Problemi i Vorio Epirit shfaqet në fushatën zgjedhore për eurodeputetë në Greqi. Nëse fati elektoral i Shqipërisë do të kërkojë zgjidhjen e vet kryesisht në Shqipërinë e Mesme, Jugu i saj duket se do të aderojë fuqishëm në votimin e eurodeputetëve grekë. Qytetari shqiptar kështu është subjekt i dy proceseve elektorale, të cilët në çdo pikëpamje kanë një rëndësi të dorës së parë për perspektivën. Por teksa opinioni i brendshëm është tashmë i familjarizuar me fushatën e partive kryesore shqiptare, pak gjë dihet rreth lëvizjeve të politikës së Athinës, e cila së fundmi po apelon fort për votën e shtetasve shqiptarë me kombësi, apo edhe dokumente greke, të njohur ndryshe si vorioepirotë. Nën këtë okelio shumë domethënëse, ka folur dje edhe kreu i socialistëve grekë, Jorgos Papandreu, i cili në një konferencë për shtyp me përfaqësinë e homogjenëve (ata që njihen zyrtarisht si qytetarë me kombësi greke) ka prezantuar një plan veprimi prej 5 pikash. Me fjalët e vetë Papandreut, projekti është afishuar si "politika e PASOK në Vorio Epir". Për të lënë mënjanë spekulimin me termat që i shërbejnë më shumë konsumit të brendshëm politik, dalja e të majtës greke me një plan të posaçëm në kërkim të votës është një qasje e re. Madje, edhe gjuha politike e përdorur është një risi, që flet se evropianizimi praktik i kufijve është paranteza e rikthimit të rajoneve ekonomike drejt kontureve natyralë historikë. "Ne kemi filluar procesin e natyralizimit të vorioepirotëve, por mendojmë të rregullojnë edhe çështjen e shërbimit ushtarak… Ne mendojmë se është e drejta juaj të keni shtetësinë. Ajo është një çështje që ne do duhet ta zgjidhim me transparencë, menjëherë dhe pa asnjë pengesë burokratike ose vonesë", tha kreu i PASOK-ut. Në fushatën e tij, Papandreu ka premtuar kështu një dhënie të shpejtë shtetësie për të gjithë vorioepirotët, një element që në kontekstin praktik i adresohet qindra mijëra qytetarëve shqiptarë që banojnë në Greqi. Edhe pse një manovër e ripërsëritur nga PASOK, dyshtetësia përbën një propozim, i cili nën hapësirën që lejon demokracia e një anëtari të NATO dhe aspirata e integrimit parakupton disa procese që e zhvendosin qendrën politike të Jugut të Shqipërisë. Minimalisht një përfitim i tillë për shumë shtetas shqiptarë mund të ulë shumë peshën e Tiranës në një zhvillim globalizues që lë protagonist më të fortin.
PASOK thyen heshtjen e Karamanlisit për Bollanon. Heshtja e Kryeministrit grek, Kostas Karamanlis, lidhur me dënimin së Vasil Bollanos në këmbim të theksimit me homologun shqiptar Sali Berisha të marrëdhënieve të shkëlqyera është kapur nga opozita greke, si një element i fushatës elektorale. "Ne kemi punuar që nga viti 1990 për të përmirësuar marrëdhëniet dypalëshe me Shqipërinë. Por ne jemi kundër mos marrjes së një pozicioni, lidhur me dënimin e kreut të Bashkisë së Himarës dhe president i Omonias, Vasil Bollano", tha Papandreu. Atë që e "harroi" Karamanlisi, Omonia mund ta gjejë te PASOK, aq më tepër kur kjo gjë ndihmohet nga lëvizja e PBDNJ drejt aleancës me Partinë Socialiste në Shqipëri. Kujdesja e Papandreut është kështu një paralajmërim për Tiranën zyrtare, sidomos nëse fituese në zgjedhjet e 28 qershorit do të vijojë të jetë shumica aktuale e Sali Berishës. Nëse fati elektoral kryqëzon Berishën me PASOK në Bruksel, certifikata e tolerimit për gabime teknike të zgjedhjeve bëhet shumë e vështirë.
Plani
1) Dhënie e menjëhershme dhe pa dallime e nënshtetësisë për të gjithë minoritarët që u takon.
2) Rishikim i të gjitha proceseve të ngelura pezull që kanë të bëjnë me sigurimet shoqërore të minoritarëve dhe sidomos për të moshuarit, për të marrë pensionin nga OGA.
3) Përpunimi i një plani të plotë zhvillimi dhe investimesh në zonat ku është më e ndjeshme prania e minoritetit grek.
4)Mbrojtje efikase e pasurive të minoritarëve.
5)Mbështetje e arsimit, me ngritjen e objekteve shkollore, prodhimin e librave shkollorë.
Fushata elektorale. Vota për eurodeputetë grekë në Shqipëri. Plani i sugjeruar nga kreu i socialistëve grekë, Jorgos Papandreu, që integron politikisht edhe një pjesë të shtetasve shqiptarë, ka nevojë për një shpjegim lidhur me implikimet dhe prapavijën e vet. Ai shfaqet në një kohë kur në Greqi po zhvillohet fushata për zgjedhjet e Parlamentit Evropian. Në një përplasje të fortë mes PASOK dhe qeverisë së Karamanlisit, procesi është transformuar në një provë force, rezultati i së cilës mund të sjellë zgjedhje të parakohshme politike në Greqi. Është e qartë se një fitore e PASOK ngre pikëpyetje mbi qeverinë e Karamanlisit, e cila mund të kërkojë votëbesimin. Ajo që lidhet me Shqipërinë është fakti se vota e homogjenëve (shqiptarë me dokumente homogjene apo minoritarët) përbën një tregues se si politika e Athinës po gjen një terren të ri politik dhe zgjedhor në Shqipërinë e Jugut. Natyra e dyfishtë e emigrantëve shqiptarë si votues përbën sa një problem elektoral dhe politik aq edhe një zgjidhje për shumë kriza që po kalon Greqia, por edhe Shqipëria. Minimalisht zhvillimet e fundit flasin se me erën evropiane po del në skenë një faktor i ri, i cili, nëse shihet përmes retorikës greke dhe të drejtës së votës, evokon një "njësi të re" politike, i cili mund të trashëgojë shumë emra, por është gjithmonë i njëjti.
Plani i rikthyer i Papandreut. Kërkesat e kreut të PASOK janë vënë në tryezë që në 1993. Micotaqis, protagonisti i parë i të drejtave të minoritetit. Ajo çfarë sot po afishohet në Greqi si një plan për Vorio Epirin apo vorioepirotët në fakt nuk është diçka e re. E re është vetëm fakti se ajo po përdoret si element i fushatës elektorale, pra është kthyer përfundimisht në një çështje aktive në politikën greke. Kjo mund të thuhet me siguri po të shihet në retrospektivën e viteve '90, kur saktësisht në vitin 1993, kryeministri i atëhershëm grek, Kostandin Micotaqis, parashtronte një plan kërkesash për Tiranën zyrtare të drejtuar sërish nga Sali Berisha. Prona private, e drejta e shkollimit në gjuhën greke, ushtrimi i besimit, kthimi i pronës te Kisha Ortodokse, zhvillimi i regjistrimit me bazë shprehjen e lirë të përkatësisë etnike, janë pikat kryesore të kërkuara nga Micotaqis. Me një vështrim të shpejtë, pa frikë mund të pohohet se që atëherë pak gjë ka ndryshuar në kërkesat greke, të cilat me kalimin e kohës shihen në Shqipëri në mënyrë më të emancipuar, të paktën zyrtarisht. E veçanta që duhet nënvizuar është se pala greke asokohe kërkonte ndalimin e largimeve nga puna të qytetarëve shqiptarë me kombësi greke, duke aluduar groteskun e një situate, ku një regjim demokratik akuzohet më shumë për shkelje të të drejtave të njeriut sesa regjimi i sapo rrëzuar diktatorial. Se sa është realizuar kjo politikë e Greqisë ndaj Shqipërisë, kjo mund të shihet te plani i ri i Papandreut, që rithekson thuajse të njëjtat gjëra. Më shumë rëndësi në këtë kuadër ka nënvizimi i dështimeve dhe sukseseve reciproke dhe se sa ka ecur kjo situatë drejt standardeve të komunitetit evropian. Në plan të parë qëndron fakti se minoriteti grek nuk është gjendur nën një situatë mirëfilli ballkanike, të paktën sipas asaj që u pa në ish-Jugosllavi. Integrimi politik i tyre dhe mandej simptomat e tranzicionit flasin se problemet në optikën greke, por edhe atë evropiane, mbeten ende për t'u zgjidhur. Në këtë drejtim, pala shqiptare, e cila mund të gjejë argumente për të bërë simetrike situatën, vijon të mbajë pozita të mekura, ashtu sikurse me emigrantët shqiptarë, të cilët gëzojnë sot statusin e tyre vetëm falë punës dhe kontributit të vet.
Skerdilajd Zaimi(Gazeta Libertas)
No comments:
Post a Comment