shërbyen shumë dhe i kam cituar në punën time.


Këta libra do të më njihnin me një anë tjetër të personalitetit të tij: zakonisht njerëzit e shkrimeve në atë moshë nuk përdornin referenca, ose sepse nuk ishin mësuar me këtë mënyrë të shkruari, ose sepse nuk kishin dhe aq respekt për referencat.


Spiro Rusha, në një mënyrë krejt të natyrshme, e shërbente dijen e tij në formën më bashkëkohore.


Dhe veç kësaj, na bënte të ditur se, kohën e shërbimit në arkiva, nuk e kishte kaluar thjesht si funksionar: kishte pasur dhe ai argumente të identifikimit të interesave shkencorë. Në fakt, ai vinte në bibliotekën dhe sallën e leximit të arkivave edhe në atë moshë që kishte dhe i shërbente vetes më së miri.


Spiro Rusha ishte veteran antifashist dhe veprimtar në fushën e politikës e të kulturës shqiptare. Ai u lind në fshatin Qeparo të Himarës, më 20 shtator 1917. Në moshën 12-vjeçare, u detyrua të zinte punë për të mbajtur veten dhe familjen.


Më 1955-ën u diplomua me vlerësimin "shkëlqyeshëm" në degën e historisë të Universitetit të Tiranës. Qysh para Luftës së Dytë Botërore ishte bashkëpunëtor i revistave përparimtare të kohës, si "Bota e re" (nga ky shkak ai dhe u arrestua).


Gjatë luftës ai mori pjesë në "Çetën e Bregut" si luftëtar i rregullt. Për pjesëmarrjen në Luftën Antifashiste ai ka mbajtur medaljen e kujtimit, medaljen e trimërisë dhe atë të çlirimit, si dhe Urdhrin e Flamurit.


Pas çlirimit, Spiro Rusha u ngarkua me përgjegjësi të njëpasnjëshme shtetërore dhe në poste të rëndësishme: sekretar politik i Qarkut të Vlorës (1945), kryetar i komitetit ekzekutiv të prefekturës së atij qarku, kryetar i Arbitrazhit të Lartë Shtetëror në Tiranë, zëvendësministër i ndërtimit, sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave (për 12 vjet), kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Rrethit të Lushnjës, këshilltar tregtar në Ambasadën e RPS-së të Shqipërisë në RP të Kinës dhe, në fund, drejtor i arkivave të shtetit deri sa doli në pension (1978).


La emër shumë të mirë në të gjitha këto përgjegjësi, për rezultate me cilësi të lartë dhe për marrëdhëniet e drejta njerëzore me vartësit e tij.


Në personalitetin e Spiro Rushës spikaste një ndërthurje vitalitetesh e të gjitha anëve të jetës, një vullnet i hekurt tejet i kolauduar, një zgjuarsi dhe kulturë shembullore.


Pak kohë më parë, Spiro Rusha u nda nga kjo jetë. Për gjithçka që kishte dhe ishte, Spiro Rusha do të mbetet përherë midis nesh një shembull i çmueshëm.

1 comment:

Anonymous said...

E po kush eshte Spiro Rusha?

Shkruar nga Prof. Hamit Beqja
e enjte , 20 shtator 2007

Sot me 20 shtator dy mije e shtate Spiro Rusha ka ditelindjen. Mbush plot nentedhjete vjet. I gezofte ! U befte nje qind!
Eshte nje nentedhjete vjecar gjithe vitalitet. Mendjen e ka qiqer. Kujtesen fenomenale. Per cfare e do? Ngjarje historike?

…….

Per vitalitet te rralle flet edhe rruga e shkollimit te Spiros. Arsimin fillor e mori ne fshat, por per mungese burse nuk vazhdoi me tutje. Megjithate mesoi si autodidakt. Madje, etape pas etape fitoi arsim solid aq sa pas Luftes se Dyte Boterore, ne vitin 1955 kreu studimet me korrespondence ne fakultetin e Historise e te Filologjise te Universitetit te Tiranes, ne specialitetin e historise. Specialitet qe i vlejti per studimet e parapelqyera prej tij ne kete fushe, per punimet shkencore qe shkroi. Dhe ne te gjitha etapat e shkollimit doli shkelqyeshem. Kesisoj arriti te behet nje studiues i vertete shkencor, nje intelektual.
* **
** *
Por vjen dita e zeze. Eshte e njohur dhe me pasoja te hidhura per Spiron, familjen dhe te afermit e tij, ngjarja qe lidhet me nje nga vajzat e tij. Ajo u dashurua me djalin e doktorit me emer, Papavramit. Cifti kishte dhe nje djale, Tedi Papavramin. Prinderit e Tedit, siguruan familjarisht lejen per te shkuar ne France ku djali kryente studimet per violine. Duke qene atje te tre bashke, kerkuan strehim politik. Me kriteret e atehershme, nga organet e pushtetit te kohes kjo konsiderohej arratisje politike dhe denohej e ndeshkohej rende. Aq me teper qe Tedi violinist filloi te jape koncerte, pra aktivitet publik. Kjo u be shkas qe Spirua, familja e tij e farefisi te cilesoheshin armiq te pushtetit. Dhe per pasoje te depertoheshin ne krahinen e thelle te Kurbneshit. Ata qe ishin ne moshe per pune, punuan ne pune te renda. Spirua qendroi atje 5 vjet. E perballoi edhe kete situate te veshtire. Rezistoi, e ruajti veten. Pas faljes qe erdhi me kthesen demokratike rilindi perseri, tjeter prove e karakterit te tij te forte.
* * *
Por me qe kemi permendur natyren e tij prej bibliofili, nuk eshte per tu cuditur qe edhe pse 90 vjec ai jep gjykime per ngjarjet e kohes,ato qe qarkullojne ne tregun politik te dites. Ne kete plan do pare edhe historia e dhimbshme e bibliotekes se tij. Ka bredhur gjithandej ne ecejaket qe e ka degdisur jeta Spiron. Pavaresisht ketyre travajeve ne te ka gjithfare librash. Te kohes po qe po. Por dhe te vjetra, te se shkuares, deri edhe te prifterinjve, qofte dhe te jezuiteve. Ta zeme edhe te Zef Valentinit me shoke. Ne kete rrafsh meriton te shikohet edhe ajo qe kemi thene, veprimtaria e tij prej bibliofili e cila shprehet ne botimet e shumta te tij; Ne goxha artikuj dhe ne libra te mirefillta historike. Po permendim disa prej tyre: Shqiperia ne vorbullat e historise, Himara ne stuhite e shekujve, Qeparoi historia dhe kultura popullore etj. Qofte dhe nga titujt duket qarte qe Spiro eshte bir Bregdeti. Veprat jane interesante. Spirua ka qemtuar ngjarje e kenge te vendit per te cilin shkruan, fotografi te vetat, te familjareve e te kohes. Nje mozaik e vertete. Me mjaft origjinalitet.
* * *
Gjithashtu do sqaruar se si jane vleresuar materialisht e shpirterisht jeta dhe kontributi i Spiros. Po u referohemi titujve e te ardhurave personale te tij.

* * *
Ne fund ne Permbyllje, duke u njohur me hallet e shumta qe kaloi ne jete, portreti i personalitetit te Spiro Rushes te shpie ne disa perfundime: Se pari, te ai shohim nje nderthurje vitalitetesh te te gjitha aneve te jetes; Se dyti, nje vullnet per ta jetuar jeten per se mbari.
Se treti, nje vullnet te hekurt, tejet te kolauduar.
Per te gjitha keto mund te mesohet prej tij.
Ashtu qofte !
Shenim: Lindur ne Qeparo te Himares me 20.09.1917