Wednesday, July 01, 2009

Eca-Kriik, numërimi drejt fundit, ende nuk ka koalicion fitues

Eca-Kriik, numërimi drejt fundit, ende nuk ka koalicion fitues

Shekulli Online | 01/07/2009

TIRANË - Të dhënat e fundit publikuar nga Eca-Kriik nuk paraqesin asnjë ndryshim në numrin e mandateve për deputetë mes PS dhe PD.
Rezultati deri në orën 11.44 sipas Eca-Kriik vijon të mbetet i pandryshuar dhe shqiptarët ende nuk dinë se kush do të krijojë qeverinë e re për mandatin katërvjeçar. Partia Demokratike ka marrë e vetme 68 deputetë, por koalicioni i saj nuk kalon 70 votat.

Nga ana tjetër, koalicioni i PS-së ka mundur që të marrë vetëm 65 mandate, por një aleancë tepër e dukshme me LSI-në e vendos edhe atë në shumën e 70 deputetëve. Në këtë situatë, rebusi i zgjedhjeve është komplikuar edhe më shumë.

Procesi i numërimit të votave ka përfunduar në shumicën e qarqeve të vendit, si Vlorë, Gjirokastër, Durrës etj. Trendi i numërimit të votave tregon se mazhoranca e ardhshme, cilido krah të shpallet fitues, do të jetë shumë e brishtë. Procesi i numërimit të votave ka qenë shumë i avashtë gjatë ditës së djeshme dhe në disa raste ai është bllokuar për disa orë, si në Komunën e Bushatit, në Lushnje etj.


Tashmë janë bërë të qartë emrat e shumicës më të madhe të deputetëve për legjislaturën e ardhshme. Në qarkun e Kukësit dje është mbyllur votimi dhe rezultatet nuk kanë pësuar ndryshime. Partia Demokratike ka arritur të marrë tre deputetë dhe mandatin e katërt e ka marrë Partia Socialiste.


Gjithashtu, në Qarkun e Dibrës rezultati ka dalë katër me dy në favor të së djathtës, rezultat i cili ishte i fiksuar që para përfundimit të numërimit të të gjithë votave. Deri në fund, në Qarkun e Fierit nuk ka qenë e qartë ndarja e 16 mandateve.


"Bashkimi për Ndryshim" ka arritur të marrë nëntë të tilla, "Aleanca për Ndryshim", gjashtë dhe mandati i fundit ka shkuar për "Aleancën Socialiste për Integrim", të kryesuar nga LSI-ja. Deri në kutitë e fundit, Partia për Drejtësi dhe Integrim kishte arritur të merrte një mandat.


Në qarkun e Vlorës, "Bashkimi për Ndryshim", i kryesuar nga PS-ja ka arritur të sigurojë një fitore të pastër dhe të marrë shtatë mandate, ku gjashtë prej tyre i shkojnë PS-së dhe një PBDNJ-së. Ndërsa "Aleanca për Ndryshim" ka marrë pesë mandate, 4 PD-ja dhe 1 PDI-ja.


Qarku i Gjirokastrës ka përfunduar në favor të së majtës, e cila ka arritur të marrë tre deputetë, ndërsa e djathta dy. PBDNJ-ja nuk ka arritur të marrë një deputet në këtë qark, në të cilin banon një numër i konsiderueshëm i komuniteti grek në vend.


Durrësi ka përfunduar pa surpriza numërimin e votave, ku nga 12 mandatet që ka qarku, shtatë kanë shkuar për Partinë Demokratike, pesë për Partinë Socialiste dhe mandatin e fundit e ka marrë "Aleanca për Integrim" e kryesuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim.

Në Qarkun e Lezhës, deri në orët e para të mëngjesit të sotëm, aleanca e kryesuar nga PD-ja ka marrë katër mandate, ndërsa PS-ja me aleatët e saj, tre të tillë. Në këtë qark, Partia Ligj dhe Drejtësi me kandidat, ish-deputetin demokrat, Preç Zogaj, ka arritur të marrë rreth 1500 vota. Një numër ky i konsiderueshëm votash, pasi i ka hequr mandatin e pestë Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj.


Qarku i Elbasanit është fiksuar në barazim të numrit të mandateve me nga shtatë secila, megjithëse PS-ja me aleatët e saj është disa pikë përpara. Kështu, koalicioni i kryesuar nga Partia Socialiste ka 47.88% të votave, ndërsa koalicioni i PD-së ka marrë 44.91% të votave, Aleanca Socialiste për Integrim ka marrë 5.02% të votave në këtë qark.


Lufta është ashpërsuar tej mase edhe në Qarkun e Tiranës, ku PS-ja synon që të marrë një tjetër deputet, ndërsa PD-ja synon që të mbajnë balancën e kaheve në 16-16. Deri në orët e vona të mbrëmjes, PD-ja dhe PS-ja ndajnë të njëjtin numër mandatesh prej 15, një shkon për republikanët dhe një për LSI-në

No comments: